Shkruan Zef Ndreka
Çfarë fshihet pas zemërimit të Kryeministrit?!
Citimi i kryeministrit Rama pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pa vendim për rastin Balluku, ishte jo vetëm një reagim i ashpër politik, por më tej, është një akt akuzë ndaj arkitekturës kushtetuese dhe një sinjal alarmi për mënyrën se si po kuptohet pushteti në Shqipëri.
Për ta analizuar këtë situatë do të na ndihmonte pyetja: Ku është konflikti real, ligji apo pushteti?
Thelbi i deklaratës së Kryeministrit nuk qëndron tek çështja procedurale apo tek rasti individual siç është pezullimi i një anëtari qeverie, por tek përplasja midis ekzekutivit dhe kontrollit kushtetues. Kryeministri e cilësoi vendimmarrjen ose mosvendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese si “brutalitet”, fakt ky që po kundërshton vetë parimin e ndarjes së pushteteve.
Në të gjitha demokracitë funksionale, Gjykata Kushtetuese, nuk ekziston dhe nuk mund të veprojë për ta kënaqur qeverinë, por për ta kufizuar atë. Ngadalësia, hezitimi apo edhe vendimet e papëlqyeshme janë pjesë e çmimit të shtetit të së drejtës. Alternativa do të ishte shumë më e rrezikshme, pra vendimmarrja sipas vullnetit të momentit të pushtetit ekzekutiv.
Retorika e “Shqipërisë së vetme në planet”, me
krahasimin dramatik se Shqipëria qenka “i vetmi vend në planet” ku ndodh diçka e tillë, është thjeshtë politikë, pa u bazuar aspak në analizë juridike. Në shumë vende demokratike ka kriza institucionale, ka bllokime kushtetuese, konflikte kompetencash dhe vendime të vështira që zgjasin me muaj apo vite. Ajo që i dallon këto shtete nuk është mungesa e krizave, por durimi institucional dhe respekti për procedurën, ndryshe nga vendi ynë.
Në rastin e Kryeministrit Rama që përdori gjuhë absolute: “asnjë vend tjetër”, “brutalitet”, “antidemokratike”, duket se nuk po kërkon zgjidhje, por kërkon legjitimim publik për të ushtruar presion mbi institucionet.
Teza më e rrezikshme është: Presidenti i pezullueshëm nga një prokuror!
Kjo ishte pika më problematike e deklaratës në këtë situatë, kur “vetëm Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga një prokuror”. Kjo fjali, e thënë apo e nënkuptuar, normalizon një logjikë të rrezikshme që balancat kushtetuese mund të zëvendësohen nga veprime individuale të sistemit të drejtësisë penale.
Por në një shtet demokratik Presidenti i Republikës nuk është subjekt i presionit politik të ditës, po ashtu edhe Prokuroria nuk është instrument rregullimi institucional, por organ ndjekjeje penale.
Prandaj, konfliktet kushtetuese zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese, jo nga retorika dhe as nga frika e hetimit. Kur kompetencat mes institucioneve mjegullohen, atëherë kemi dobësim të shtetit, do vijojë më tej politizimi i drejtësisë.
Pyetja tjetër që do na ndihmonte në këtë analizë:
Çfarë fshihet pas zemërimit të Kryeministrit?
Zemërimi i kryeministrit nuk erdhi vetëm nga vendimi i munguar i Kushtetueses, por nga fakti që për herë të parë pas shumë vitesh, pushteti ekzekutiv nuk ka kontroll të plotë mbi ritmin dhe rezultatin e proceseve institucionale. Ky fakt, për një pushtet të mësuar me vendimmarrje të shpejtë dhe vertikale është e papranueshme. Por diç dihet edhe duhet të mësohemi se demokracia nuk matet me shpejtësi, por matet me frenat që i vihen pushtetit.
Kështu pra, deklarata e Kryeministrit është simptomë e një problemi më të thellë, praktikisht, e vështirësisë së pushtetit për të pranuar realitetin dhe kufijtë e vet. Gjykata Kushtetuese mund të jetë apo të duket e ngadaltë, e mangët apo e diskutueshme, por zgjidhja nuk është presioni publik dhe diskreditimi i saj. Zgjidhja është forcimi më tej i institucioneve, jo zëvendësimi i tyre me vullnet politik.
Sot u sulmua Gjykata Kushtetuese sepse “pengon qeverinë”, nesër do të sulmohet sepse “pengon opozitën”. Dhe atëherë, humbës nuk do të jenë vetëm Rama me Berishën, por do të jetë vetë demokracia shqiptare.








