Shkruan Myslim Murrizi
Pas 12 ditësh lufte mes Izraelit dhe Amerikës kundër Iranit (Palestinës, Jemenit, Libanit, Egjiptit, Jordanisë, Sirisë), sot filloi “armëpushimi”, por që u “prish”, sipas mediave, bombardimet kanë vijuar.
Izraeli thotë se Irani nuk e zbatoi armëpushimin dhe ka goditur me raketa sot drejt Izraelit. Teherani e mohon që të ketë kryer sulme dhe me gjasë mund të ketë qenë ndonjë raketë “qorre”.
Sipas Ndrek Lucës te filmi “Operacioni i zjarrit”, “këtu ka tradhti burra”.
Sipas “informacioneve” të SHISH dhe vetë kryetares së këtij shërbimi, e cila po “mban të informuar” njëkohësisht si MOSSAD-in edhe CIA-n, nuk do të ndalen bombardimet në Izrael e Iran pa mbaruar rinumërimet në Tiranë.
Kështu që, sipas kësaj logjike, luftën në Lindjen e Mesme mund ta ndalojë vetëm Ilirjan Celibashi.
Po ashtu “mësohet” se ndaj presidentit Trump kanë “nisur hetimet” prokurori i SPAK, Ben Kraja, për dy vepra penale: atë të kalimit të paligjshëm të kufirit, njësoj siç u dënua Arben Luçi që u kap në Vorë në korrik 1990, dhe për prishje të moralit komunist, siç u dënua Andrea Filip Daija po në korrik të vitit 1990.
Pra, përfundimisht, paqja dhe qetësia botërore “është” në duart e Celibashit dhe Krajës. Të tjerët lodhen kot me deklarata apo marrëveshje, se asgjë nuk ndalojnë dot.