Etërit e Kishës: Shen Gjon Gojarti (~344 – 407)

0

 Shkruan Kreshnik Marku

Gjoni u lind në Antioki, në një familje të pasur fisnore, rreth vitit 344. Babai i tij quhej Secund dhe nëna Antuza. Secundi ishte oficer i lartë dhe vdes i ri, ndërsa nëna e merr tërë barrën për rritjen dhe edukimin e Gjonit dhe motrës së tij që ishte më e madhe. Gjoni pagëzohet në moshën tetëmbdhjetë vjeçare dhe studion retorikën dhe filozofinë.

Në fillim ishte në shërbim të shtetit, por nuk e gjeti veten aty. Së shpejti u largua dhe hyri në kuvend në Diadorë. Ndërkohë i vdes edhe nëna. Ai këtu në kuvend jeton gjashtë vite të rrepta asketike. Ishte i sëmurë nga lukthi dhe kjo sëmundje e shoqëroi tërë jetën. Pikërisht kjo sëmundje bëri që të dalë prej rregulltarisë dhe të kthehet në Antioki.

Në vitin 381, ipeshkvi i Antiokisë e shuguron për diakon dhe pesë vite më vonë për meshtar. Gjoni merr detyrën e predikatarit në të gjitha kishat në Antioki.

Si predikatar ishte shumë i njohur, sa që e njihte mbarë bota e krishterë. Për këtë që nga shekulli i shtatë e quajnë edhe Gjon Gojarti. Shumicën e veprave, të cilat ishin kryesisht predikime, i shkruan në dymbdhjetë vitet e para të meshtarisë. Gjoni bëri predikime të shumta, sepse lexonte shumë Shkrimin shenjt, lutej dhe meditonte. Gjonin e krahasonin me oratorin e madh grek, Demostenin. Posaçerisht bëhët i njohur me veprën e vet De Statuis – pretk i kohës së kreshmëve, në të cilin flet për fatkeqësinë e popullit. Bëhet fjalë për shkatërrimin e disa monumenteve historike dhe kulturore të të krishterëve, në shenjë pezmatimi ndaj pernadorit Teodoz, i cili kishte dhënë urdhër për pagesë të disa tatimeve.

Pas vdekjes së patrikut të Konstantinopojes, Nektarit, Gjoni bëhët zëvendës i tij. Shugurohet për ipeshkëv me 398 nga duart e Teofilit për shërbim në Aleksandri. Ishte vështirë për popullin e Antiokisë që Gjon Gojarti të largohet prej tyre dhe të shkojë në Aleksandri. Pasiqë populli nuk dëshironte të pajtohej me një vendim të tillë, flitet se Gjoni u detyrua fshehurazi ta lëshojë Antiokinë, për të shkuar në Konstantinopojë.

Në Konstantinopojë gjendja ishte shumë e rëndë, sepse ishin disa probleme në mes meshtarëve dhe shtresave tjera në popull. Për fat të keq tek meshtarët ishte problem simonia. Ipeshkvi i mëparshëm nuk e kishte marrë seriozisht këtë problem. Tani Gjonit i mbetet që nëpërmes reformave in capite et in membris (në kryet e në gjymtyrë) të arrijë që ta normalizojë gjendjen dhe të ecën puna mbarë, siç dëshiron Zoti.

Për këtë reformë Gjoni has në kundërshtim me njerëz të pa fe, të cilëve u konvenonte problemi në Kishë dhe në popull. Gjoni ra në kundërshtim të madh me perandoreshën Eudoksia, e cila udhëhiqte shtetin dhe gjithçka bëhëj siç thonte ajo, e jo burri i saj Arkadi.

Në mbledhjen e Kalcedonit në vitin 403 e gjykojnë veprën e Gjonit, kinse për fyerjet që ia bëri perandoreshës dhe perandorit dhe e përjashtojnë nga Konstantinopoja. Perandori kërkon që ai të largohej përtej Bosforit. Me këtë rast Gjoni e mban një pretk, i cili e ka këtë përmbajtje:

Kujt t`i frikësohem? Vdekjes? Krishti është jeta ime, vdekja është fitesë. A thua salvimit? E Zotit është toka dhe çdo gjë në të. A thua humbja e të mirave tokësore do të më frikësojë? Asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nga kjo botë nuk do të marrim me vete. Në qoftë se Krishti është me mua, kujt t`i frikësohem?

Të tretën ditë ai vetë dorëzohet dhe vërtetë e largojnë përtej Bosforit. Pas dy ditëve ndodhi një termet i madh dhe të drejtët thanë se ky është ndeshkim i Zotit që e larguam njeriun e Zotit. Me ketë rast perandori bëri amnesti dhe Gjoni u kthye prapë në Konstantinopojë. Njerëzit ia bënë një pritje madhështore. Ndërkaq kundërshtarët e tij, e me ta edhe njëfarë Teofili, ikën nga qyteti, sepse u frikësuan nga hakmarrja e populli.

Vështirë qetësohej situata në qytet. Gjithnjë kishte trazira. Pranë katedrales të pafetë kishin ndërtuar një trupore të perandoreshës dhe aty çdo ditë vallëzonin e pengonin. Gjoni për këtë u ankua tek prefekti i qytetit, ndërsa perandoresha prapë kërkoi që ai të largohet për fyerje që kinëse Gjoni i bëri asaj. Dhe Gjoni në festën e shën Gjonit martir ndër të tjera predikon: Prapë çartet Herodiada, prapë vallëzon dhe kërkon në pjatë kokën e Gjonit. Thirret një sinodë nga perandoresha dhe sipas nenit 12 të koncilit të Antiokisë i ndalohen të gjitha të drejtat për të kryer detyrën njeriu që është i përjashtuar. Ai mund të kthehet në detyrë vetëm atëherë kur thirret ndonjë mbledhje tjetër dhe e shfuqizon këtë ligj.

Të Shtunën e Madhe u pagëzuan rreth tremijë katekumenë, por Gjoni nuk mund të ishte pjesëmarrës, sepse ishte i ndaluar me armë. Gjoni duke e parë se mund të vijë deri tek gjakderdhja, në festën e Rrëshajëve tërhiqet prej vendit. Për një kohë qëndron në Armeni ku krijoi një simpati dhe shumë njerëz shkonin për t`i dëgjuar predikimet e tij, pastaj u tërhoq në pjesën lindore të Detit të zi. Këtu ndërron jetë me 14. IX. 407.

Më lart e cekëm se Gjoni ishte gojartë. Ai ar i vinte nga zemra, sepse jetën e vet e shkriu për Zotin dhe në shërbim të popullit.

Veprat
Egzegeza e predikimeve: Në këto predikime Gjoni provon të zbulojë së pari kuptimin historik të Shkrimit shenjt. Lirisht mund të themi se të rrallë janë egzegetët që kanë mundësinë aq bukur dhe tërësisht ta zhvillojnë dhe shtjellojnë Shkrimin shenjt sikurse Gjoni.

Predikimet dogmatike dhe polemikat:
De incomprehensibili Dei natura – Mbi natyrën e pakuptueshme të Zotit. Gjoni këtu ka dymbdhjetë predikime, pesë të përgatitura në Antioki, ndërsa shtatë në Konstantinopojë.

Katehezat e pagëzimit. Në Antioki Gjoni kishte detyrë të përgatiste katekumenët për marrjen e sakramenteve. Nga këto gjithësejt janë tetë fjalime. Disa nga ato u gjetën në vitin 1955 nga A. Venger në Atos. Këto fjalime nuk flasin për sakramentet, por për moralin e krishterë dhe jetën sipas hirit, të gjitha këto të bazuara në letrat e shën Palit.

Adversus Iudaeos orationes – Fjalimet kundër judenjve. Këtu kemi tetë fjalime kundër judenjve, të cilat i pati mbajtur në Antioki. Arsyeja e predikimeve ishte se shumë të krishterë merrnin pjesë në festat e judenjve, të cilët nuk e kanë pranuar Mesinë, prandaj Gjoni thoshte: Nuk keni të drejtë të festoni, të hani e të pini me ta, më në fund as të shkoni pas tyre.

Fjalime me tematikë morale
Contra Iudeos et theatra – Kundra judenjve dhe teatrit: Ishte ky një fjalim i njohur në Konstantinopojë. Gjoni ishte kundër lojërave të ndryshme. Të krishterët lënin meshët, ndodhte edhe ritet e së Premtes së Madhe, e shkonin në lojëra të tilla. Ngjante që edhe për Pashkë të lënin meshën për t`u zbavitur në lojëra që organizonin judenjtë.

Gjoni ka shkruar edhe shumë vepra të tjera më pak të njohura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu