Etërit e Kishës: Shen Bazili i Madh (330 – 380)

0

Shkruan Kreshnik Marku

Rrallë mund të takojmë familje si ishte ajo e Bazilit. Ishin tre vëllezër dhe të gjithë ishin ipeshkvij: Bazili, Pjetri dhe Gregori. Që të tretë janë shenjtër. Gjyshi i tyre kishte vdekur si martir në kohën e Dioklecianit. Gjyshja e tyre Makrina, po ashtu shenjtëreshë, kishte ndikim në nipat e vet. Edhe kjo kishte përjetuar shumë kryqe, duke u fshehur nëpër male për një kohë të gjatë nga ata që pareshtur i salvonin të krishterët. Nëna e këtyre tre shenjtërve, Emilia, po ashtu është shenjtëreshë.

Prindërit e tyre i kishin dhjetë fëmijë. Më i madhi ndër ta ishte Bazili i cili lindi rreth vitit 330. Vëllai i tij Pjetri ishte ipeshkëv i Sebastës, ndërsa motra e tij, e pagëzuar në emër të gjyshes Makrina, ishte rregulltare dhe është e shpallur shenjtëreshë. Kështu në këtë familje numërohen gjashtë shenjtër.

Bazili mësimet e para i mori nga babai i tij, i cili ishte orator i madh. Pastaj shkollimet e larta i vazhdoi në Cezare, Konstantinopojë dhe Athinë. Kur kthehet nga studimet, nën ndikimin e motrës, tërë pasurinë ua ndan të varfërve. Pagëzohet në vitin 356 dhe tërhiqet në vëtmi.

Në Athinë Bazili përsoset në filozofi dhe retorikë. Kryeqyteti grek ishte qendra më e njohur botërore e retorikës. Aty filozofia kishte katër katedra dhe secila ishte më e fortë se tjetra. Këtu Bazili më së tepërmi shoqërohet me Gregorin e Naziancit. Për këto kohëra të kaluara së bashku me shën Bazilin, shën Gregori thotë se “ne kemi njohur vetëm dy rrugë: njëra për shkollë e tjetra për kishë”. Kur kthehet në vendlindje, befasohet për ndërrime të shumta që ishin bërë. Gjyshja dhe i ati i kishin vdekur. Ndërsa nëna me të bijen Makrinen dhe të birin Pjetrin ishin tërhequr në një vend tjetër. Pas pak kohe Bazili e pranon ftesën që të jetë ligjerues në vënd të babait të vet në Cezare.

Bazili kishte aftësi të madhe dhe njerëzit e nderonin. Pikërisht kjo e bëri që të tërhiqet në vetmi. Ai këtë e bëri atëherë kur arianizmi bënte çrregullime të mëdha në popull, sepse sikurse kemi thënë më parë kishte ndikim në popull. Ndoshta na duket e pa kuptimt në rastin më të vështirë që përjetonte Kisha, njerëzit siç ishte Bazili, të tërhiqen. Por vetmitarët bënin punë të madhe, sepse me uratë dhe pendesë jepnin ndihmën më të madhen që mund të jepet në pikëpamje shpirtërore.

Qyteti ishte i mjeruar, kishte të salvuar, të mërguar, njerëzit disi ishin si të humbur…

Bazili në vitin 359 kthehet në Kapadoki dhe bashkohet me nënën dhe motrën e vet në një kuvend.

Nga ky vend i shkruan shokut të vet Gregorit se është stabilizuar dhe nga këtu dëshiron t`i kryejë udhëtimet e veta. I vjen keq që shpresa se do të jetonin dhe vepronin së bashku, kishte mbetur e pa realizuar. Pesë vite shkëmbyen letra mes veti. Letrat e tyre mbeten rregulla të rregulltarisë në Lindje. Duke e parë jetën dhe veprimtarinë e Bazilit, Euzebi e thërret në Cezare dhe për pesë vite është dora e djathtë e tij. Më vonë e shuguron për meshtar dhe pastaj për ipeshkëv. Armiqtë e tij e përqeshnin dhe kundërshtonin pse në këtë gjendje e shuguron, kur vërtet ai ishte dobësuar dhe ishte shëndetlig. Atëherë ipeshkvi pyet: A ju nevojitet juve ipeshkvi atlet, apo mësues dhe mbrojtës i fesë? Bazili merr vendin e selisë ipeshkvore në vitin 370.

Si ipeshkëv bënte reforma të mëdha në Kishë. E shuguroi për ipeshkëv Gregorin e Nazijancit dhe vëllanë e vet Gregorin e Nisës, që të kujdesen me një detyrë të posaçme për edukimin e klerit. Themelon shumë shtëpi për pleq dhe të sëmurë. Kishte kujdes të posaçëm për skamnorë dhe udhëtarë. Kështu një pjesë e Cezaresë merr emrin Basiliada. Në të njejtën kohë kishte problem me paganë, të cilët i krijonin probleme Kishës. Në Cezare vendoset edhe perandori, vetëm e vetëm që ta frikësojë Bazilin, por ky nuk trembej prej tij. Ndodhi që tri herë t`ia ndalojë kungimin, sepse ishte përkrahës i arianizmit. Ky perandor tri herë tentoi ta largojë nga selia ipeshkvore Bazilin, por thonë sesi të tri herët mrekkullisht iu thye penda, para se ta nënshkruante urdhëresën. Këtë e rrëfen një historian me emrin Teodot. Për t`u mbrojtur sa më mirë nga arianizmi, Bazili bën koalicion me të gjithë ipeshkvijtë që i qëndronin besnikë marrëveshjës së Nicesë. Ndihmë të madhe kishte edhe nga Atanasi prej Perëndimit. Bazili arrin që ta dobësojë dukshëm arianizmin, por jo edhe ta shkatërrojë në tërësi, sepse ai vdesë në kohën më të mirën, në moshën pesëdhjetë vjeçare.

Bazili u quajt dhe mbeti njeri i madh, sepse ishte intelektual, i shenjtë dhe i pa lodhshëm në veprimtarinë baritore. Ai thoshte: Meritat nuk janë të miat, por të Zotit, ndërsa pësimet janë për arsye të mëkatëve të mia.

Veprat dogmatike
Adversus Eunomium – Kundër Eunomit. Eunomi ishte ipeshkëv dhe shtyllë e arianizmit. Ai kishte shkruar një apologji në të cilën ndër të tjera thekson se Krishti është krijesë e Atit, i ndryshëm (“anômois”) nga Ati, sepse është i lindur, ndërsa qenia e Zotit përbëhët nga “to agenneton einai” (esenca e palindur). Pohonte se Ati është i gjithëpushtetshëm, i vetmi i pakrijuar, ndërsa Biri, pasi është i lindur, është i ndryshëm nga Ati, është më i vogël, sepse nuk është “ab aeterno” (nga amshimi) si Ati. Këtë mësim e mohon në tërësi Bazili në librin e parë. Në librin e dytë Bazili flet mbi ngjajshmërinë e Atit dhe Birit, ndërsa në librin e tretë mbi hyjninë e Shpirtit Shenjt.

De Spiritu Sancto (Shpirti Shenjt). Këtu Bazili mbron fenë e drejtë të doksologjisë Gloria Patri per Filium in Spirito Sancto – Lavdi Atit nëpër Birin në Shpirtin Shenjt duke ju përmbajt kësaj lavdie sepse përmban të vërtetën e Trinisë Shenjte. Bazili thotë se Shpirtit Shenjt i takon lavdia sikurse Atit dhe Birit. Nuk e perdor fjalën Zot për Shpirtin Shenjt, me qëllim që t`i kthejë edhe macedonijanet në fenë e vërtetë në krye me shokun e vet Eustatin, por për fat të keq nuk ia arriti këtij qëllimi.

Predikimet dhe fjalimet
In Hexaemeron – Mbi gjashtë ditët (e krijimit). Këto janë predikime karizmatike. Ishin shumë të çmuara në atë kohë. Shën Gregori thoshte: Sa herë e marr këtë vepër në dorë, e ndiej vehtën më afër Zotit dhe më duket se para vetes e kam veprën e krijimit.

Sermones (Fjalimet). Bazili këtu flet për pendesën, lutjen, mendjelehtësinë, pasurinë, urrejtjen etj. Ai kritikon rrept pasanikët të cilët mbledhin pasuri, e cila ngadale ua shkatërron shpirtin e tyre, dhe në anën tjetër dëmton të varfërit edhe më tepër.

Veprat asketike
Ishin tetëdhjetë rregullore për jetën e krishterë. Kjo vepër nuk është vetëm për vetmitarë, por për të gjithë të krishterët. Pastaj vijnë rregulloret e mëdha për jetën vetmitare. Në rregulloret të cilat quhen të vogla janë gjithësejt 313. Këto quhen edhe casus conscientiae (çështje të ndërgjegjes). Janë përgjigje të shkurtëra në pyetje konkrete, të cilat i bëjnë vetmitarët. Të dy rregulloret, që quhen Asceticon, janë të formuara si pyetje-përgjigje.

Ka edhe libra tjerë, të cilët bëjnë fjalë për mësimin e të rinjëve dhe të gjithë njerëzve. Shën Bazili udhëzonë që t`i ruajnë vlerat fetare dhe që të ruhen nga paganizmi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu