Etërit e Kishës: Shën Augustini (354 – 430)

0
Shkruan Kreshnik Marku

Tagasta ishte qytet në udhëkryqin e rrugëve ushtarake. Qyteti për kulturë dhe pasuri që kishte duhej falënderuar ushtarëve tregëtarë, të cilët shpenzonin shumë të holla nëpër tregje, bazene, cirkuse, teatër dhe fatëkeqësisht edhe në shtëpi publike. Qyteti bënte një jetë vërtet të shfrenuar morale! Në këto rrethana të jetës e sheh dritën e diellit shën Augustini me 13. 12. 354. Tagasta ishte vend në Algjerinë e sotme, në kufi me Tunizinë, qyteti i sotshëm Numidia . Babai i tij quhej Patrici, pagan, dhe nëna Monika, një e krishterë shumë e dëvotshme. Babai i vdes në kohën kur Augustini kishte vetëm shtatëmbëdhjetë vite. U shkollua në vendlindje, ndërsa në Kartagë mëson retorikën dhe letërsinë. Për vete thoshte se më tepër mëson nga frika. Por sot e kësaj dite nuk dihet çfarë ka qenë ajo frikë, kur dihej se merrte pjesë në lojëra të ndryshme në teatro dhe cirkuse të shumta të asaj kohe.

Augustini për kah natyra ishte shumë i afërt me njerëz dhe shumë i shoqëruar, por për fat të zi ai u zhyt në një shoqëri moralisht të shkatërruar dhe pa kurrfarë vlerash shpirtërore.

Kështu Augustini duke i arsyetuar mëkatet e veta thoshte: tantus puer et tantus peccator.

Pasi kryen shkollimin, Augustini i nënshtrohet thirrjes për mësimdhënës, së pari në Tagastë, pastaj në Kartagë. Posaçerisht i çmonte veprën e Ciceronit Hortensius, e cila e nxiti që të studiojë edhe më tutje, kësaj radhe filozofinë. Në vitin 374 i bashkohet sektës së maniheistëve. Pjesëtar i tyre ishte nëntë vite me radhë. Ndërkaq nëna e tij Monika, mbeti gjithnjë fetare e fortë, që duke shpresuar në Zotin lutej shumë dhe shpeshherë edhe me lot për kthimin e birit e vet. Ajo e shihte se biri i saj ishte në rrugë të gabuar. Monika gjente përkrahje edhe te ipeshkvi i vendit, i cili e kuptonte dhëmbjen dhe brengosjen e saj, por ai e ngushëllonte duke i thënë: Fëmija i këtyre lotëve të shumtë nuk mund të humbë.

Në vitin 383 Augustin udhëton në Romë dhe nga Roma në Milano. Këtu me ndihmën e prefektit Simah merr vendin për të ligjeruar retorikën. Tani Augustini ishte tridhjetë vjeçar. Në këtë rrugë e përcollën nëna e tij dhe disa shokë. Nuk dihet cilët shokë: ata të këqijtë apo të mirët.

Më në fund Augustini e gjeti shokun e jetës. Ndoshta është më mirë dhe më drejtë të thuhet se lutjet me lot për faqe të nënës së tij arriten tek Zoti. Zoti, duke i parë vuajtjet që ia shkaktonte djali saj i dhënë pas vesesh, ndërhyn në jetën e Augusinit. Tani pra vjen në shprehje mëshira, hiri dhe mirësia e Zotit. Shoku më i ngusht i jetës i bëhët Ambrozi me të cilin takohet në Milano. Shën Ambrozi për Augustinin nuk mbetet vetëm shok, por edhe vëlla, mik dhe dashamir, i cili do t`ia tregojë rrugën deri te Krishti.

Augustini shpesh shkonte në katedralen e famshme të Milanos për t`i dëgjuar predikimet e Ambrozit. Dhe kur njihet dhe shoqërohet me Ambrozin, fillon ta lexojë Shkrimin shenjt, posaçerisht letrat e shën Palit dhe shkrimet neoplatonike. Filloi të largohej nga sekta e manihenjve, sepse në krishterim shkaqet e së keqës i sheh ndryshe nga ato që i mësonte maniheizmi.

Leximet e shën Palit zgjojnë interesim të madh tek Augustini. Dhe kështu fillon të mendojë për vete. Njerëzit me shembuj konkretë i tregonin Augustinit për jetën e krishterë, mbi kthimin kah Zoti, mbi jetën e vetmitarëve etj.

Në Augustinin zgjohen ndjenjat fetare dhe kështu fillon një luftë e ashpër në shpirtin e tij e cila rritej nga dita në ditë. Ai vetvetes ia bënte këtë pyetje: Pse ta shtyej kthimin kah Zoti – Si hi et hae, cur non tu, Augustine? (Në qoftë se mundën këta e këto, pse jo ti, Augustin?) Fillon të qajë përmallshëm për ditët e shkuara dhe të gabuara, për lëshimet e shumta, për dobësitë e veta dhe mëkatet. Në këtë pikëllim shpirtëror dëgjon një zë fëmije në brendinë e vet duke i thënë: Tolle lege, tolle lege! (Merr, lexo! Merr, lexo!) Me këtë rast Augustini merr në dorë letrat e shën Palit dhe gjën tekstin në të cilin shkruan: Të ecim në nderë porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë, por veshuni në Jezu Krishtin Zot, e në kujdes për trup, mos i kënaqni prirjet e ulta (Rom 13, 13-14). Kjo ishte pjesa e Shkrimit shenjt, e cila bëri që Augustini të fillojë një nismë të mbarë të jetës së vet.

Në vitin 386 kur Augustini i mbushi 32 vite, tërhiqet nga bota në vetmi, që të jetë vetëm ai dhe Zoti, që të mund të rrëfehet mirë dhe ta kuptojë fajësinë që kishte bërë, për të marrë forcë që të pasurohet me hirin e Zotit. Augustini me të madhe përgatitej për ditëlindjen e vet shpirtërore, për Kishë dhe fe. Dhe saktësisht një vit më vonë, pas një përgatitje të mirë, në vitin 387 natën e Pashkëve pagëzohet nga vetë shën Ambrozi. Zemra e Augustinit më në fund u qetësua në Zotin, sepse kjo zemër shumë e kërkoi Atë dhe dita e pagëzimit ishte dita më e lumtura në jetën e tij.

Më 387 Augustini kthehet prapë në Afrikë, ku ishte vendi i tij. Por nuk u kthye veprave të mëparshme që i kishte bërë. Tani Augustini ndryshe e shikon Tagastën. Ai tani turpërohet, jo vetëm për veprat e ndyta që edhe vetë i kishte bërë, por edhe për jetën e pamoralshme të bashkëqytetarëve të vet. Augustini tani jeton si asket i vërtetë, jo vetëm për vete, por edhe për mëkatet e tjerëve, posaçerisht për mëkatet e bashkëqytetarëve dhe shokëve të tij të dikurshëm.

Duke u kthyer në Afrikë, i vdesë nëna, por e lumtur – sepse tani djali i saj jeton në hirin e Zotit.

Më 395 ipeshkvi i Hiponit, Valeri, duke e parë përshpirtërinë dhe jetën e tij të mirë, sikurse edhe zellin për shpirtra, e shuguron për meshtar, e pak më vonë edhe për ipeshkëv, duke e emëruar për ndihmës të vetin. Një vit më vonë Valeri vdes dhe Augustini e zën vendin e tij.

Kjo ishte një biografi e shkurtër e shën Augustinit. Lirisht mund të themi se Augustini ishte njëri ndër etërit më të mëdhenj të Kishës. Ishte gjeni i vërtetë. Me lehtësi zgjidhte pyetjet e rënda filozofike, dogmatike dhe egzegetike. Teologjia e Augustinit bart karakteristikat e mënyrës që vetëm ai mundi t`i bëjë aq mirë. Kjo teologji nuk është vetëm e mëndjes, por edhe e zemrës.

Mbi fsheftësitë e fesë flet shkurt dhe qart. Flet edhe për jetën: mëkatin, hirin dhe shëlbimin. Duke e krahasuar talentin e tij, me të ndërlidhet edhe shpirti i talentuar, që rezulton me shenjtëri dhe përsosmëri. Shpirti i tij dikur i zhytur në mëkate dhe i uritur për hirin dhe vlera gjen në Zotin e vet paqen dhe ushqimin.
Në luftën e madhe që e filloi kundër epsheve të veta, jo vetëm se trumfoi, por tash e tutje ishte aq i fortë shpirtërisht, sa që asgjë nuk mund ta ndante nga rruga e shenjtërisë dhe përsosmërisë. Pasiqë vetë ishte mëkatër i madh, i kupton dobësitë e njeriut, andaj më së miri do t`i kuptojë njerëzit mëkatarë, të cilët nuk do t`i gjykojë apo refuzojë, por sipas shembullilt të Mësuesit të vet që tani i shërbente me aq zell e dashuri, për të gjithë mëkataret kishte metoda të mira dhe efikase me të cilat u ndihmonte të kthehen.

Augustini në pikëpamjen e intelegjencës ishte dhe mbeti metafizik, psikolog, teolog, moralist dhe historian. Augustini ishte një legjendë e vërtetë. Në rastin e tij realizohen fjalët e Krishtit: Për Zotin s`ka gjë të pamundshme! Augustini nga një mëkatar i madh, me ndërmjetësinë e lutjeve të pa reshtura të nënës së vet, shën Monikës, arriti të bëhët një ndër shenjtërit më të mdhenj të Kishës sonë.

Augustini vdes më 28 gusht të vitit 430 në moshën 76 vjeçare pak para se të fillonte Koncili i Efezit në të cilin ishte i ftuar. Trupi i tij pushon në Pavi në kishën e shën Pjetrit. Augustini 36 vite ishte shembull i grigjës që Zoti ia besoi dhe me predikime, shkrime dhe shembull të mirë mësoi për fenë e vërtetë, duke iu kundershtuar mësimeve të gabuara të asaj kohe dhe sekteve të ndryshme.

Veprat

Asnjëri prej etërve të Kishës nuk ka shkruar aq shumë vepra sa shën Augustini. Prandaj edhe unë i kam kushtuar më tepër vend këtij njeriu të madh rreth jetës dhe veprimtarisë së tij.

Veprat autobiografike

Confessiones – Rrëfimet. Në këtë vepër Augustini pranon gabimet morale në rininë e vet, flet edhe për kthimin dhe rrugën e tij deri tek shugurimi për ipeshkëv. Kjo është një vepër madhështore, në të cilën Augustini mundohet të reflektojë fsheftësitë më të thella të shpirtit dhe atë me një qëllim të vetëm: për ta lavdëruar mëshirën e Zotit.. Libri ka rëndësi të veçantë për të gjithë njerëzit. Ai, kemi thënë edhe më parë, ishte mëkatar i madh, por tani turpërohet për ato gjëra. Edhe pse ipeshkëv, nuk heziton t`i përshkruajë momentet e jetës nga rinia e deri në vdekje, duke u mbështetur në mëshirën, hirin dhe dashurinë atërore të Zotit. Kuptim tjetër nuk ka në këtë botë përveç Zotit Atë dhe mishërimit të Birit të tij Jezu Krishtit, në bashkim me Shpirtin Shenjt, ndër të tjera thekson shën Auustini i madh. Kjo vepër jep mundësi të udhëzojë njeriun në rrugën e drejtë, pavarësisht cilës fe i takon. Po ashtu bën që njeriu të takohet me të vërtetën, me jetën dhe dashurinë.

Veprat filozofike
Augustini ishte nderues i Platonit, të cilin e shikonte nën prizmën e krishterimit. Nga ai merr njohurinë e filozofisë, se më e larta urti është Zoti. Pastaj merr metodën e shkallëzimit, në të cilën shpirti ngritet në këtë vetëdije. Po ashtu edhe njohjen e Zotit si parim i përgjithshëm i së vërtetës dhe i mirësisë, pastaj mendimin se bota e krijuar në qeniën e vet është e mirë, dhe ashtu të quajturat ideae exemplares në Zotin.

a) Contra academicos – Kundër akademikëve, në tri vëllime. Këto janë vëllimet e para pas kthimit të plotë të tij në fenë e krishterë. Augustini në këto vëllime hedh poshtë skepticizmin e akademikëve. Thotë se fati nuk varët nga kërkimi i së vërtetës, por nga njohja dhe posedimin i saj (Vëllimi i parë). Shpirti i njeriut duhet të jetë i përmalluar për siguri e jo të jetë i kënaqur me gjasë (Vëllimi II dhe III).

b) De vita beata – Mbi jetën e lume. Me rastin e 33 vjetorit të lindjës Augustini argumenton se fati i vërtetë qëndron në njohjen e Zotit. Ka edhe vepra tjera filozofike që nuk janë edhe aq të rëndësishme.

Veprat apologetike
De vera religione – Religjioni i vërtetë. Augustini argumenton se feja e vërtetë është katolicizmi. Këtë vepër e shkroi para se të shugurohej për meshtar. Ai thoshte: Të jesh në fenë e vërtetë, do të thotë të adhurosh një Zot të vetëm e të vërtetë në Trininë Shenjte.

De Civitate Dei – Mbi shtetin e Zotit. Arsyeja që Augustini e shkruan këtë vepër është pushtimi i Romës nga Alariku mbret. Paganët për këtë ngjarje i akuzonin të krishterët. Ata thonin sesi zotat e tyre paganë e kishin mbrojtur qytetin dhe ai kurrë nuk ishte pushtuar. Tani ata pyeteshin: Ku është feja e tyre, ku është Zoti i tyre? Zoti i tyre nuk mundi ta ndalojë një katastrofë që tani e përjetoi Roma. Për më tepër zotat paganë e ruajten dhe e ngritën Romën në nivelin më të lartë. Kështu thonin të ikurit nga Roma. Këto fjalë i kishte dëgjuar edhe Augustini. Marcelini e luti shën Augustinin që të përgjigjej në këto fyerje që ata ia bënin fesë dhe vetë Zotit.

Augustini në këtë vepër punoi pesëmbëdhjetë vite (prej vitit 411 deri në vitin 426). Si burim përdori veprat e Ciceronit, Antiquitates të Varonit dhe Kronikën e Euzebit. Vepra ka trembëdhjetë vëllime. Në këtë vepër tregohet veprimi i Zotit në historinë e njerëzimit, ashtu sikurse në Rrëfime tregohet veprimtaria e Zotit në individ. Dhjetë vëllimet e para janë apologji kundër paganëve, duke e argumentuar se paganizmi nuk sjell asgjë për lumturinë njerëzore, as këtu në tokë, as në amshim. Ndërsa në tri vëllimet tjera Augustini zhvillon mendimet e veta mbi dy qytetet (shtetet) – civitates. Qyteti (shteti) i mirë është aq bukur i paraqitur në fenë e vërtetë (tek hebrenjtë dhe tek të krishtërët), shteti i keq është paraqitur gabimisht tek paganet. Augustini këtë e shikon në krijimin e tyre, zhvillimin dhe mbarimin.

Civitas Dei (shteti i Zotit) është krishterimi, që përfshinë të gjithë engjëjt dhe njerëzit e Zotit dhe Civitates terrena (qyteti-shteti tokësor) zanafillen e ka në mëkatin e engjëjve.

Sipas prirjes së dashurisë njerëzit i takojnë njërit apo tjetrit shtet: Fecerunt itaque civitates duas amores duo, terrarum scilicet amor sui usque ad contemptum Deo, coelestem vero amor Dei usque ad contemptum sui. – Dy dashuri themelojnë dy qytete, dashuria ndaj vetvetes deri tek mishërimi i Zotit, që lind qytetin tokësor, dashuria ndaj Zotit deri tek nënshtrimi i vetvetes, që lind qytetin qiellor (De Civ. Dei 14, 28). Në mes këtyre shteteve zhvillohet lufta, e cila nuk ndalet askurrë dhe prania e Zotit udhëheq atë pjesë të njerëzimit, e cila i takon perandorisë hyjnore deri tek ngadhënjimi përfundimtar në amshim. Në këtë vepër mund të shihet qart se Augustini ishte teolog, filozof, psikolog dhe politikan.

Veprat dogmatike
a) De fide et simbola – Mbi fenë dhe simbole. Autori prezenton disa koncile të Kishës dhe haptazi flet mbi fenë e krishterë, shtjellon simbolet e fesë (Besojmën). Ai i sqaron simbolet e fesë. Ai sqaron edhe gjërat tjera fetare me të cilat mposht mësimet e heretikëve dhe heretikët në tërësi.

b) De Trinitate – Mbi Trininë. Kjo vepër ka pesëmbëdhjetë vëllime dhe është e vështirë për ta kuptuar. Augustini thotë se ka filluar ta shkruajë sa ishte ende i ri, ndërsa këtë vepër e kryen në pleqëri. Në fillimi flet mbi fshehtësinë e Trinisë Shenjte në bazë të Shkrimit shenjt dhe etërve të Kishës, pastaj këtë fshehtësi provon ta shtjellojë dhe ta shpjegojë me analogjinë e botës, në tërësi me shpirtin e njeriut.

Augustini ka edhe vepra tjera polemizuese, në të cilat kundërshton në veçanti maniheistët dhe pelagianët, të cilët krijonin huti në popull me mësimet e veta të gabuara.

Për çdo njeri shën Augustini është shembull, sidomos për mëkatarët. Për njerëzit mëkatarë ai si askush tjetër i inkurajon se nuk guxojnë të dorëzohen para së keqës dhe të keqit, por duke shpresuar në ndihmën e Zotit mund t`i mbledhin forcat për të shprehur lavdinë, mëshirën dhe dashurinë e Zotit, duke jetuar mirë së pari me Zotin, e pastaj edhe me vëllaun njeri.

Ja disa shprehje të Augustinit në veprat e tija:

Ti ke qenë me mua, por unë me Ty jo, mendon në Zotin.

Ata që marrin Krishtin në zemër, do të provojnë vdekjen e kalueshme, por do të jetojnë në amshim, sepse Krishti është jetë e pakalueshme.

Kuptimi është shpërblim i fesë. Mos tento që së pari të kuptosh për të besuar, por beso dhe do të kuptosh.

Për vete na ke krijuar, o Zot. Zemra ime është e shqetësuar, deri sa të qetësohet në Ty.

Ungjilli është goja e Jezu Krishtit. Ai mbretëron në qiell e flet në tokë.

Vetëm një pikë loti mbi mundimet e Shëlbuesit tonë ka vlerë më tepër se shtegtimi në Jerusalem dhe se një vit pëndesë vetëm me bukë dhe ujë.

Nuk mjafton që njeriu të jetojë mirë, sepse dëshiron të jetoj për amshim.
Shpirti ushqehet me atë që gëzon.

Duaj dhe vepro si të duash!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu