Erion Veliaj duket se ka vendosur të thyejë rekorde duke paguar më shumë se 10 fatura brenda një muaji për kompaninë Integrated Energy Bv të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.
Në llogaritë e kësaj kompanie, që menaxhon landfillin e Sharrës dhe ka marrë në koncension ndërtimin e inceneratorit, Erion Veliaj ka derdhur dhe 82 milionë lekë apo rreth 800 mijë euro të tjera në datën 26 tetor.
Konkretisht, në datën 26 tetor, Bashkia e Tiranës ka kryer dy transferta, me vlerë 78 milionë lekë dhe 3.7 milionë lekë në llogari të kompanisë Integrated Energy BV SPV.
Pagesat e radhës për inceneratorin vijnë vetëm pak javë pasi bashkia e Tiranës miratoi një fond prej 5.7 milionë eurosh për kompaninë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të cilët janë ende në kërkim nga SPAK për aferën qindra milionë euro të inceneratorëve në vend.
Vetëm gjatë muajit tetor, bashkia e Tiranës ka kryer mbi 10 pagesa për inceneratorin inekzistent të Tiranës, vlera e të cilave gjatë muajit tetor kalon shifrën e 3.5 milionë eurove në total.
Pagesat duket se po kryhen me nxitim për kompaninë e cila aktualisht është në administrim të Agjencisë së Pronave të Sekuestruara.
Pak ditë më parë, dy përfaqësuesit e kompanisë “Geogenix” Miliad Lopa dhe Alberto Presezzi, u shfaqën në zyrat e kësaj kompanie, ndërsa u denoncuan nga lideri i opozitës Sali Berisha, se po tentohet të sillet në Sharrë investimi 100 milionë euro nga burime të dyshimta financimi.