Kryedemokrati Sali Berisha nga Elbasani, ku bëri fushatë për kandidatin Luçiano Boçi, hodhi akuza të ashpër në drejtim të qeverisë.
Berisha tha se Edi Rama tallet me popullin dhe gënjen haptazi shqiptarët për rritje rrogash. Ai shtoi se emisarët e Ramës, Gjiknurët dhe Ballët shpërndajnë para dhe blejnë vota. Berisha bëri thirrje që të ndëshkohet Rama me votë dhe të kthehet atë që quajti “pranvera e demokracisë”.
“Miqtë e mi, ju ftoj ju të reflektojmë në këto 48 orë që kanë mbetur, të reflektojmë për atë që ne si komb kemi vuajtur më shumë në tërë ekzistencën tonë, për demokracinë.
Ne kemi kaluar shekuj e shekuj, e së fundmi dekada e dekada në regjime moniste, në pushtet të një njeri. Dhe e vërteta është se nga pushteti i një njeriu rrallë mund të gjendet një komb mbi dhe që ta ketë pësuar më shumë seç e kemi pësuar ne shqiptarët.
Sot Edi Rama ju jeni dëshmitar, u angazhua në një luftë të egër primitive kundër opozitës. Bëri gjithçka të rrëmbejë të gjitha pushtetet në duart e tij. Bën gjithçka të shkelmojë, dhunojë votën. Emisarët e tij, Gjiknurët, Ballat, etj., etj., shpërndajnë si hiena para dhe blejnë vota. Por kjo blerje votash konvertohet e tëra në pushtetin e një njeriu, i solli çdo familje shqiptare një fatkeqësi të madhe, i solli një varfëri në rritje, i solli një rrogë të ngrirë, një pension të ngrirë, largimin e fëmijëve nga vatrat e tyre.
Ndaj dhe koha është me këtë reflektim ti japim atë që meriton Edi Rama, këtë ngricë të stërzgjatur të pushtetit të një njeriu ta shndërrojmë me votën në pranverë të demokracisë.
Të votojmë për Luçiano Boçi, intelektualin e shquar, njeriun që don Elbasani, që ka hartuar së bashku me ju projektin e një Elbasani ndryshe, Elbasani tjetër, një Elbasani qytet dinjitoz për qytetarët e vet”, deklaroi Berisha.