Elisabeta Imeraj nuk e kupton pse ndërkombëtarët pranë ONM kërkuan largimin e saj

0

Ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, u shpreh mbrëmjen e sotme se apelimi i vendimit të KPK që e konfirmoi në detyrë nga ana e ONM, ka qenë një proces i stisur.

Ajo tha se i kishte kërkuar KPA pikërisht hetimin se kush i nxorri lajmet e rreme për të.

“Unë jam dakord që të mbajë përgjegjësi. Por që të bazohet mbi denoncime anonime, mbi një tymnajë të një apelimi të stisur dhe pastaj të shkarkohesh për 3 kriteret kjo është shumë për mua. Apelimi është bërë mbi këto denoncime. Unë edhe pas konfirmimit në KPK kam depozituar kallëzim penal në organe për të gjithë pretendimet, për përgjim, për shantazhin. Të sqarohej gjithçka”, u shpreh ajo.

Imeraj tha në një intervistë për “Report Tv” se nuk e ka kuptuar se përse ndërkombëtarët pranë ONM, kërkonin shkarkimin e saj, duke shtuar se nuk ka patur asnjë problem në asnjë proces me ta.

“Nuk e kam sot një përgjigje për këtë pyetje. Unë nuk kam pasur asnjë problematikë në asnjë lloj procesi me ndërkombëtarët. Unë kam pasur bashkëpunim si prokurore gjithmonë. Unë këtë nuk arrij ta kuptoj. E ripërsëris unë kam kërkuar hetim për akuzën se unë kam përgjuar vëzhguesin e ONM. Kam kërkuar sqarim deri në fund. Gjendesh në një situatë që nuk mund të mbrohesh dot. Je para një situata të çuditshme. Dhe vënia e individit në këtë lloj situate kur nuk mbrohet dot atëherë jemi në një proces të parregullt”, tha Imeraj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu