Shkruan Sonila Meço
Ka një përpjekje të vazhdueshme për ta relativizuar dosjen “McGonigal”, për ta konsideruar një “çështje të vdekur”, një xhirim gomash në boshllëk pa pasoja reale. Mundet, mundet të jetë edhe kësisoj, por kjo qasje është më shumë alibi politike sesa e vërtetë juridike dhe morale.
Së pari, kjo nuk është një histori private mes individësh, por një aferë që prek integritetin e shtetit shqiptar. Kur emri i një kryeministri lidhet me korrupsionin e një zyrtari të lartë të FBI-së, nuk flasim më për marrëdhënie personale, por për një çështje që rëndon mbi besueshmërinë ndërkombëtare të vendit. Diplomacia dhe partneritetet nuk mund të ndërtohen mbi marrëveshje të fshehta, por mbi transparencë dhe respekt të ligjit.
Së dyti, për një kryeministër, çdo marrëdhënie me zyrtarë të huaj ka peshë shtetërore, jo private. Përndryshe, linja mes interesit personal dhe interesit publik humbet dhe shteti bëhet peng i aferave individuale.
Së treti, të blesh një zyrtar të huaj nuk është “inteligjencë shtetërore” apo “lojë diplomacie”, por korrupsion i pastër. Një akt i tillë e bën palën blerëse të shantazhueshme dhe shtetin peng të interesave personale. Kjo është mënyra si vepron mafia, jo një shtet që synon integrimin europian.
Së katërti, Kodi Penal shqiptar e parashikon qartë dënimin për “korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të huaj publikë”. Ky është një detyrim ndërkombëtar i marrë nga Shqipëria përmes Konventës së Këshillit të Europës kundër Korrupsionit. Pra, blerja e një zyrtari të huaj është vepër penale në Shqipëri, njësoj si në vendet e tjera demokratike. Shqipëria si vend kandidat për në BE është e detyruar të zbatojë këtë standard: korrupsioni i zyrtarëve të huaj është i ndëshkueshëm në të njëjtën mënyrë si korrupsioni i zyrtarëve vendas.
Së pesti, pasojat politike janë ndoshta edhe më të rënda se penale. Edhe nëse drejtësia shqiptare zgjedh të mos veprojë, fakti që Shqipëria përmendet në një prej skandaleve më të mëdha të FBI-së, është një goditje e rëndë për imazhin e saj si vend partner. Në politikë, perceptimi ndikon po aq sa prova formale.
Së gjashti, alibia se “fajtor është ai që shitet, jo ai që blen” është e rrezikshme. Nuk ka të shitur pa blerës. Nëse do ta ndjekim këtë logjikë, çdo akt korrupsioni do të justifikohej duke e hedhur fajin tek pala tjetër. Një shtet serioz mban përgjegjësi për atë që bën vetë, jo vetëm për atë që i bëjnë të tjerët.
Pra kjo çështje është pasqyra ku Shqipëria s’do të shohë veten. Patjetër pasqyrat mund të thyhen, por copat e thyera do të tregojnë gjithmonë të njëjtin imazh.