Dokumenti zyrtar/ Kajmaku i Edi Ramës në kërkim ndërkombëtar dhe mashtrues milionash, i “shiti” gruas së tij “biznes” fallco 100 mln. lekë

0

Nga Boldnews.al

Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës i dalë nga zgjedhjet mono-partiake të 30 Qershorit është shndërruar në një personazh publik së fundmi, pas akuzave të Partisë Demokratike për të kaluarën e tij kriminale në Greqi.

Kajmaku, një biznesmen i zonës së Vorës, pranoi të merrte pjesë në një proces votimi pa kundërshtar. Në daljet e pakta publike, ai ka deklaruar se nuk ka pasur dhe nuk ka probleme me ligjin dhe se ka qenë gjithnjë i përqëndruar tek aktiviteti tregtar i familjes-një dyqan për shitje lulesh.

Biznesi
Agim Kajmaku është regjistruar si “person fizik” për shitje lulesh në vitin 2004. Hapja e biznesit ka ndodhur më shumë se një vit pas datës 14 janar 2003, të cilën e ka përmenduar Partia Demokratike në dyshimet e saj për përfshirjen e Kajmakut në aktivitet kriminal në Greqi.

Agim Kajmaku e ka mbajtur funksional “personin fizik” deri në vitin 2007, kur edhe ka vendosur ta ç’regjistrojë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Aktiviteti i luleve për familjen Kajmaku rikthehet në vitin 2008, kësaj radhe, në formën e “shoqërisë me përgjegjësi të kufizuara-shpk”.

Në këtë shoqëri, Agim Kajmaku është ortak me bashkëshorten e tij, Merita, ku ai kishte 49% të aksioneve dhe bashkë-pronarja 51%.

Me ndryshimin e formës së biznesit, çifti Kajmaku shtoi edhe objektin. Nga shitës të thjeshtë lulesh për zonën e Vorës, “Kajmaku shpk” zgjeroi aktivitetin me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj. Punim sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.

Shitja “100 mln” lekë
Dy ortakët bashkëshortë kanë drejtuar aktivitetin privat deri në 15 Korrik të këtij viti. Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli Agim Kajmakun (Jorgo Toto) fitues të votimeve të 30 Qershorit, ai vendosi të heqë dorë nga kuotat e tij në “Kajmaku shpk”.

Agim Kajmaku dhe bashkëshortja e tij, Merita, nënshkruan një kontratë noteriale shitjeje. Në bazë të këtij dokumenti formal, Agim Kajmaku i shet Merita Kajmakut 49% të aksioneve, për një vlerë prej 10.143.000 lekë të reja (mbi 100 milionë lekë të vjetra).

LEXO EDHE  Pse iu anulua vizita në Kanada Edi Ramës?

Kjo kontratë, megjithëse e nënshkruar para noterit, krijon idenë e një akti “formal” dhe “fiktiv” ndërmjet dy bashkëshortëve. Ky dyshim krijohet, jo vetëm për faktin se transaksioni financiar është kryer ndërmjet çiftit, por edhe për shkak se shitja ishte e panevojshme, në kuptim të ligjit “Për konfliktin e interesave”.

Në rastin e kryetarit të Bashkisë, ligji “Për konfliktin e interesave” parashikon tre ndalime kryesore; së pari, kryetari i Bashkisë nuk mund të jetë administrator i një kompanie private; së dyti, shoqëria ku ka aksione kryetari i bashkisë ose personat e tij të lidhur (përfshirë bashkëshortja), nuk mund të lidhin kontrata me institucionin (pra me Bashkinë); dhe, së treti, kryetari i Bashkisë nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive, aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare që ushtrojnë veprimtarinë brenda territorit të juridiksionit të tyre.

Në rastin e Agim Kajmakut, ai nuk ka qenë administrator i “Kajmaku” shpk. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ai rezulton se ka qenë vetëm aksioner, ndërsa administratore ka qenë bashkëshortja e tij, Merita.

Po ashtu, “Kajmaku” shpk, të paktën sipas ekstraktit të QKR-së, nuk ushtron aktivitetin në territorin e Bashkisë së Vorës. Shoqëria ka selinë në fshatin Budull, që përfshihet në juridiksionin e Durrësit. Pra, Agim Kajmaku nuk ka pasur ndalim për të qenë aksioner në një shoqëri me seli jashtë bashkisë së Vorës.

Ndërsa, sa për pjesëmarrjen në tenderat e Bashkisë së Vorës, “Kajmaku” shpk e ka të ndaluar, edhe nëse pronar/aksioner i saj është vetë kryebashkiaku ose personat e lidhur me të (përfshirë bashkëshorten).

Pra, transaksioni financiar ndërmjet Agim dhe Merita Kajmakut ka qenë e i tepërt, nëse këtë veprim e kanë ndërmarrë në bazë të ligjit ‘Për konfliktin e interesave”.

Me shumë mundësi, shitja e aksioneve të “Kajmaku” shpk ka qenë një veprim që kalonte 100 milionë lekë (të vjetra) nga xhepi i Agimit tek xhepi i bashkëshortes së tij, Merita. Gjithnjë, nëse kontrata nuk është “fiktive”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu