Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ndodhet sot në Beograd, duke kaluar sërish kufirin shtetëror, pavarësisht urdhrit të arrestit të lëshuar ndaj tij në mes të marsit. Dodik ka marrë pjesë në tubimin “Nuk e japim Serbinë”, organizuar për të mbështetur presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Në orët e para të mëngjesit, ai ishte i ftuar në televizionin pro-qeveritar Informer TV, ku u shfaq së bashku me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin. I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Dragan J. Vuçiqeviç, për numrin e pjesëmarrësve të pritur në tubim, Dodik deklaroi: “Është e vështirë për mua të vlerësoj, por po vijnë shumë njerëz nga RS-ja. Me shpenzimet e tyre. Besoj se do të jenë disa qindra mijëra vetë. Kjo nuk ka të bëjë me Vuçiqin, me politikën… kjo është çështje e popullit serb”.
Më vonë, gjatë një bashkëbisedimi me Vulinin, Dodik akuzoi Bosnjë e Hercegovinën për “synime të këqija ndaj serbëve”. Tubimi “Ne nuk heqim dorë nga Serbia”, i thirrur nga presidenti Vuçiç, ka nisur në mes të një klime të tensionuar politike në vend, me protesta të shumta studentore që po zhvillohen prej muajsh.
Në tubim ishin të pranishëm edhe kryeministri në largim, Millosh Vuçeviç, ministri i Brendshëm në largim, Ivica Daçiç, si dhe figura të tjera të larta të pushtetit në Serbi.