Ish-ministri, Pandeli Majko, shprehet i bindur se agresioni rus në Ukrainë nuk mund të ketë ndonjë ndikim në Kosovë sa i përket çështjes së sigurisë, pasi Kosova sigurohet nga Aleanca Veriatlantike (NATO).
Në një intervistë për emisionin “Përballje”, Majko ka thënë se baza më e madhe ushtarake amerikane gjendet në Kosovë.
“Në Kosovë nuk pres të ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Kosova sigurohet nga NATO, dhe baza më e madhe ushtarake amerikane është në Kosovë”, ka thënë Majko.
Ai duke analizuar situatën mes Rusisë dhe Ukrainës, ka theksuar se ky konflikt mes këtyre dy shteteve mund të jetë përcaktuese për balancat gjeopolitike, siç tha ai për 50 vitet e ardhshme.
“Mendoj që nuk janë zhvillime të natyrshme, nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt mes dy shteteve, në rastin përkatës midis Rusisë dhe Ukrainës, por është një lëvizje shumë më e madhe tektonike, e cila mund të përcaktojë balancat gjeopolitike për 50 vitet e ardhshme. Pa përdorur metaforë, jemi duke jetuar në momentet më të rëndësishme për të ardhmen evropiane, dhe duke qenë se kombi ynë natyrshëm i përket Evropës, mendoj që ne duhet të jemi shumë aktiv dhe të ndjekim këtë situatë që po ndodhë”, ka thënë mes të tjerash ai.