Kuvendi ka miratuar mbrëmë në mesnatë ndryshimin në ligjin për vettingun në Polici.
Ministri Çuçi deklaroi se do të jetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e kryesuar nga Ardi Veliu, struktura përgjegjëse për vlerësimin në radhët e Policisë, Gardës dhe vetë Agjencisë, ndërsa periudha e vlerësimit do të fillojë nga viti 2008 në vijim.
“ILDKPKI, si institucioni më i specializuar do të bëjë vlerësimin pasuror, duke rritur besueshmërinë e procesit. Është shtuar gjjithashtu detyrimi i subjektit për testin e narkotikëve, si dhe dhënia e mundësisë për strukturën ku bën pjesë subjekti. Shtimi i barrës së provës për subjektin, si element i rëndësishëm i çdo hetimi administrativ”, tha ministri Çuçi duke theksuar se me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve të propozuara, do të sigurojmë zhvillimin e një procesi vlerësimi më të drejtë dhe më real.
Çuçi, gjatë fjalës në Kuvend shpjegoi mënyrën e re të kryerjes së këtij procesi. Ai tha se ndryshimi i ligjit vjen edhe si reflektim i rekomandimeve të GRECO.
“Organizmi monitorues antikorrupsion dhe padiskutim më seriozi brenda Këshillit të Europës, në raundin e fundit të vlerësimit të integritetit në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, rekomandoi rishikimin e ligjit, citoj “me qëllim kufizimin e subjekteve duke u përqëndruar tek nivelet menaxheriale, në strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, të ecurisë në karrierë dhe rritjes në gradë”. Në fund të muajit, delegacioni shqiptar do të raportojë në Këshillin e Europës për përmbushjen e këtij rekomandimi”, tha ministri Çuçi.
Vetëm pak ditë më parë opozita ka sulmuar Ardi Veliun i cili ka në dorë vettingun e Policisë.
Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, deputeti demokrat Ervin Salianji e quajti Ardi Veliun një kriminel, duke thënë se do t’i dhurojë një abetare që ai të mësojë shkrim e këndim e më pas të bëjë vetingun e punonjësve të policisë.
Salianji në Komisionin e Sigurisë tha se Ardiu Veliu gënjeu kur ishte drejtor i Policisë së Shtetit pasi tha se Klodian Rasha kishte armë me vete.
“Shtyni mbledhjen, na sollët një kriminel me uniformë”, kështu është shprehur deputeti Salianji, duke iu referuar Veliut.
Ndër të tjera në fjalën e tij Salianji bëri thirrje që Veliu të dalë para drejtësisë.
“Ky është analfabet, më keq se ç’ka pasur letrën e dorëheqjes. Njerëz që nuk dinë as shkrim e as këndim. Na sillni drejtues që nuk dinë të shkruajnë. Kur ju vjen një drejtues me këto letra pranoni të rrini me kokën ulur. Për manipulime të ngjarjeve kriminale të ndodhura në këtë vend, duhet të nisë nga kjo. Kanë ndodhur manipulime të ngjarjeve kriminale në këtë vend. Nuk mund ta fshihni dot”, ka thënë më tej Salianji.