Dialogu i mërgimit

0
Nga Nexhat Haki
Dialogu i mërgimit
– Punë e mbarë, o moj grua!
– Mbarë paç, or udhëtar!
– A ka pranë ndonjë krua,
Se kjo buza më është tharë?
– Ja përtej, në ato zallishtët
Është kroj i fshatit tonë,
Më i miri që buron
Andej sipër nga lajthishtet.
– Po ti, e vetme korrke grurin
Ku e ke, kërcure burrin?
– Burri është në kurbet
Më la vetëm kaq vjet
– Mjerë ti, po pret me kot,
Ai qesh e lot me botë.
– Uh ,…tu thaftë ajo gojë,
Shko këtej, shejtan-përroj!
– S’të gënjej, më plaçin sytë,
Ai është vetë i dytë
Dhe ti vetëm mbjell e korr,
Më të lumtë ajo dorë:
Gruri hedhur si llastar,
Kokrra e tija porsi ar!
– Thuaj marshalla, qyqar,
Se pastaj ma merr më-sysh:
Syri i botës ziliqar
Edhe grurin ndanë më dyshë,
Por ti nisu, mor në krua,
Mos meë bjer në qafë mua!
– Pse me çon, moj në ato vende?
Lermë të pij në shtambën tënde!
– Ik të lutëm, më mos thuaj,
Se nuk bën një nuse e re
Ti jap ujë një të huaji,
Që as fshati nuk e njeh!
– Mos ki frikë, nuk sheh njeri,
Brënda grurit fshehur rri
Dhe aty në dorën tënde,
Në pëllëmbën kupë argjende,
Pika uji do rrufis,
Dhe në sdashtë dora jote
(Se ke turp nga fjala botë)
Derdhmë moj, pak ujë në arë:
Mu në gjurmë të këmbës sate,
A në gropë të asaj lopate,
Ku ti vetë ke hedhur farën!
– Udhëtar, mos humb toruan,
Kaq shpejt harrove kruan?
– Se kam humbur, o moj grua,
po ti eja tok me mua,
Se ky burri në kurbet
Tjetër shoqe gjeti vetë!
– Mos fol më, o goje -shtrig,
O çapkën, o zemër-lig,
Burrin tim e zuri malli
Dhe në s’vjen të rrimë tok,
Do taa qaj, o për së gjalli
me shami të zezë mbi kokë!
– Ah moj syskë, të paskam zgjedhur,
Qënke trime, s’me ke dredhur!
Si s’më njohe, ke harruar
Burrin tënd moj të mërguar?
– Si të të njoh, ah unë e mjera,
Me ty ndënja dy-tri netë
Dhe më dole shpejt nga dera,
Fluturove në kurbet:
Por akoma s’të besoj,
Po s’me the nishan e trupit,
Në s’je burri do t’mallkoj,
Do marr hak për njollë të turpit!
– Po, moj nuse-gjeraqinë,
Ke të fshehur në atë gjinë:
Një merxhane gjysmë hëne,
Një rubin kujtim prej nëne,
Dhe më tutje ndrin një yll
Afër gushës, në krahruar,
Herë ti hap e herë ti mbyll
Dy burimet-qumeshtuar,
Dhe në mes porsi gjerdani,
Si gjerdani i një gushe,
Vijëzon një gjarpërushe
Mbushur plot me lule fushe!
-Lule fushe, lule mali,
Eja burrë, më zu’malli…
Valvitet gruri i pjekur nga kraharori i burrit tim
Dhe sakaq veriu i malit i shtyn valët me nxitim:
Bën një rrugë gjer tek nusja, që po pret me kaq mall,
Gjer tek molla e shartuar, ku ka mbirë lulja e rrallë.
E si shkon me hap të rëndë dhe me duar kreh kallinjt,
Nga fytyrë e gruas dehet, nga pëlhura e florinjtë,
Qe ka endur rreze e fundit, dritë e djellit të përenduar,
Që tani kalon matanë, në atë botën e mërguar!
Psherëtin me mall të ndezur buzë e plasur në një ballë
Brënda grurit kokë ulur, që përkulet më me mall,
Nën shtratin e guguçës, që e rriti si llastari,
Nën hijen e dragojit, që e shkel si fije bari..!
Ububu, se çu hepua, kur pa lulja burrë e grua!
Ububu, çu qetësua dhe rrëkeja mu në krua!
Ububu, çu përmallua dhe bilbili, kur vështroi!
Ububu , çu turpërua edhe hëna, kur ndriçoi!
– Vemi në kasolle burrë,
se do flesh, je lodhur shumë!
– Dale grua, rrimë në grurë ,
Unë sonte s’paskam gjumë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu