Dështon sulmi kibernetik në Kosovë, hakerat nuk futen dot në sistemet e Qeverisë

0

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se dje dhe sot ndaj shërbimeve shtetërore të internetit në institucione, ka pasur sulme kibernetike nga jashtë vendit. Fatmirësisht, sulmi nuk ka arritur të depërtojë brenda infrastrukturës së rrejtit kompjuterik shtetëror.

“Dje dhe sot, ka pasur probleme të kohëpaskohëshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës. Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik. Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”, ka njoftuar Kryeziu.

Ai ka thënë se sulmi ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe se tani janë ndërmarrë veprimet konkrete për kthimin në funksion të shërbimeve të internetit.

“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrur veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Qeverisë është shprehur se për momentin gjendja është e stabilizuar.

“Shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme. Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre”, ka thënë Përparim Kryeziu.

Rajoni është vënë kohët e fundit nën sulme kibernetike të ngjashme, të cilat kanë synuar zbulimin dhe fshirjen nga serverat të dokumenteve të rëndësishme shtetërore. Së fundmi, hakerat kanë sulmuar dhe institucionet në Bosnje Hercegovinë.

Pak javë më parë një sulm i ngjashëm ndodhi dhe në Shqipëri dhe sistemet online të qeverisë u bllokuan për rreth një javë. Fatmirësisht, sipas Qeverisë, sulmi u ndalua në kohë dhe u morën masa të menjëhershme; sipas një deklarate të mëvonshme u bë me dije se në hetime ishte angazhuar dhe FBI-ja amerikane, pasi hakerat kishin synuar fshirjen e të dhënave.

Ditë pas këtij sulmi në Shqipëri, një sulm kibernetik hakerash u raportua dhe ne Malin e Zi. Edhe atje autoritetet raportuan dëme të konsiderueshme në të dhëna dhe servera.

Sulmet kibernetike, të përshkruara nga zyrtarët si të paprecedentë dhe që besohet nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) të jenë nisur nga hakerat rusë, goditën shërbimet e IT të qeverisë së Malit të Zi javën e fundit të gushtit. Edhe në Shqipëri, një ekip i FBI është thënë se po heton sulme, të cilat dyshohen nga Irani ose Rusia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu