Damian Gjiknuri, “muri” mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Damian Gjiknuri, nuk mund t’i justifikojë pasuritë para prokurorëve të SPAK-ut, prandaj edhe nuk mund të merrej në hetim pa dakordësinë e Bablokut, po shfryjnë ca fluska inatesh, anash tepsisë ku ngjyejnë “kafshatën” politikanë e pushtetarë, që vetëm këtë “rrufe” nuk e donin.

Por këtë herë ata gabohen.

“Lepuri” nuk ka dalë nga ferrat e fshatit tonë, por nga rrëpira e xhunglës ku rrëshqiti e grisi pantallonat shefi i FBI-së Charles McGonigal.

Po të ishte në dorë dhe vullnet të drejtësisë sonë, hajdutët e mëdhenj, i sheshojnë hallet si miq me prokurorët. Marrin të njëjtën akuzë, shpërdorim detyre, ndajnë zeqatin dhe betohen se nuk do të nxjerrin në media një gjysmë llafi që rëndon pozitën e kryehajdutit, dhe e kalojnë lumin duke përvjelur pantallonat deri në gju.

Milionat e dollarëve nuk janë problem këtej. Kalohen me batutën, janë ngrënë ca dardha pas shpinës së Bablokut dhe pasohen me dy-tre vjet burg.

Po Gjiknuri nuk është si të tjerët.

Është  “muri” mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal, njëri në burgun amerikan, e tjetri në bunkerin antiamerikan.

Babloku pra, u pre në besë e duket do të shkojë edhe ky para drejtësisë.

Senatorët republikanë, jo vetëm e ngritën lart stekën e hetimit, por sipas burimeve të sigurta, edhe për personin që ka korruptuar jo vetëm ish shefin e FBI-së, por shumë segmente të tjera të diplomacisë amerikane, do të ketë tunel pa dritë dhe pa dalje.

Damian Gjiknuri, presupozohet të jetë person i rëndësishëm në korrupsionin me naftën ruse, paratë e inceneratorëve dhe përfitimet nga biznesi i McGonigal këtu në Shqipëri.

Por ajo që duam t’u përcjellim lexuesve tanë, është fakti se Babloku, edhe pse kap nga “hunda” Aleksandër Sorosin, për t’u ulur hundën atyre që kanë nisur të lexojnë manualin nën mëngë të pritshmërive, nuk ka forcë të pengojë drejtësinë me model kroat.

Pra, hiqeni nga mëndja se Babloku e ka bërë gati Damian Tërmetin e votave dhe pasurive të vjedhura, për dy-tre vjet “ushtar”, si Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon.

Ky është lëmshi i brumit në fyt të Altin Dumanit.

Meqë jemi përballë këputjes së hallkës së hallit, se Damian Gjiknuri nuk ka përpara reformën zgjellore e mbrapa jo SPAK-un, por para e pas ka amerikanët, asnjë rreze Dielli nuk e ndriçon dot rrugën e mafies së fshatit tonë.

Prokurorët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas bashkëpunimit të Agron Nezës me shërbimet amerikane, nuk mund të jenë nën komandën e Dumanit dhe Bablokut, që po e tërheqin qerren e drejtësisë aty rrugëve që dikur ecte Adriatik Llalla.

Hallall hallakatja që shpërndan furtunë nëpër zgafella të SPAK-ut, po ç’tu bëjnë këta murmuritjeve që dalin nga muri i korrupsionit që po rrënohet.

Nuk është se u zgjua dhe po punon SPAK-u, por po vjen Cunami që  nuk e ndalojnë as Babloku, as Tony Blair, as dy Aleksandrat, i Sorosit dhe Serbisë.

Po bie Damian Gjiknuri, jo se e kishte radhën, por se është “muri” mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu