Sali Berisha tregoi dy drejtimet kryesore të aktivitetit opozitar të Partisë Demokratike teksa po i afrohemi zgjedhjeve lokale.
“Sot kam takim me kryetarët e degëve të Tiranës me të cilët 2 janë çështjet që diskutojmë: Primaret dhe protestën. Sindikatat kanë protestën e tyre, ne do të mbushim rrugët. Nuk mund të vazhdojmë kështu kur shohim shqiptarët çdo ditë që përzihen nga vendi i tyre”, tha kryedemokrati.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar një pjesë të mirë të fjalës së tij, Sali Berisha foli për protestën e pedagogëve, për të cilën tha se PD e mbështet, por nuk është ajo organizatorja.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur elitën kombëtare e cila është nën një sulm amoral të paimagjinueshëm. Lëvizja e tyre është sindikaliste dhe ne mbështesim çdo kauzë të drejtë. Po të ishte lëvizje e jona do e thonim me krenari. Ajo është lëvizje e sindikatave”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Grupit Parlamentar të drejtuar nga Luçiano Boçi, iu bashkua edhe Xhelal Mziu, i cili më herët ishte caktuar si drejtues politik në qarkun e Dibrës.
Ndërsa mungoi sërish në mbledhje, Tomor Alizoti, i cili prej disa javësh është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit. Ky i fundit mungoi për shkak të problemeve shëndetësore.