Nuk mund të mungonte qëndrimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për propozimin e kreut të kësaj force Lulzim Basha për djegien e mandateve.
Berisha si një nga njerëzit e PD që e ka shprehur i pari si nocion djegien e mandateve, është shprehur pro ndërsa ka deklaruar se duhen akte që çojnë në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe që shqiptarët të jenë të lirë.
“Duhet të ndërmarrim çdo akt që na çon tek rrëzimi i Ramës. Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’u kthejmë shqiptareve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë.
Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë”, ka deklaruar Berisha në mbledhjen e grupit të PD.