Benet Beci rrugës për në burg nuk ka moral të sulmojë lirinë krijuese

0

Shkruan Denisa Vata

Benet Beci, i vetëshpallur kritik arti, e mat talentin me metër partie dhe e shkarkon me firmë korrupsioni.


Jo skena, por dosjet hetimore janë vendi ku Beci duhet të japë llogari dhe sa më shpejt, aq më mirë për artin.
Shkarkimi i aktorëve me kontribute konkrete në Teatrin “Migjeni”, nën justifikimin absurd “mungesë kontributi”, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë krijuese, ndaj meritokracisë dhe, mbi të gjitha, ndaj dinjitetit të artistit shqiptar.
Një aktor nuk matet me grafikun e roleve në një tabelë Excel. Ai matet me emocionin që lë pas në çdo rresht të skenës, me fjalën që e bën publiku të heshtë, me sakrificat që nuk i njeh askush, me rolet që mbart në trup dhe shpirt edhe kur rroga vonon, edhe kur dritat e sallës fiken nga harresa.
E kush ka të drejtë t’i thotë një aktori: “S’ke kontribut”?
Kush vendos se kur mbaron vlera e një artisti?
Teatri nuk është zyrë inventari.
Teatri është frymë, përkushtim, rrënjë.
Dhe për shumë prej këtyre aktorëve, është shtëpia e vetme që kanë pasur ndonjëherë.
Ndaj jo, nuk mund të pranojmë që vendimet për artin të merren nga njerëz që nuk e njohin, nuk e ndjejnë dhe nuk e kanë jetuar kurrë artin.
Nuk mund të pranojmë që talenti të gjykohet me metër administrativ.
Sepse nuk është aktori që po largohet nga skena.
Është dinjiteti ynë që po zbret nga piedestali.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu