Anija më e bukur në Botë

0

Shkruan Ndue Lazri

-Anija italiane “Amerigo Vespucci” mbaron xhiron e dytë rreth globit-
Sot anija italiane e shkollës militare të Genovas, u kthye në portin e këtij qyteti pas gati dy vjet në xhiro përreth globit tokësor, duke u ndalur në 35 portet më të rëndësishme të 32 vendeve në pesë kontinente dhe në 19 porte të Mesdheut, një ndër të cilët ishte edhe ai i Durrësit. Xhiron e parë e kishte bërë në vitet 2002-2003. Në xhiron e sapopërfunduar anija përshkoi 40 mijë milje ose 74 mijë kilometra, gati sa dy herë ekuatori.


Kjo anije, për bukurinë e elegancën e saj është konsideruar si anija më e bukur në botë. Thuhet që këtë cilësim ia kanë bërë vetë amerikanët në vitin 1962, kur anija italiane “Amerigo Vespucci” u takua në Detin Mesdhe me anijen aeroplanmbajtëse amerikane “USS Indipendence”. Në distancë të afërt, amerikanët bënë shenjë me drita dhe pyetën:
-Kush jeni?
-Jemi anija “Amerigo Vespucci” e Shkollës militare detare të Genovas në Itali,-qe përgjigja.
-Jeni anija më e bukur në botë,-qe vlerësimi dhe komplimenti amerikan.


Më ka qëlluar ta shikoj në portin e Triestes dhe është me të vërtetë një kryevepër artistike e dalë nga kantieret e anijeve.
Anija “Amerigo Vespucci” lindi në vitin 1931, si domosdoshmëri, pasi anija pararendëse e saj, me të njëjtin emër, ishte vjetëruar dhe i kishte mbaruar ditët e veta. Detyra e projektimit dhe e ndërtimit iu besua kantierit të Castellamarina di Stabia në Napoli dhe inxhinierit të anijeve Francesco Rotundi, i cili ishte puljez, nga Foggia.
Në fakt u ndërtuan dy anije binjake me të njëjtin projekt. Më e vogla, ajo që mbante emrin “Cristoforo Colombo” hyri në funksion më përpara, në vitin 1928. Ajo qëndroi në shërbimin e marinës militare italiane deri pas Luftës së Dytë Botërore. Pastaj iu dha Bashkimit Sovjektik, si një ndër dëmshpërblimet e luftës.


Kurse “Amerigo Vespucci” nisi aktivitetin e saj më 1931.Ajo është një anije me 26 vela, që kanë një sipërfaqe totale prej 2.800 metra katrore. Është e gjatë 101 metra dhe e gjerë 15.5 metra. Në ballë të saj është një skulpturë prej bronxi e udhëtarit të famshëm, emrin e të cilit mban. Ambientet e saj të brendshme janë ndërtuar në stilin e viteve ’30 dhe shquhen për elegancën e tyre. Ajo e vazhdoi aktivitetin si anije ku stërviteshin marinarët e shkollës së Genovas, si dhe aktivitete të tjera si turnetë detare nëpër porte të ndryshme të globit tokësor. Në këtë xhiron e fundit, ajo ka çuar nëpër botë exellencën e prodhimeve Made in Italy dhe bukuritë italiane, duke ndihmuar mbi 200 milionë persona nëpër botë për të gjetur prodhimet më të mira italiane. Mision i plotësuar me sukses, për të cilin i përgëzoi sot edhe Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella në fjalën e tij përshëndetëse.
Porti i Genovas ishte në festë të vërtetë. Priste bijtë e vet marinarë, që ishin larguar po nga ky port më 1 korrik 2023. Për të përshëndetur marinarët u përdor edhe parada e avionëve të quajtur “Frecce tricolore” që lëshojnë fasha tymi me ngjyrat e flamurit italian. Për nder të tyre u dha edhe një koncert i bukur, i drejtuar nga Antonella Clerici.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu