Amerika ngjan e habitur se pse nuk po flet Vjosa Osmani

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të shqetësuara dhe të zhgënjyera” me Qeverinë e Kosovës sa i përket çështjes së targave, por prominentja më e rëndësishme e partneritetit “të përhershëm” me këtë vend nuk po bëzan. Ku është presidentja?

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ishte mjaft e ashpër në të kaluarën ndaj ish liderit të saj në parti (LDK) Isa Mustafës. Por, duket se me Albin Kurtin (të cilin e ka joformalisht thjesht shef koalicioni) gjërat janë krejtësisht ndryshe.

Vjosa Osmani është presidente e Republikës së Kosovës dhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ajo ka qëndruar e heshtur përgjatë këtyre ditëve kur ndaj Kosovës partnerët më të mëdhenj të vendit u shprehën të “shqetësuara dhe të zhgënjyera” me Qeverinë e Kosovës në lidhje me zbatimin e vendimit për targa. Osmani paraprakisht kishte mbështetur vendimin e Qeverisë për vënien në zbatim të këtij vendimi, duke iu bashkuar narrativës së Ekzekutivit.

Por, ShBA-të megjithëse mbështetën dhe mbështesin të drejtën e zbatimit të këtij vendimi, kanë kërkuar më shumë kohë për ta vënë në zbatim një vendim të tillë.

Kërkesa për shtyrje të zbatimit të vendimit ishte madje “kërkesë personale” e Sekretarit Antony Blinken, sipas zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar.

Përveç Osmanit, të heshtur kanë qenë edhe bashkëkryetarët e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci.

Presidentja së fundi ka bërë një aktivitet të premten e javës së kaluar, më 28 tetor, kur mori pjesë në një ngjarje për të prekurit nga kanceri i gjirit.

Heshtje tjera?

Vjosa Osmani kishte qëndruar e heshtur edhe në raste të tjera të debateve të nxehta politike në vend.

Partnerët ndërkombëtarë kishin shprehur shqetësime në lidhje me veprime të caktuara të Qeverisë së Kosovës edhe më herët, por presidentja kishte qenë vazhdimisht e heshtur në raste të tilla.

Presidentja kishte mbetur e heshtur edhe me rastin e mos-ekzekutimit të pagave, që kishte bërë që t’i dilnin kundër Qeverisë edhe disa prej deputetëve të partisë në pushtet.

Osmani po ashtu ishte kritikuar në të kaluarën edhe për heshtjen e saj të gjatë në raport me komunitetin serb në Kosovë.

“E trishtë për t’u thënë por raporti mes znj. Osmani dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë është thuajse jo-ekzistent. Veçanërisht jo me komunitetin serb. Për dallim nga presidentja, Kurti bën dallimin mes Serbisë dhe Beogradit zyrtar në njërën anë, dhe serbëve të Kosovës në tjetrën. Znj. Osmani nuk pranon ekzistencën e serbëve në Kosovë. Znj. Osmani kurrë nuk iu ka adresuar serbëve të Kosovës, kurrë nuk ka bërë ndonjë zotim për ta, e as nuk i ka përmendur fare,” – i kishte deklaruar gazetës Nacionale analisti serb nga Kosova, Ognjen Gogiq.

“Ka edhe shqiptarë që çdo ditë e kalojnë urën, shqiptarë të Kosovës. Ka edhe serbë jashtë Mitrovicës. Në Graçanicë. A ka qenë presidentja atje? Pra, këtu nuk ka arsye. Atje nuk ka urë,” –kishte thënë ambasadori.

Po ashtu, kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Serbia ishte përfshirë në një retorikë të rrezikshme duke ngritur pretendime të rreme se dronë të caktuar po fluturonin nga territori i Kosovës. Kjo kishte bërë që të reagonte ministri Armend Mehaj, por jo edhe Komandantja Supreme Vjosa Osmani.

Duhet kujtuar se Vjosa Osmani është votuar si presidente e Kosovës më 4 prill 2021 dhe deri tash nuk ka shfaqur ndonjë mospajtim të caktuar me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti.

Duhet kujtuar se në Nenin 1 të Ligjit për Presidentin shkruhet si vijon: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës,”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu