Rritja e çmimit të naftës dhe gazit në Serbi ka bërë që qeveria të marrë masa. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi të martën në mbrëmje se ka vendosur të heq taksat dhe një pjesë të tarifave doganore për karburantet.
“Ne do të përballemi me vështirësi nëse BE vendos që të bllokojë importin e naftës nga Rusia. Do të përballemi sepse nuk kemi ku të marrim karburante për ekonominë. Institucionet tona janë duke kërkuar vende të tjera për të plotësuar nevojat e ekonomisë. Në kemi diskutuar sot. Një dokument i qeverisë është gati për t’u firmosur për të hequr tarifat doganore për disa produkte gjatë vitit 2022. Në këto produkte do të jetë dhe nafta dhe gazi. Qëllimi ynë është që në treg të mos mungojë asgjë”,- tha Vuçiç në një intervistë për median serbe.
Presidenti serb deklaroi se zhvillimet e 24 orëve të fundit në Rusi dhe tregjet globale tregojnë se jemi në krizën më të rëndë që pas vitit 1945.
Një tjetër vendim që ka marrë qeveria serbe është dhe ndalimi i eksportit të miellit të grurit, miellit të misrit, si dhe të vajit ushqimor. Ai tha se ky vendim do të hyjë në fuqi që nga dita e enjte.
Në Serbi ditën e sotme një litër naftë kushton 1.7 euro. Ndërkohë në Shqipëri, me vlerën 270 lekë që po arrin nafta, çmimi është 2.18 Euro.
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme deklaroi se nuk mund të ketë asnjë ulje taksash për karburantet edhe pse çmimi i një litre naftë ka arritur në 270 lekë. Ekspertë thonë se në një litër naftë, taksat që merr qeveria janë rreth 140 lekë.