Shkruan Ylli Pata
Përpara se “Shtëpia e Lirisë” të regjistrohej si një subjekt electoral për zgjedhjet e 6 marsit, të dekretuara me vrap nga Ilir Meta, “kolonelët” e Berishës bënë të ditur në media, se ata do të garonin si koalicion.
U tentua të krijohej përshtypja se kemi të bëjmë me një aleancë politike, që do të kishte brenda vetes “opozitën e bashkuar”. Në fillim u tentua nga disa krerë partish të vogla, fuqia e të cilëve pas 25 prillit ka rënë edhe më shumë nga shuarja e siglave edhe formalisht, që të propozonin kanidatë të përbashkët për zgjedhje lokale. Qëndrimi, duket ishte i nxitur nga Berisha e Meta, që kërkonin ta vendosnin Bashën në qoshe, me logjikën se ai është i vetmuari i madh.
E pas refuzimit të qartë të PD-së zyrtare që të bëjë diskutime apo negocime me njerëzit që shkatkuan 8 janarin në selinë qendrore, ndodhi skenari rezervë.
Ku Berisha me “Komisionin Themelues” i strehuan elektoralisht te LSI për të luftuar me Lulzim Bashën me 6 mars, apo për të krijuar një strukturë me vota, që ta ketë si mburojë pas vendimit të Gjykatës për t’i dhënë të drejtë Lulzim Bashës.
E përveç LSI-së së Monika Kryemadhit, si parti tjetër e “Shtëpisë së Lirisë” u regjistrua dhe PDK e Nard Ndokës, i cili pasi nuk u zgjodh deputet më 25 prill nisi luftën finale me Lulzim Bashën.
Deri më sot, asgjë nuk dihet për negociatat që çuan në këtë “aleancë” treshe elektorale, për të cilën Monika Kryemadhi ngre supet dhe thotë se nuk e ka takuar asnjëherë Berishën, ndërkohë që Ilir Meta ka pranuar se doktorin e ka pritur në një nga zyrat e Pallatit të Brigadave.
Nuk kemi pasur asnjë ceremoni takimi liderash në këtë koalicion, që qartësisht në publik perceptohet si tandem “Sali Berisha-Ilir Meta”. As firmosje të ndonjë pakti, shtrengim duars apo “foto familjare”.
Ndërkohë që këto ditë të para të fushatës për zgjedhjet e pjesshme, ku janë zhvilluar takimet prezantuese të kandidatëve për kryetarë në 6 bashkitë, nuk kemi parë asnjë prezencë aleati përveç Sali Berishës.
Duke nisur nga Shkodra, ku të dy aleatët e “Shtëpisë së Lirisë” kanë një prezencë të konsiderueshme; si LSI apo PDK-ja e Nard Ndokës, nuk kanë marrë pjesë në promovimin e kandidatit Bardh Spahia. Nuk dihet përse nuk mori pjesë Nard Ndoka, i cili Shkodrën e ka edhe terren të tijin electoral, ndërkohë që është i kuptueshëm abstenimi i kreut të LSI-së për Shkodrën, deputetit Agron Çela. i cili pak ditë më parë votoi kundër qëndrimit të “Shtëpisë së Lirisë” në seancën parlamentare për zgjatjen e trupave të vettingut apo ONM-së.
Ashtu ka ndodhur edhe në Dibër, ku kandidati i Berishës cilësoi si pikë të fortë mbiemrin “Kryemadhi”, njësoj si kreu i LSi-së. Por strukturat e partisë së kushërirës së kandidatit nuk shihejn gjëkundi. E njëjta gjë në Lushnjë, të cilën LSI e ka pasur “zonë të lirë” që nga 2013-a kur kontrollonin shumicën e drejtorive qëndrore në nivel bashkie. Kandidati i Berishës, ka pasur madje një të kaluar me LSI-në në vitin 2013 ku kaloi disa vota të djathta për partinë e Metës. Edhe në Vorë, kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” ka një lidhje të rëndësishme me LSI-në, por megjithatë nuk kemi parë askund prezencën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë fushatës, apo ditëve të para të fushatës.
Pse ndodh kjo? Tashmë dihet qartë se në bazë nuk ka pasur kurrë një “kimi” mes militantëve të PD-së dhe atyre të LSI-së, të cilët edhe pse në aleancë herë pas here kanë pasur përplasje e luftë të brendshme për territore e pushtet.
Në zgjedhjet e 25 prillit, përplasja qe aq e fortë sa PD arriti të marrë thuajse pjesën më të madhe të votave që i kishte ikur 4 vjet më parë e ta kthejë në shtëpi.
Ndërkaq, në shumë zona, si Shkodra e Dibra, por edhe Durrës e Vorë, një pjesë e madhe e elektoratit të LSI-së që votoi për të me 25 prill, janë më shumë afër të majtës, e në realitete lokale nuk votojnë për PD-në.
Në Shkodër për shembull ky fenomen është mjaft i qartë, edhe sikur të ketë një thirrje kombëtare për të votuar kandidatët e Berishës. Ndal Monika Kryemadhi, deklaroi se ne “I lemë të lirë votuesit tanë që të bëjnë çfarë të duan më 6 mars”. Sepse LSI i ka dhënë borxh doktorit vetëm siglën e asgjë tjetër, ndërkohë Ilir Meta po përgatitet që nëse do të ketë një rezultat të dobët, Berisha t’i kthejë nderin atij, duke i dhënë militantët e strukturat, për “partinë sovraniste” që kërkon të formojë me “popullin e 2 marsit”. Sepse siç e tha Kryemadhi: “Ilir Metës i rri ngushtë LSI-ja”