Donald Trump është presidenti i 45-të i SHBA-së, që do të thotë se në 236 vitet e ekzistencës së tij, ky vend është përballur me afera të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë. Dashnoret, fëmijët jashtëmartesor, evazioni fiskal, shpërdorimi i pushtetit presidencial, nepotizmi, gënjeshtra, të gjitha këto janë afera që tronditën pak a shumë themelet amerikane dhe vunë në provë qytetarët se sa janë të gatshëm të tolerojnë udhëheqësit e tyre. Megjithatë, në më shumë se dy shekuj, nuk ka ndodhur që presidenti i SHBA-së të investojë vazhdimisht për sabotimin e procesit paszgjedhor dhe tranzicionit paqësorit të pushtetit. Deri në vitin 2020 sigurisht, kur Donald Trump nuk pranoi të largohej nga Shtëpia e Bardhë, veçse me forcë. “Finalja e madhe” erdhi më 6 janar kur mbështetësit e Trump marshuan në ndërtesën e Kongresit në një përpjekje për të penguar ligjvënësit amerikanë që të pranonin rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat fitues u shpall demokrati Joe Biden.
Akuzat kundër Trump
Por Donald Trump ia doli mbanë. Pse? Sepse themeluesve të vitit 1776 nuk u kishte shkuar kurrë në mendje që dikush si ai mund të ulej ndonjëherë në Zyrën Ovale. Që populli mund të zgjidhte një kandidat që do të tregonte hapur simpati për një stil të tillë qeverisjeje. Kjo është pikërisht arsyeja pse gjyqësori federal amerikan këtë javë më në fund i shpalli luftë një prej teorive më të rrezikshme konspirative në historinë e demokracisë së saj. Hetuesi special Jack Smith, që tani ka në dorë fatin e Trump, paraqiti një aktakuzë të tretë kundër ish-presidentit, për rolin e tij në përhapjen e gënjeshtrave për mashtrime zgjedhore. Në 45 faqe, Smith përmbledh në emër të popullit amerikan pikat për të cilat ai akuzon Donald Trump: pengim i procedurës zyrtare të zgjedhjeve, mashtrim i popullit dhe një përpjekje për t’u hequr qytetarëve të drejtën e tyre për të votuar dhe për t’u zgjedhur. Rezultati i kësaj aktakuze, me siguri do të përcaktojë të ardhmen e demokracisë amerikane.
Prapaskenat
Smith ishte në gjendje të gjurmonte gjithçka që ndodhi në prapaskenë, që nga 3 nëntori 2020, kur u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, deri më 20 janar 2021, kur Joe Biden hyri në Shtëpinë e Bardhë. Hetimi zbuloi se pothuajse të gjithë u përpoqën të paralajmëronin Trump se rezultati i zgjedhjeve ishte i saktë. Nga Sekretari i atëhershëm i Drejtësisë William Barr, zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë, Zëvendëspresidentit Mike Pence, zyrtarëve të fushatës së Trump dhe disa guvernatorëve republikanë dhe anëtarëve të Kongresit e deri te hetuesit që Trump punësoi për të gjetur ndonjë detaj që vinte në dyshim vlefshmërinë e rezultateve të zgjedhjeve. Por as Trump dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, nuk e besuan kurrë personalisht tezën se zgjedhjet ishin vjedhur. “I akuzuari e dinte që pretendimet e tij ishin të rreme, por kjo nuk e pengoi atë që të vazhdonte t’i përhapte ato. E gjithë kjo krijoi një atmosferë kolektive shumë intensive të nxitur nga zemërimi, mosbesimi dhe urrejtja, e cila rezultoi në dhunë të paprecedentë në historinë e demokracisë sonë”, theksoi Smith.
Zgjedhjet në SHBA
Por cila ishte alternativa? Të rrinin duarkryq, të ngrinin supet, të pranonin me qetësi sulm pas sulmi ndaj shtetit ligjor dhe rendit kushtetues. Prokurori i Nju Jorkut, Alvin Bragg, ndoshta me të vërtetë nuk duhej ta bënte këtë. Megjithatë, trajtimi i paligjshëm i dokumenteve sekrete dhe përhapja e një gënjeshtre të madhe zgjedhore janë histori krejtësisht të ndryshme. Trump, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, ka bërë dëme të mëdha. Ai arriti të bindë çdo të tretën amerikan për gënjeshtrën e çuditshme, që do të thotë se pothuajse 30 për qind e votuesve humbën besimin e tyre në procesin zgjedhor. Pavarësisht kësaj, Trump është ende favoriti për të fituar nominimin e Partisë Republikane dhe sondazhet në nivel kombëtar parashikojnë një “garë të vdekur” me Joe Biden. Në 15 muajt e ardhshëm, gjyqësori amerikan dhe sistemi zgjedhor do të udhëheqin një garë se kush do të jetë i pari që do të vendosë fatin e Trump dhe rezultati i kësaj gare do të përcaktojë të ardhmen e demokracisë amerikane.