Historia e një kombi përmes simboleve

0

Shkruan Zef Ndreka

Dje, në zyrën e Drejtorit të Muzeut të Monumenteve të Kulturës në Lezhë, përveç librave të rrallë, shumë të rrallë e shumë të çmuar për figurën më përbashkuese të Kryeheroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të cilat do të shkruaj herë tjetër, mu dha mundësësi që në duar të mia të mbaja një përkrenare, por që realisht është një copë e historisë sonë kombëtare.

Kjo kopje që e shihni në foto, e realizuar me përmasa dhe detaje besnike ndaj origjinalit nga një koleksionist i shquar shqiptaro-amerikan, të krijon ndjesinë sikur je përballë vetë simbolit të epopesë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Vendosja e saj në zyrën e Drejtorit të Muzeut të Monumenteve dhe Bibliotekës së Lezhës nuk është rastësi. Lezha është qyteti ku u mblodh Besëlidhja dhe ku prehet Heroi ynë Kombëtar. Prandaj, kjo përkrenare merr një domethënie edhe më të thellë, sepse ajo lidh kujtesën historike me krenarinë e sotme dhe na kujton se identiteti ynë nuk mbahet gjallë vetëm në libra, por edhe në simbolet që i japin shpirt historisë sonë.
Kur e sheh nga afër, me qëndisjet, formën dhe përmasat e saj, e kupton se përse përkrenarja e Skënderbeut ka mbetur një nga shenjat më të fuqishme të qëndresës shqiptare. Ajo nuk përfaqëson vetëm një luftëtar, por vullnetin e një kombi për të mos u përkulur.
Përballë kësaj përkrenareje, edhe pse është një riprodhim i besueshëm i origjinalit, është e vështirë të mos ndjesh emocion. Ajo të kthen pas në kohë, në epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kur një popull i vogël mbrojti me dinjitet lirinë, identitetin dhe qytetërimin e vet.
Punuar me përpikëri dhe e ngjashme në çdo detaj me origjinalin, kjo përkrenare sjell pranë nesh një nga simbolet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Prania e saj në Lezhë, qytetin që ruan kujtimin dhe varrin e Heroit Kombëtar, ka një domethënie të veçantë. Ajo është jo vetëm një objekt për tu admiruar, por më tej, është një dëshmi që na kujton se historia e një kombi jeton përmes simboleve, kujtesës dhe respektit që tregojmë ndaj trashëgimisë sonë.
Kur vlerat historike shpesh zbehen nga ritmi i së përditshmes, kjo përkrenare na fton të ndalemi për një çast dhe të reflektojmë mbi rrënjët tona, mbi sakrificat e të parëve dhe mbi krenarinë që duhet të ndiejmë për figurën e pavdekshme të Skënderbeut.
Faleminderit Paulin Zefi!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu