Gjykata, nga pushtet i pavarur në administrues të ekuilibrave politikë

0

Shkruan Zef Ndreka

Gjykata Kushtetuese dhe ekuilibri i thyer i pushteteve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dje në çështjen Balluku nuk prodhoi asnjë verdikt të prerë politik apo institucional. Ai nuk e mbrojti hapur ekzekutivin, por as nuk e rrëzoi figurën e Zv.kryeministës. Në pamje të parë, kjo qasje e Gjykatës mund të lexohet si përpjekje për neutralitet dhe ruajtje të pavarësisë. Por në fakt, megjithatë, ky vendim pasqyron më shumë një frikë nga përplasja sesa një ushtrim të plotë të autoritetit kushtetues.

Gjykata zgjodhi rrugën e mesme, një zonë gri juridike, duke shmangur vendimin që do të kishte pasoja të drejtpërdrejta politike. Ky neutralitet formal shërben si mburojë për institucionin, por njëkohësisht e dobëson rolin e tij si arbitër suprem i rendit kushtetues. Por kur Kushtetuesja nuk arrin të vendosë kufij të qartë mes pushteteve, ajo nuk e zgjidh konfliktin, por e shtyn atë për më vonë, duke e thelluar atë. Në këtë kontekst, lufta ndërmjet ekzekutivit, parlamentit dhe gjyqësorit nuk u fashit. Përkundrazi, ajo u bë më e nënkuptuar dhe më e rrezikshme. Ekzekutivi do e lexoje vendimin si mungesë, si pengese reale për veprimet e tij dhe si sinjal se presioni politik nuk sjell kosto institucionale. Ndërsa Parlamenti, tashmë i dobësuar në funksionin e kontrollit, mbetet si një spektator i përplasjejes ku roli i tij kushtetues zbehet dita-ditës. Gjyqësori, nga ana tjetër, shfaqet i kujdesshëm deri në vetëpërmbajtje, duke rrezikuar të shndërrohet nga pushtet i pavarur në administrues të ekuilibrave politikë.

Ky është paradoksi i madh i vendimit, ku Gjykata Kushtetuese mbijetoi si institucion, por nuk u ngrit mbi palët. Ajo nuk u rrëzua, por as nuk e forcoi autoritetin e saj. Në demokraci, pavarësia nuk matet vetëm me mosnënshtrim, por me guximin për të vendosur kufij edhe kur këta kufij krijojnë konflikt. Dhe pasojat afatgjata të kësaj sjellje janë shqetësuese. Kështu normalizohet ideja se konfliktet mes pushteteve nuk zgjidhen me vendime të forta kushtetuese, por me shmangie dhe kompromis të heshtur. Kjo gërryen besimin publik tek drejtësia dhe forcon perceptimin se pushteti real qëndron aty ku mungon kontrolli. Demokracia rrallë rrëzohet me një akt të vetëm dramatik. Ajo dobësohet gradualisht përmes vendimeve të paqarta, heshtjeve institucionale dhe frikës për të ushtruar kompetencën. Vendimi për Ballukun është pikërisht një moment i tillë, duke mos qënë fundi i shtetit të së drejtës, por një hap i vogël drejt relativizimit të tij. Në këto zona gri, askush nuk humbet sot, por qytetari dhe demokracia humbasin nesër…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu