Kushedi pse fjala “Tango” më sillte ndërmend dy fjalë të tjera “kitarë” dhe “kërcim”. Ndër to e duhura ishte vetëm fjala “kërcim”. Kitara as nuk kishte të bënte me tangon fare. Ndoshta fakti që çdo kërcim latino-amerikan e lidhja me kitarën ishte ngulitur aq thellë saqë edhe tango-ja nuk bënte përjashtim. Por le të kthehemi tek tre fjalët e titullit të këtij shkrimi: Borges, papa Françesku dhe tango-ja. Nuk di tani të them se cila prej këtyre fjalëve u bë shkas që unë të mendoj për dy të tjerat.
Gjithsesi ka dy momente kur këto tri realitete lidhen me njëri-tjetrin. Kur Papën, ndër intervistat e tij të para, e kanë pyetur për interesat e tij letrare e kulturore Bergoglio ka bërë emrin e Jorge Luis Borges. Mediet në atë kohë sollën një episod interesant. Jorge Luis Borges dhe Jorge Mario Bergoglio janë takuar një herë në vitin 1965 kur jezuiti i ri 28 vjeçar (akoma nuk ishte prift) e kishte ftuar Borges-in 60 vjeçar në shkollën e tij që të fliste për letërsinë ‘gaucho”. Nga ai takim kanë lindur dy vëllime me tregime nga nxënësit e Bergoglio-s dhe Borges-i ka bërë parathënien e tyre. Po nga ky takim ka lindur një simpati e Borges-it për Bergoglio-n (dhe jo një “miqësi e madhe”, sikurse disa nxituan të thonin kur Bergoglio u zgjodh Papë).
Kjo është histori. Me siguri një jezuit që ka simpati kaq të madhe për agnostikun Borges tregon edhe një qasje të veçantë të Papa Françeskut qysh herët. Këto miqësi nuk janë edhe aq të rralla për të. Në jetën e Kishës këto miqësi kanë shënuar edhe paradigma kulturore interesante, sikurse fjala vjen “Katedra e jo-besimtarëve” e ngritur në Milano nga Arqipeshkëvi i Milano-s Kardinal Martini apo “Oborri i paganëve” nismë e Dikasterit Vatikanas për kulturën nën frymëzimin e Kardinal Gianfranco Ravasi-t.
Po tangoja? Pyetjes së gazetarit Fabio Fazio në RAI 3 se çfarë muzike i pëlqen, Papa Françesku i përgjigjet tekstualisht: “Është e vërtetë që dëgjoj muzikë. Më pëlqejnë shumë klasikët. Edhe tango më pëlqen shumë. Një porteño që nuk kërcen tango nuk është një porteño”. Kështu Papa, si një porteño, d.m.th banor i Buenos Aires-it, na tregon se kërcen edhe tango-n. Nuk ka në fakt një dëshmi deri tani, as me video, as me foto, të një kërcimi tango të Papës kur ka qenë në Argjentinë, por nga fjalët e tij e presupozojmë.
Ka një legjendë në lidhje me tango-n dhe fenë. Kur donin të fusnin tango-n në Itali thuhet se kanë përfshirë edhe papën Piu X dhe i kanë proprozuar të shohë një vallëzim tango. Papa e paska parë dhe paska thënë që është një kërcim amoral e që duhet të zëvendësohet me një vallëzim sicilian, la furlana. Gjithsesi bëhet fjalë për një fake gazetareske të kohës, por që tregon se si ky kërcim, kur ka hyrë në Evropë, kryesisht nëpërmjet Parisit dhe periferive të tij, ku jetonin emigrantë argjentinas, nuk është pritur shumë mirë nga klasat e larta, pasi mendohej si një vallëzim imoral. Duket së është një fakt historik ama që Gulielmi II, Kaizeri i Gjermanisë – ua kishte ndaluar këtë vallëzim oficerëve të tij, pasi, sipas tij, nuk i përshtatej uniformës. Në fakt oficerët e kërcenin pa uniformë.
Këto informacione i jep Borges-i në librin e tij “El Tango”. Kur e pashë në librari mendova se do të ishte një libër që merrte shkas nga tango-ja për të treguar diçka tjetër. Nga titulli e pashë më shumë si një metaforë, por në fakt ishte një libër pikërisht për kërcimin tango. Një libër i bërë nga disa emisione radiofonike të Borgesit në vitin 1965 (pikërisht viti kur ka takuar Bergoglio-n) ku ai flet për historinë e tango-s. Gjëja interesante e këtij libri është se nëpërmjet kërkimeve të tij rreth etimologjisë së fjalës dhe origjinës së këtij kërcimi, Borges-i na jep një portret të shoqërisë argjentinase dhe më gjërë, të personazheve të kohës si “compadritos”, “gaucho-ve”, “criollo” etj.
Më shumë se sa një libër mbi muzikën tango dhe vallëzimin është një libër antropolgjik me një diapazon shumë të gjërë. Sikurse në tregimet e tij, ashtu edhe në këto emisione, Borges-i tregon se përveçse një shkrimtar është edhe një lexues i kujdesshëm dhe i thellë i letërsisë së të gjitha kohërave dhe vendeve.
“Tangoja është një mendim i trishtë që kërcehet”. Edhe pse Borges-i nuk është dakort krejtësisht me këtë sentencë të mikut të tij Ernesto Sabato-s, ai e lidh tango-n me shumë përmasa të jetës si vdekja dhe dyluftimi, guximi dhe joshja.
E vërteta ndër rreshta të librit është se Borges-i një trishtim e ka. Ai mbetet idhtar i tango-s origjinale dhe nuk pranon asesi prurjet dhe evolucionin e saj në kohe, madje as nga muzikantë si Gardel, Contursi apo Filiberto. Një Borges melankonik e deri diku dashurues i mitit më shumë se i realitetit. Gjithsesi, si për çdo gjë të Borgesi-t, duket sipërfaqësor vlerësimi: “ia vlen ta lexosh”. Pavarësisht kësaj, vërtet ia vlen ta lexosh “El Tango”-n e Borges-it ndërkohë që në sfond mund të kesh një muzikë po tangoje, nga ajo me tekstet e vetë Borges-it, fjala vjen “El Tango: Piazzolla – Borges”.