Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.
Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.
I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.
Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.
Ish-presidenti Nishani la pas vetes gruan dhe dy fëmijë.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u shpreh i trishtuar me lajmin për vdekjen e ish presidentit Nishani.
“Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!”, shkroi presidenti Meta.
Ndërkohë EDI PALOKA:
“Nje lajm i hidhur ka pak qe u konfirmua; Bujar Nishani, ish-President i Republikes, minister dhe funksionar ne disa poste te rendesishme te PD ne vite, ka nderruar jete!
Nje fatkeqesi per familjen dhe per gjithe demokratet.
Respekti yne per gjitheshka dha per PD dhe per vendin, do e shoqeroje kurdohere!”- shkruan kryetari i Këshillit Kombëtar të PD.