Shkruan Zef Ndreka
Po kalojnë në Shqipëri 35 vite tranzicion pa transformim me aktor kryesor Berisha, i cili mbeti komunist edhe në demokraci.
Historia politike e Shqipërisë pas viteve 1990-të shpesh është treguar si kalim nga diktatura në demokraci. Por në të vërtetë, ajo që ka ndodhur ka qenë më shumë ndryshim sistemi formal, sesa transformim mentaliteti dhe kulture politike.
Sigurisht, figura që e mishëron më qartë këtë paradoks është Sali Berisha, i vetëquajtur antikomunist i vendosur, por në praktikë ka mbetur trashëgimtar dhe riprodhues i metodave komuniste në kushtet e pluralizmit.
Është e vëertetë se Berisha nuk erdhi nga jashtë sistemit të kaluar. Ai ishte kryekëput produkt ekstrem i tij. Dhe megjithëse në vitet ’90 u pozicionua si simbol i antikomunizmit, ai nuk u shkëput kurrë realisht nga logjika e pushtetit monist. A
Berisha ka ndryshuar vetëm retorikën, por jo mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit politik. Në vend që të ndërtonte institucione kur ishte President dhe dy herë Kryeministër i vendit, ai ndërtoi vetëm besnikëri personale, me servilë e yes-menë, me kriminelë e hajdutë, me injorantë dhe spiunë.
Në vend që të forconte Partinë Demokratike si organizëm demokratik, ai e ktheu atë në zgjatim të vullnetit të tij si lidër i saj.
I gjithë ky është berishizëm, është komunizëm i maskuar, jo në ideologji( se nuk ka ideologji të re), por në metoda tipike autoritariste.
Kulti i tij i individit, eliminimi për 35 vite i kundërshtarëve të brendshëm, përjashtimi i kritikës, ndarja e shoqërisë në demokratë dhe armiq të saj, përdorimi i frikës dhe konfliktit si mjete mobilizimi, të gjitha këto janë tipare klasike të kulturës politike komuniste, të ricikluara në një realitet pluralist në ve din tonë.
Partia Demokratike, nën drejtimin e Berishës, nuk u bë kurrë një parti moderne konservatore apo demokratike e perëndimore. Ajo mbeti parti lideri, jo parti programi. Çdo brez i ri që tentoi reformim është neutralizuar, janë përjashtuar ose janë përdorur përkohësisht. Demokracia e brendshme gjithnjë është trajtuar si kërcënim, jo si vlerë.
Këtë shpjegojnë edhe protestat e këtyre ditëve, që në të vërtetë nuk janë instrumente presioni politik ndaj pushtetit, por rituale gjithnjë të kontrolluara, që shërbejnë vetëm për të mbajtur gjallë narrativën e konfliktit dhe për të shmangur llogaridhënien e vërtetë të humbjeve të njëpasnjëshme.
Protesta e fundit që largoi vetëm Salianjin nuk tronditi asgjë thelbësore, por mbeti shembulli më i qartë i kësaj opozite të Berishës pa projekt, pa vizion dhe pa guxim për tu reformuar.
Kjo mbeti për 35 vite me rradhë ironia më e madhe e tranzicionit shqiptar, ku antikomunizmi është përdorur si flamur, ndërsa komunizmi si metodë.
Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria nuk ka përjetuar asnjëherë një revolucion demokratik të mirëfilltë. Por ka përjetuar rotacion figurash, pa ndryshim kulturash politike.
Dhe për sa kohë që opozita mbetet e kapur nga figura si Sali Berisha që nuk u shkëputën kurrë nga mentaliteti i vjetër komunist, demokracia në Shqipëri do të mbetet formale, e brishtë dhe e pambushur me përmbajtje reale.
Pa një ndarje të qartë nga kjo trashëgimi totalitariste, PD nuk do të mund të jetë alternativë qeverisëse, por do të mbetet vetëm një kujtesë e tranzicionit të dështuar.








