85 policë “roje” për 7 persona me “Arrest shtëpie”! Ilir Proda shkresë Manjës: Nuk kemi efektivë, riktheni mbikëqyrjen elektronike

0

Kryepolici Ilir Proda, i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar rikthimin e mbikëqyrjes me sistem elektronik për personat që janë në masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Sipas tij, vetëm për shtatë shtetas që janë aktualisht nën këtë masë sigurie, në qytete të ndryshme të vendit, janë angazhuar sipas vendimit të gjykatës për vëzhgim më pandërprerë 85 punonjës policie.

Ilir Proda thekson në shkresën e tij se ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe mbikëqyrja e zbatimit të kësaj mase ka sjellë vështirësi në punën dhe aktivitetin e përditshëm të strukturave vendore të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprimtarisë kriminale, veçanërisht gjatë sezonit turistik veror.

Kryepolici i Shqipërisë tregon se shpesh herë gjykatat për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit vendosin shuarjen e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” dhe caktimin si masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, me mbikëqyrje policore të pandërprerë.

Kjo bën që Strukturat vendore të policisë të angazhojnë një numër të konsiderueshëm të efektivëve nga strukturat e rendit publik, Policisë Kriminale dhe Strukturat e Drejtorisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, në varësi të rrezikshmërisë që paraqet personi, terrenit ku ndodhet banesa, etj.

Sipas Ilir Prodës, dhënia e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore të pandërprerë, në disa raste ka zgjatur deri në tre vjet dhe kryerja e shërbimit për një periudhë të gjatë, ka ndikuar ndjeshëm në mos mbulimin dhe kontrollin e territorit me shërbime policore.

Sa më sipër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kërkon nga Ministria e Drejtësisë vënien në efiçencë dhe funksionim të sistemit të mbikëqyrjes elektronike me qëllim zëvendësimin e masave të sigurisë “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore të pandërprerë me atë të mbikëqyrjes elektronike.

Gjithashtu, Ilir Proda kërkon nga gjykatat dhe prokuroritë respektive minimizimin e rasteve të dhënies së masës së sigurimit “arrest në shtëpi me mbikëqyrje policore të pandërprerë”, duke e zëvendësuar me masa të tjera të sigurimit personal – pa ruajtje të pandërprerë të policisë.

Në galerinë më poshtë, gjeni shkresën e plotë të Ilir Prodës për Ulsi Manjën dhe përfaqësuesit e institucioneve në sistemin e drejtësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu