Shtatë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për të shqyrtuar sa më parë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se çdo vonesë apo zvarritje procedurale rrezikon të perceptohet si mburojë ndaj përgjegjësisë penale dhe mund të dëmtojë besimin e publikut në shtetin e së drejtës. Sipas tyre, roli i Kuvendit në këtë rast është procedurial dhe i kufizuar, dhe nuk duhet të kthehet në debat politik mbi çështjen penale.
Shoqëria civile kërkon:
Thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve;
Shqyrtimin e kërkesës së SPAK brenda afateve kushtetuese;
Respektimin e parimit se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht mandatit parlamentar.
Në argumentimin e tyre, organizatat theksojnë se imuniteti parlamentar është një garanci funksionale dhe jo mburojë personale për të shmangur drejtësinë. Ata paralajmërojnë se çdo devijim nga procedurat kushtetuese apo instrumentalizim politik i procesit mund të cenojë parimin e barazisë para ligjit dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.
Deklarata është firmosur nga organizata si Drejtësi Sociale, Qëndresa Qytetare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, SCiDEV, Tek Bunkeri, Qendra Hana dhe Qyteti Im.
Kërkesa vjen në një moment tensioni politik, ndërsa pritet që Kuvendi të vendosë mbi autorizimin e kërkuar nga SPAK për vijimin e procedurave ndaj deputetes.








