Ligji i dekriminalizimit ka qenë në qendër të debateve politike gjatë vitit 2019. Gjatë vitit të kaluar, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pasi bojkotuan zgjedhjet vendore vijuan një valë denoncimesh nga kryebashkiakëve socialist me akuzën se kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit, nga të cilat nisën një sërë verifikimesh, ku u konstatua se disa preh tyre ishin të prekur nga ligji i dekriminalizimit.
Kështu, gjatë raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se gjatë 2019 janë regjistruar në total 204 denoncime për zyrtarët që ushtrojnë funksione publike, nga të cilat për 163 kërkesa kanë përfunduar hetimet, ndërsa për 41 kërkesa hetimet do të vijojnë gjatë këtij viti. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se nga 163 zyrtarë të hetuar, 15 prej tyre kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit, ndërsa 148 të tjerë jo. “Në sektorin e dekriminalizimit për vitin 2019, janë regjistruar 204 praktika/ kërkesa për verifikim, nga të cilat: Janë përfunduar 163, me 15 subjekte të përfshirë në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike” dhe 148 subjekte që nuk përfshihen në këtë ligj. Kanë mbetur në proces verifikimi 41 subjekte/kërkesa, mbartur për vitin 2020”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme .
Ndërkohë që denoncimet për 204 zyrtarët janë bërë nga institucione të ndryshme. Departamenti i Administratës Publike ka depozituar pranë ambienteve të prokurorisë 71 denoncime, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi janë paraqitur 40 denoncime. Kuvendi i Shqipërisë ka paraqitur pranë organit të akuzës 221 denoncime. Po ashtu, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka paraqitur 50 denoncime, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 9 të tilla. Gjykata e Lartë ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme 8 kërkesa për verifikim të ligjit të dekriminalizimit, ndërsa ka pasur denoncime edhe nga individë, ku janë regjistruar 2 të tilla. Ndërsa 500 votues me të drejtë vote kanë depozituar 3 denoncime për zyrtarë të lartë për ligjin e dekriminalizimit.