15 grupe kriminale veprojnë në Fier, marrin tenderat lokalë e vishen nën petkun e biznesmenëve (PROFILET)

0

15 grupe kriminale operojnë në qarkun e Fierit. Disa me konflikte të hershme e të reja, disa të veshur me petkun e biznesmenit. Këto janë gjetjet e emisionit “Inside Story” në Top Channel mbrëmjen e djeshme, duke numëruar të gjitha familjet “kriminale” të Fierit, e duke marrë shkas nga vrasja e Demir Backës vitin e kaluar në këtë qytet.

Vrasja ishte një ngjarje shumë tronditëse. Individë të ndryshëm kanë kurajon dhe pushtetin për të arritur deri në eleminim fizik”, thotë Petro Koçi.

Viktima pronar i Piazzes, lokal i njohur në qendër të qytetit. Familja Backa kishte në pronësi dhe qendrën tregtare në vendin e krimit. Fisi Backa ka disa anëtarë me autoritet. Ka dyshime që kamerat që kanë filmuar ngjarjen janë në duart e familjes, dhe nuk u janë dorëzuar autoriteteve, thuhet në kronikën e emisionit Inside Story.

Fisi Backa nuk ka pasur një strukturë piramidale. Eshtë si një lloj vëllazërie mes tyre. Duke goditur Demirin nuk janë shuar”, thotë gazetari Artan Hoxha.

Gjithcka i ka fillimet në 2017, kur Dem Backa goditi me sende të forta në lokal Arben Isufajn, i njohur si Ben Qimja. Isufaj u paraqit vetë në polici shoqëruar me eskortë me mjete të blinduara. Ai mohoi të kishte qenë pjesë e këtij krimi dhe pas dëshmisë u la i lirë.

Askush nuk ka qef të merret me ta. Të merresh me ta është si të ngacmosh bishtin e luanit” thotë Artan Hoxha.

Krerët e familjeve mafioze fitojnë 100 përqind tenderat publikë në qark.

Në marrëveshje mes tyre, ata vendosin se kush do të marrë çfarë. “Grupet e Fierit u kthyen të parat në biznese dhe morën investime publike, gjë që e kishim parë në Itali” tha Hoxha.

Vitin e kaluar, bëri bujë denoncimi i ish-kreut të PS Petro Koçi për futjen e duarve të krimit në paratë publike. Ai u thirr nga SPAK por gjithcka u mbyll aty.

Pra është e qartë që këto grupe kriminale janë duke marrë financa publike në një mënyrë fatkeqësisht legale. Kjo lloj veprimtarie me financat publike është duke forcuar një pushtet financiar dhe ekonomik të tyre. Kjo do të përkthehet dhe në pushtet politik” tha Petro Koçi në emision.

Janë të përfshirë që nga tenderat e bashkisë e deri tek tenderat kombëtare. Që nga pasuritë që janë në atë zonë, që te hidrokarburet dhe deri tek bregdeti i Semanit” thotë Hoxha.

Deputeti Petro Koçi u gjend para sulmeve të zyrtarëve lokalë pas denoncimit. Shumica e drejtuesve të organizatave të PS lidhur me drejtuesit e institucioneve vendore i kërkuan kryeministrit Rama shkarkimin e Koçit përmes një letre konfidenciale.

Nga shumë zyrtarë ka pasur një reagim negativ, gati armiqësor. Ky lloj reagimi nga një pjesë e zyrtarëve për mua ishte shumë kompromentues”, thotë Petro Koçi për këtë reagim të zyrtarëve të partisë së tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu