Shkruan Kastriot Dervishi
Më 25 mars 1924 Avni Rustemi i shoqëruar nga Anastas Pandele kërkoi nga legata amerikane në Tiranë vizë me afat për 3 muaj, duke paguar edhe shumën përkatëse, me arsyetimin do mblidhte të ardhura për shoqërinë “Bashkimi”. Në legatë, Rustemi u soll mjaft keq. Në komunikim me Uashingtonin, legata amerikane theksonte faktin se Rustemi kish mbrojtur emrin e Leninit në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë. Viza nuk iu dha.
Rreth orës 17.00 të datës 20 prill 1924, duke qenë me Reshat Këlliçin te xhamia e vjetër, shkon në drejtim të sheshit të sotëm “Avni Rustemi”, për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimin, Fahri Gjilani. Kur të dy personat arrijnë në Varrezat e Pashës, takohen me Mit’hat Deliun dhe me Hoxha Kadriun. Kur Avni Rustemi bisedonte veç me Hoxha Kadriun, plagoset me një plumb të vetëm nga mullixhiu 61 vjeçar Jusuf Hysen Reçi. Avniu pasi shau vrasësin e tij me fjalët “ah ia q*fsha nënën”, mbështeti duart te muri i varrezës, shtiu 6 herë pa sukses me revolver. Dy ditë më pas Rustemi vdes në spitalin e Tiranës (fotoja).
Historia e Rustemit është vërtet interesante, por jo mbresëlënëse. Ajo nis kur ai u vetëofrua si vrasës me pagesë në vitin 1920 te kundërshtarët politikë të Esat Toptanit dhe përfundoi në vitin 1924 si organizator i vrasjeve të kryeministrit Ahmet Zogut (i cili u plagos) dhe Mufit Libohovës (këtë e kishte konkurrent në Gjirokastër, ku humbi zgjedhjet, por nuk ia arriti dot ta vriste). Në politikë synoi të keqpërdorë rininë dhe shkatërrojë administratën, në funksion të zëvendësimit të konkurrencës me vrasjen politike. Modeli i tij ishte midis fashizmit dhe komunizmit, ndërsa i adhuruar mbeti Lenini. Kjo gjë që u reflektua më vonë edhe te shumica e mbështetësve të tij, të cilët përfunduan në komunistë ose fashistë.
Në mënyrë simbolike, sheshi me “Avni Rustemi” në Tiranë, i përmbledh të dyja: emrin ia vunë fashistët në vitin 1939 dhe bustin komunistët në vitin 1954.
Eqrem Vlora, vite më vonë, në analizën e fakteve historike e portretizoi me dy fjalë si “karagjoz politik”.