Në përpjekjet e fundit për fitoren në zgjedhjet e së martës, presidenti Joe Biden ka kritikuar ashpër mohuesit e rezultateve të zgjedhjeve.
Biden dhe demokratët përballen me rezultate të dobëta në sondazhe dhe me një rritje të partisë Republikane.
“Mohuesit e zgjedhjeve kanë vetëm dy opsione për çdo proces elektoral: ose fitojnë, ose në rast të kundërt janë mashtruar. Më lejoni t’ju them diçka, nuk mund ta duash vendin vetëm atëherë kur fiton”, tha Joe Biden.
Ndërsa Biden ishte në Nju Jork, ish-presidenti Donald Trump ishte në Florida. Por ndërsa mbështeti me kokëfortësi senatorin Marco Rubio, në fund ai e vodhi shfaqjen.
“Për ta bërë vendin të suksesshëm, të sigurt dhe të lavdishëm sërish do të duhet të kandidoj sërish. Mbahemi në kontakt”, u shpreh Donald Trump.
Aludimi se ai mund të kandidojë sërish në vitin 2024 është një lloj muzike për veshët e republikanëve. Dhe në fakt, sondazhet aktuale tregojnë se ata udhëheqin në garën për zgjedhjet afatmesme për të kontrolluar Kongresin.