Yuri Kim cicërin sipas interesave…

0

Shkruan Fatos Lubonja

Cicërima gjithë ambiguitet e ambasadores amerikane, Yuri Kim, ku shprehej se qe e shqetësuar për ca thashetheme që qarkullonin për një marrëveshje të fshehtë (shqiptarësh), të cilët po sabotonin Reformën në Drejtësi, më kujtoi Orakullin e Delfit. Për ata që nuk e dinë: në Orakullin e Delfit, persona të ndryshëm shkonin të merrnin përgjigje për hallet, problemet apo të ardhmen e tyre. Aty flisnin me ca priftëresha që u jepnin këtyre përgjigje pak si në tym – sipas një versioni pasi ato pinin gjithë kohës opium – por, ama, kjo ishte e llogaritur që pastaj priftërinjtë e mëdhenj me mjekër t’i interpretonin fjalët e tyre sipas interesave të pushtetit apo parasë që kishin te personat që shkonin atje.

Ndjesë ambasadores, por, me ardhjen e saj, ambasada ka filluar të flasë gjithnjë e më shumë me këtë gjuhën e priftëreshave të Delfit (më kujtohet p.sh. kur në protestën e Metës ajo u shpreh: “Nuk e kuptova se pse ishte atje flamuri amerikan”). Kësaj here, nga ky stil u frymëzua edhe prifti me mjekër, Edi Rama, që e interpretoi cicërimën e ambasadores me thënien e Shekspirit: “Ferri është bosh, djajtë janë të gjithë këtu”, që, e interpretuar drejt, sipas meje do të thotë se ambasadorja kërcënonte djajtë, d.m.th. kundërshtarët e tij, të cilët tashmë duhet të ishin në burg, se po vazhdonin t’i krijonin turbullira.

Meta, përkundrazi, e interpretoi duke thënë se fjala ishte për pengesat që po sjell Rama e të tijtë dhe nxori 14 pikat që ia ka dërguar që në prill ambasadës. Edhe Basha tha se ambasadorja e kishte me Ramën, i cili, me gjuhën e një deputeti, kishte kërkuar të shkapërceheshin apo ndryshoheshin ca nene të Kushtetutës. Por interpretimet u pasuruan edhe me skandalin Daci. Meqenëse ky bëri pis procesin e vetingut, ambasadorja, sipas këtij interpretimi, nxitoi të dënojë ndotësit për të mbajtur të pastër imazhin e Reformës (së suksesshme) në Drejtësi. Nuk mungoi as interpretimi se cicërima i drejtohej Edi Ramës, dora vetë, pasi amerikanët i kanë thënë të heqë dorë nga amnistia fiskale dhe ligji për legalizimin e kanabisit, që të dyja në favor të narkotrafikantëve, me të cilët po ndërton kullat, por ai u ka dalë për duarsh, nuk u bindet më.

Duke luajtur rolin e priftit me mjekër të Delfit, po jap edhe unë interpretimin tim. Sigurisht, ambasadorja nuk ka qenë nën efekte opiumi, por pa dyshim ia ka turbulluar pak gjendjen shpirtërore shkatërrimi në atë mënyrë i Teatrit Kombëtar nga beniamini i ambasadës, sheiku i Albanisë, Edi Rama. Kështu, meqë nuk mund të thoshte dot: “Ambasada amerikane mbështet shembjen e Teatrit Popullor”-sepse kjo do ta ulte në minimumin e vet historik reputacionin në rënie pikiatë të Ambasadës– zgjodhi të japë mesazhin: Teatri është një aksident i parëndësishëm, vazhdoni punën, merruni me Reformën në Drejtësi.

Pse e them këtë? Sepse të flasësh për Reformën në Drejtësi ditët kur është kryer një nga krimet më të ulëta, jo vetëm ndaj kulturës e identitetit shqiptar, por edhe ndaj drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, është njëlloj sikur të inkurajosh mjekët që i ke paguar për të shëruar një pacient, të vazhdojnë të kërkojnë gjetjen e kurës, ndërkohë që këta, me vetëdije, e kanë vrarë pacientin dhe këtë e dinë të gjithë. Prandaj, për mua, fakti që Yuri Kim ka ardhur këtu me udhëzime të qarta që të mbështesë sheikun e Albanisë (për interesa amerikane dhe jo proceset demokratike e forcimin e shtetit e së drejtës), u provua edhe një herë me qëndrimin e Ambasadës ditën e shkatërrimit të Teatrit.

Pyetja shtrohet: pse e mbështesin amerikanët Edi Ramën? Sqaroj se kur them “amerikanët” nuk kam parasysh gjithë SHBA, por faktin fatkeq se ata që merren direkt me Shqipërinë nuk janë më shumë se 4-5 veta në Departamentin e Shtetit. Pra, kam parasysh këta dhe disa lobe rreth tyre. Deri te Lu-ja, që konsiderohej i administratës Obama, mbështetjen, deri në mbulimin me flamur amerikan të fushave me kanabis, e kemi shpjeguar me lidhjet e Ramës nëpërmjet Soros, me administratën e Klintonin etj..

E kemi shpjeguar edhe me gatishmërinë për të sjellë muxhahedinët, me harxhimet e trustit të kanabisit dhe kokainës për të promovuar imazhin e Kryeministrit artist vizionar, por edhe me një përçmim, që kanë thellë-thellë perëndimorët kur shohin sjelljen tonë prej hajdutësh pa pikë dinjiteti, që lëpijnë lart e pështyjnë poshtë, çka i bën të mendojë se shqiptarët kaq meritojnë: një sheik që luan solo pasi nuk janë në gjendje të luajnë muzikën e demokracisë me një orkestër. Disa nga këto arsye mbeten, por më duken si të pamjaftueshme po të kesh parasysh përshkallëzimin e pushtetit të krimit të organizuar në Albani. Prandaj, mua analiza më çon edhe në Kosovë.

Po të vesh re edhe atje, Kurti është pro-amerikan, siç është edhe opozita jonë pro amerikane, por ata nxituan ta rrëzojnë, megjithëse kohë pandemie, në favor të Thaçit. E pra, ka vetëm një gjë që i bën “antiamerikanë” si opozitën tonë, edhe Kurtin: ata janë kundër planeve për ndryshimin e kufijve, prandaj gjykoj se mbështetja e Ramës në Tiranë, ashtu sikurse ajo e Thaçit në Kosovë shpjegohet edhe me faktin se këta janë interlokutorët e zgjedhur për të kryer marrëveshjen e ndryshimit të kufijve në Kosovë. Qofsha i gabuar, koha do ta vërtetojë.

Me këtë nuk dua të them se, sapo të kryejnë këtë punë, do të heqin dorë prej Ramës dhe Thaçit. Këtë nuk e besoj siç nuk besoj as një version që qarkullon se amerikanët duan të përfundojë Reforma në Drejtësi me çdo kusht dhe, pastaj, i pari që do të bjerë në rrjetën e saj do të jetë sheiku i Albanisë, dora vetë. Kjo është një përrallë e bukur për ata që presin t’ua nxjerrin gështenjat nga zjarri të tjerët.

Sot për sot di të them se shembja e Teatrit në atë mënyrë, megjithë shembjet e tjera që ajo përmban, nuk është e mjaftueshme që “amerikanët” të heqin dorë nga mbështetja për sheikun e Albanisë. Atyre që presin të ndodhë kjo, pra, që t’ua heqë SHBA sheikun pro amerikan që po i dhunon, po u kujtoj se, në Vietnamin e Jugut, kur amerikanët, për interesat e tyre gjeopolitike, mbështesnin një tip të tillë si autokrati Diem, e lëshuan atë vetëm kur kundërshtarët e tij, vietnamezët budistë, filluan të protestojnë duke u djegur të gjallë në Sajgon dhe kur fotot e tyre bënë xhiron e botës, duke diskredituar mbështetjen amerikane për Diem. Dhe ç’është më e keqja, ata, me të cilët e zëvendësuan, nuk dolën më të mirë.

Shpresoj që mesazhi që jep kjo histori, të jetë më i qartë për shqiptarët sesa cicërima e ambasadores Kim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu