Shkruan Sokol Pepushaj
“Aksidenti” ndodhi para kamerave të disa televizioneve, aty ku fshihet ose retushohet lehtë për sytë e publikut. U zu ngushtë në një rrugë të gjerë të Shkodrës ambasadorja amerikane. “Peshqit” që sillen kot aty çdo ditë u zhdukën dhe ngelën vetëm ca pleq e biznesmenë tezgash. Kështu u ndodh VPI-ave prej 32 vitesh, jo vetëm në Shkodër. Rrugicave të ngushta, pasanikët me thasët e dollarëve të vjedhur kanë montuar “teleskopët” dhe kontrollojnë lëvizjet e dyshimta ngado.
Lëkundjet e pasigurisë, me themele mbi mendimin e përqafimit të ngrohtë dhe statistikave të ftohta, janë alfa dhe omega e pentagramit që ne sot mbështesim me kujdes mbi telajon e ngjyrave.
Esenca e falënderimeve të diplomates në çdo cep të fshatit, bëhet aksidentalisht “brumë” për bukën e përditshme të shtypit të lirë. Ta kryqëzosh në kryq të gabimit hajdutin apo viktimën e tij, përveçse “aksident” mediatik, ke nxjerr nga “furra” edhe mëkat artistik. S’ka produkt tjetër.
Janë gdhendur politika, hajdutëria dhe diplomacia këtej.
Këdo të pyesësh në Shkodër, të recitojnë përmendësh emrat e hajdutëve dhe pronat e tyre. Por ambasadorja ka ardhur për falënderime, jo për ndëshkime e mos-keqkuptime.
Mirënjohës i janë të tërë, nga Gomarët e Bablokut e deri tek delet e non-gratës. E respektojnë edhe peshqit e krokodilët, edhe ujqërit e tigrat. Disa nga këto “kafshë” grabitqare që rastësisht qëlluan në një rrugë me të, ju shmangen. Sapo dalluan siluetën e saj në pedonale, u fshehën nëpër lokalet luksoze që kanë lëshuar shtat disa kate mbi ligjin e “Zhvillimit të Territorit”.
Njëri nga krye bashkiakët hajdut të Saliut, që SPAK-u e ruan si dritën e syrit, pasi mblodhi vota për Bablokun deri në Tiranë, ishte fshehur pas xhamit të zi në kolltukun kaf e gjerbte kafe për shtatë pale qejfe. U tregonte shokëve se këtu kishte dikur lokalin edhe Arben Kraja, se ambasadorja nuk po ecte mbi pllaka guri, por mbi rrugë floriri.
Në fakt ashtu është. 182 metra rrugë dhe tetë stola u kanë kushtuar taksave tona 940 000 dollarë.
Pra, po të ishin rrasa guri, ka llogari të thjeshta; 182 metër gjatësi i shumëzon me 16 metër gjerësi dhe del 2912 metër katror shtrim rruge. Sipërfaqen 2912 e shumëzojmë me 14 dollarët e një metri pllakë e na duket se fundore kemi shifrën prej 40768 dollarëve. Këtyre kostove, u vëmë përbri tetë stola druri, ca rërë që ka mjaft në Zall të Kirit, dhe punën e mjeshtërve dhe gërmimeve e transportit. Thuaj ashtu kot, me dorë të lëshuar edhe 150 000 dollarë, por gati një milion këmbët e korrupsionit dalin jashtë shtratit të logjikës.
Çdo argjendar-punues në Botë, do ishte falënderues nëse do kishte marrë kaq dollarë për ta veshur në flori këtë sipërfaqe prej 2912 metro katror. Dhe të mos harrojmë, një tjetër krye bashkiak, ka shtruar pjesën tjetër të pedonales, dyfish kësaj, nga Xhamia e Re e deri në Parrucën e Lashtë.
E lashtë sa njeriu, është edhe mirënjohja.
Në respekt edhe të ca kinezëve që qëlluan në këtë bulevard, ne nuk e ndoqëm në turin e gjatë të lamtumirës ambasadoren, por vetëm në rrugën e florinjtë që ta themi, ka filluar të griset vende-vende.
Ajo, me të drejtë, është e kënaqur.
Një “biznesmen” aty, sapo e shikon, fut në xhepa dyqanin me gjithë çka brenda. Sistemon në dy anët qeset me lule dielli, ul nga koka në sokak kartonin që kish marrë në kazan të plehrave për t’ju shmangur rrezeve të Diellit, dhe gazetarucët mbushin ekranet me foto nga lamtumira.
Ti, që i vlerëson të gjithë të kënaqur, thua me vete, Zot ç’po ndodh, mirë se këtej media është regjur kështu, po si i mbyllin sytë shërbimet e huaja edhe në qasjet skandaloze, edhe kur ambasadorja Yuri Kim pëson “aksident” në Shkodër./Pamfleti