Vettingu: Pasanikja Donika Prela drejt burgut pasi mbrojti Edi Ramën e Damian Gjiknurin nga prangat

0

Në seancën e fundit të vetingut Donika Prela nuk shkoi fare. E mbetur pa një zyrë të rëndësishme, pa një dosje të fortë në dorë dhe pa miqtë e vjetër, askush nuk do ta mbyllte një sy për shkeljet që i zbuloi vetting-u.

Në seancë ndodhi ajo që pritej. Kolegji i Posaçëm i Apelimit përsëriti se ajo dhe i shoqi nuk e justifikonin dot blerjen e apartamentit në Tiranë dhe se kishte mbajtur të fshehur një borxh prej 25 mijë eurosh, edhe ky i pajustifikuar. Kësaj radhe, këto u konsideruan shkelje të rënda. Ndryshe nga vendimi i parë i KPK-së, kjo do të thoshte se Donika Prela shkarkohet nga detyra dhe del një herë e mirë jashtë sistemit të drejtësisë.

Kishin perënduar ditët kur njerëzit më të afërt të pushtetit vareshin nga një firmë e saj. Bashkë me to, perënduan dhe shpresat se do të ngelej për Donika Prelën një zyrë në sistemin e drejtësisë.

Panorama qe krejt tjetër në fillim të 2019, kur Arta Marku tregoi se nuk e kishte harruar shiqerinë e vjeter  të shkollës dhe sapo u ul në postin e Prokurores së Përgjithshme, shkarkoi Besim Hajdarmatajn nga Krimet e Rënda dhe emëroi aty shoqen e vjetër, Donikën.

Për 15 vjet, Prela kishte qenë prokurore në Durrës dhe papritur merrte mbi supe disa nga dosjet më të rënda ku hetoheshin emra të njohur të pushtetit. Së fundmi kishte pasur probleme, pasi prokuroria e Durrësit qe vjedhur dy herë për një dosje të Ishmit, por këto qenë detaje që nuk bënin asnjë pengesë për misionin e dyshes Marku-Prela. Parë nga distanca kohore e një viti, misioni qe i qartë, të vendoseshin nën kontroll hetimet e disa prej dosjeve më shqetësuese.

184
Në dosjen që hetoi zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër u përgjua mes të tjerash një telefonatë e kryeministrit Rama me
një prej blerësve të votave në Maqellarë, Arben Keshin. Ky, përveç se blinte vota për PS, punonte edhe si drejtor për strukturën për mbrojtjen e vajzave të trafikuara. Në bisedën me kryeministrin, Arben Keshi nuk flet për blerje votash, por në bisedat e tjera të tij, kjo është temë e zakonshme.

Në përgjim ishin rreth 20 numra, një pjesë e tyre që komunikonin me deputetë dhe ministra socialist dhe që flisnin për blerjen masive të votave në Dibër, si Gjiknuri, Tahiri, Qefalia, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu etj. Përgjimet i botoi gazeta gjermane “BILD” në pranverën e 2019-ës. Dosja kaloi në duart e tre prokurorëve, Gentian Trenova, Besim Hajdarmataj dhe Klodian Braho. Pas ardhjes së Donika Prelës në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosja shkoi për hetime në Dibër, por prokurorët atje nuk pranuan. Drejtuesja e Prokurorisë atje, Esmeralda Keshi Cami deklaroi konfliktin e interesit për shkak të lidhjeve familjare me njërin prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Arben Keshin.

Transferimim i çështjes në prokuroronëperiferike të Dibrësi dha fund përfundimisht shpresave për të parë “peshq të mëdhenj” në bankën e të akuzuarve.

339

Me Astrit Avdylajn, Donika Prela e kishte gjetur gjuhën e përbashkët kur kishte qenë në Durrës, duke e hetuar për një pistoletë pa leje. Autorësinë e armës e kishte marrë bashkëudhëtari i tij, Donald Çullhaj dhe prokuroria e kishte lënë të lirë Astrit Avdylajn.

I konsideruar si kreu i klanit Avdylaj në Durrës, ai ishte në qendër të përgjimeve të publikuara nga BILD për dosjen 339, në bisedat me ish kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, ku përmendej edhe emri i Edi Ramës.
Avdylaj ishte një lloj “krahu i fortë” i PS-së për Shijakun. Nga përgjimet ai del i gatshëm të bëjë presion ndaj punonjësve të Ujësjellësit, bën ndërmjetësin mes Dakos dhe personave të tjerë të dënuar për vrasje dhe flet për propozimet e tij për kandidatët për deputetë të PS për Durrësin.

Pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane Bild, Prokuroria e Krimeve të Rënda pranoi se për dosjen kishte heshtur, pasi ishte shumë e vështirë të ndahej hetimi për trafikun e drogës nga ai për trafikun e votës.
Donika Prela doli në një konferencë për të, duke pranuar dorëzimin e prokurorisë për hetimin e zgjedhjeve të Durrësit. Me dosjen 339 nuk u krye asnjë veprim hetimor i mëtejshëm në lidhje me episodet e zgjedhjeve.

Tahiri

Çmontimi i dosjes Tahiri nisi me largimin e prokurorëve që kishin kryer hetimet. Besim Hajdarmataj u shkarkua nga detyra si drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas u transferua në Prokurorinë e Pogradecit. Hajdarmataj e pranoi tërthorazi që shkarkimi i tij nga Krimet e Rënda kishte të bënte pikërisht me këtë dosje: Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim por mund t’ju them se unë e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri.

Prokurores tjetër që kishte hetuar dosjen Tahiri iu bë një ofertë që nuk mund ta refuzonte. Elizabeta Ymeraj u trasferua në Prokurorinë e Tiranës si drejtuese e institucionit. I treti, Gent Osmanaj nuk e kaloi vetingun. Në pretencën për Tahirin nuk ishte asnjë nga prokurorët që kishin nisur hetimet apo që kishin kërkuar parlamentit arrestimin e tij.

 

Një ndërhyrje brutale në hetimet e kësaj dosjeje ishte ekstradimi i dëshmitarit të vetëm të mbetur në Shqipëri, Nezar Seitaj. Nazer Seitaj u arrestua në 20 tetor 2017 në Shqipëri, pasi një hetim i autoriteteve italiane e identifikoi atë si pjesëtar të organizatës kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përgjegjës për eksportimin e disa tonelatave me marijuanë në drejtim të Italisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi një procedim penal në emër të tij, por pak javë pas arrestimit, Seitaj u ekstradua papritur drejt Italisë, ndonëse ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit me burg.

Prokuroria e Durrësit që hetoi ekstradimin e paligjshëm të dëshmitarit doli në përfundimin se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kishte vepruar në ekzekutimin e masave të arrestit për një nga dëshmitarët kyç të hetimit.

Agron Xhafaj

Dosja ku duhej të hetohej Agron Xhafaj është një nga momentet më të turpshme të organit të akuzës, nën drejtimin e Donika Prelës. Ndërkohë që e gjitha nisi si një akuzë për trafik droge ndaj Agron Xhafajt, ky i fundit u la i lirë të largohej nga Shqipëria vetëm pasi iu mor një kampion zëri për të bërë krahasimin me regjistrimin e skafistit Veliu. Në vend të hetohej Xhafaj, hetimi devijoi dhe denoncuesi u detyrua të largohej nga vendi, ndërsa në bangën e të akuzuarve përfundoi deputeti i PD-së, Salianji.

Hetimet u bazuan mbi dëshminë e një personi që u filmua disa herë duke dhënë versione të ndryshme për ngjarjen dhe që kërkonte para nga policët, të cilët u përgjuan teksa koordinoheshin me prokurorin e çështjes për alibinë që ndihmonte të akuzuarin fillestar, pra Agron Xhafajn. E gjithë dosja degradoi nën zhurmën politike, nga ku prokuroria qe e pafuqishme të bënte diferencën.

Në korrik të vitit 2019, Donika Prela kandidoi për të qënë pjesë e SPAK, duke shpresuar se do të shpërblehej për moshetimin e çështjeve të mësipërme, por ajo u skualifikua nga gara. Në tetor të 2019 kërkoi të transferohej në Prokurorinë e Apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe këtë ia refuzuan.

Me vendimin e sotëm, Vetingu dogji një nga protagonistet e degradimit të organit të akuzës në këto vite, një prokurore nën drejtimin e së cilës u varrosën dosjet më shqetësuese të Rilindjes, por edhe një shembull se si Rilindja pasi ka mbaruar punë, i hedh tej njerëzit që nuk ia ka më nevojën.©Lapsi.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu