Vetting: Nga abuzimi në Rrugën e Kombit, tek 1.15 miliard eurot e tërmetit të 26 nëntorit 2019

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Ku ka tender, ka edhe “futje duarsh në qyp”. Ku ka para publike, ka edhe luftë bërrylash nëpër zyra shteti e pushteti.

Gjithkush u bë i pasur në këto 28 vite, nuk u bë as me rrogë, as me trashëgimi. U bë i pasur, se ka abuzuar me besimin, me gjithë forcën e pushtetit, duke vjedhur ç’ka mundur.

Rrogat tek ne janë aq sa edhe mbijetesën, duhet ta qashë në cep të shamisë. Kryeministri për shëmbull, ka më pak rrogë se secili emigrant.

Edhe trashëgimia ekonomike është një mashtrim idiot.

Çdonjëri politikan, ministër, prokuror, gjykatës, doganier, pushtetar, e deri kapterr partie, ka qëlluar me trashëgimi unikale në gjithë rruzullin tokësor, thua se Shqipëria është parajsa e kësaj bote.

Në pod të logjikës, ngrihen e ngulin këmbë fort, dy pyetje:

1: Sa është vlera e të gjitha pronave në Shqipëri dhe sa kanë këta të pushtetit?!”

2- A kanë çertefikatë trungu familjar, apo fiset më të kamura, kishin vetëm një trashëgimtar?!

Në 28 vite, në Shqipëri ka qarkulluar para e madhe. Para e madhe dhe varfëri e madhe, varfëri e madhe dhe kontrabandë e madhe, kontrabandë e madhe dhe vjedhje e madhe.

Është vjedhur haptas.

Një tip qeverisjeje unikale. Paratë ende nëpër projekte , hajdutët ndajnë përqindjet zyrave të shtetit. Ka ndodhë gjithherë e gjithkund. Edhe për një urë fshati.

Kjo lojë, ka patur përherë të njëjtit lojtarë.

Gjithmonë pushteti ka plotësuar “ekipin” bazë dhe, lojtarë në rezerve, ka mbajtur opozitën.

Lojtarët në rezervë, asnjëherë, as në parlament, as në media, as në prokurori, nuk kanë protestuar më përtej “shtrembërimit së turinjve”, në shenjë hatërmbetjeje.

Kur njëra forcë politike ka pasur pushtetin, forca tjetër ka “shtrëmbëruar turinjtë”, e pakënaqur me “talonin” si opozitar pagojë.

Qerrja e politikës, pavarësisht se kush e ka tërhequr, ka qënë dhe është i njëjtë, një gërdallë në zemër të Europës.

Ca dembelë që nuk kanë punuar kurrë, që nuk kanë profesion, që kanë përtuar të shkojnë në shkollë, që kanë kapur ç’u ka dalë në shteg, që kanë mashtruar e nuk kanë lënë krim pa “shijuar”, kanë vozitur e po vozitin politikën drejt strukturave euro-atlantike, alla hajdutçe.

Marrëveshja e përhershme, që rreth gjysma e parave të futen xhepash, para se të nisë një projekt publik, qëndron sot e gjithë ditën si relike, në çdo zyrë e skutë shteti.

Pra, nuk është çështja se abuzohet. Çështja është se opozita e sotme nuk ka vjedhur sa qeveria e sotme. Kështu don të thotë Gazmend Bardhi, kur lëshon me zë të mekur deklaratat, si notat e protestës që dikur Enver Hoxha i drejtonte Kinës.

Pra, aq sa trëmbte Kinën Enveri, po aq trëmb qeverinë Gazmënd Bardhi.

Gazmëndi, pasi lëshon “notën bombë”, palos letrën që i kanë zografisur me kujdes dhe, largohet duke buzëqeshur.

Edhe kamerat “palosin” lajmin dhe e qëndisin me kujdes. U japin hakun dy palëve, siç është zakoni. Domethënë, lajmi nuk bën kurrë lajm. Thjeshtë bën vënd për një debat në studio me të akuzuar për afera, më së paku miliona dollarëshe.

Kështu ndodh gjithmonë. Kurrë nuk pritet më shumë. Fija e spangos tërhiqet aq sa mbanë, aq sa nuk rrezikon të këputet.

Thotë Gazmendi, se në kohën e tij, tenderat “sekret shtetëror”, ishin ndryshe nga sot. Nuk e ulnin nivelin e vjedhjes aq poshtë, si fjala vjen, në letra higjenike.

Kjo tip politike spekulative, kurrë nuk u ngrit mbi moral, mbi fakte, mbi qëllime, mbi ideale. Kurrë nuk u kërkua njëherë seriozisht, përgjegjësi civile apo penale, për asnjërin prej hajdutëve zyrave të shtetit.

Po pse nganjëherë e ngrenë zërin e ngjan se maçokët po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit?

Kur ata mjaullijnë fort, pritet vjedhje e madhe.

E shikoni si i janë turrur Arben Ahmetajt sapo Rama i lëshoi në besim 1.15 miliardëshin e eurove për rimëkëmbjen e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019?

Në u përdorofshin këto para si herët e tjera, don të thotë, se askerkush nuk e ka me të mirë, por me të futur, më kuptueshëm, secili kërkon racionin e vet. Paratë duhen shpërndarë nga ato të vjedhurat, duhen në dorë, përpara nisjes së ndërtimit, se nuk i besohet fjalës sot.

E shikoni pra se askush nuk merret me esencën e gjësë.

Këto para, nuk janë donacione, por janë para borxhi që do të paguhen nga shqiptarët.

250 milion dollarë janë donacione dhe fiks 900 milion dollarë janë kredi.

Ministri i tërmetit, një tip ministri unikal, sot e gjithë ditën, ka të drejtën të thotë se nuk do të vjedhë si deri tani. Kjo edhe për faktin, se sapo hymë në muajin e gjashtë të postërmetit, dhe në asnjë banesë nuk është vëndosur ende një gurë themeli.

Gjithkush pret gjithçka prej Ministrit të tërmetit.

Disa presin para të madhe, disa transparence të madhe.

Është krejt normale të pritet vjedhje e madhe.

Pse, do thotë dikush?

Këtij dikushit duhet t’i tregojmë orët e makinat e shtrenjta, milionat nëpër biznese e banka, abuzimet e gjithsecilit pushtetar a politikan të derisotëm. Këtu do ishte e pabesuar të përjashtohet vetëm Arben Ahmetaj.

Prandaj të gjithë i kanë sytë nga ai, të gjithë dyshojnë tek përdorimi i 1.15 miliard eurove, ku afro 80% janë kredi.

Akuzat për rrugën e kombit kanë qënë rreth 30% vjedhje, apo nuk është kështu?!

Nga Rruga e Kombit tek 1.15 miliard eurot e rindërtimit të pasojave të tërmetit, a dini gjë çfarë ndryshon?!

Atëherë u zëmëruan njerëzia pasi u ndërtua rruga. U tha se është vjedhur 30%, çka nënkuptonte se nga ky 30%-ësh, nuk ishte shpërnda siç ishte premtuar.

Sot ministri i tërmeteve është vënë në shënjester para nisjes së punës.

Askush nuk po i beson. As donatorët. Dhe mirë bëjnë. Transparenca është alfa e pushtetit dhe qeverisjes.

Aq interesante ngjan kjo vëmëndja e donatorëve dhe strukturave të Bashkimit Europian për monitorimin e mënyrës se si do të përdoren këto fonde, sa përpiqesh dhe nuk gjen asnjë garanci.

Ky tip monitorimi është thjeshtë, “abuzoni si të doni”. Ose “mos abuzoni, si të doni”.

Ky tip monitorimi, “peshon” vetëm ndërgjegjen e ministrit Arben Ahmetaj dhe të qeverisë Rama.

Të kujdeset monitori vetëm për donacionin e vet, pra për 250 milion euro, duke lënë zbuluar kredinë, 900 milion euro, don të thotë se ministri është në provë nga ndërkombëtarët.

Ose do të ecën Shqipëria në Traditën e Vjedhjes, ose do ta neveritë këtë ves!

Ata nuk janë si shqiptarët, që e duan racionin para se të nisë puna…/Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu