Pronari i televizionit kombëtar TV Klan, Aleksandër Frangaj ka ngritur një ‘perandori’ ekonomike, kryesisht mbi prona publike të grabitura përmes privatizimit, duke shfrytëzuar lidhjet e fuqishmè me pushtetin, në mënyrë të veçantë me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në media ka patur vazhdimisht dènoncime dhe akuza mbi skemën abuzive të përdorur nga Frangaj për përvetësimin e këtyre pronave. Ai akuzohet se ka përdorur në mënyre të paligjshme median e tij për makijazh (ndaj pushtetit) apo shantazh (ndaj kundërshtarëve), ndërsa ka shfrytëzuar edhe lidhjet me politikën për interesa private.
Ne do të analizojmë disa nga rastet më të bujshme të denoncuara edhe publikisht nga mediat, ku pasuri publike, janë privatizuar në mënyrë abuzive, për t’u kthyer më pas në prona të familjes Frangaj, raporton gazeta Atdheu.
Kujtojmë këtu privatizimin e “Kinostudios Shqipëria e Re”, aferën me ‘Lagunën Blu’ në Qerret të Kavajës, tokën tek ish-Klani i vjetër ku sot është ndërtuar rezidenca Ambasador 3, kafshimin e territorit te Liqenit Artificial në Tiranë, ku tek ‘Lion Park’ po ndërtohet në shkelje të ligjit një pallat shumëkatësh, vilat në Gjirin e Lalzit dhe në Palasë, si dhe miliona euro reklama të përfituara, kryesisht gjatë 8 viteve të qeverisjes Berisha.
Le t’i analizojmë një nga një dhe më me detaje.
Kinostudio
Një nga grabitjet më të mëdha pas rënies së komunizmit në Shqipëri, është padyshim grabitja e “Kinostudios Shqipëria e Re”. Shtëpia e filmit shqiptar, një pasuri e jashtëzakonshme, u privatizua nga Aleksandër Frangaj me ndihmën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Rreth 200.000 m2 hapësirë që ishte vendosur në dispozicion të artit dhe kulturës, tashmë ka kaluar në pronësi të Frangajt për interesa të tij private. Në këtë hapësirë është vendosur TV Klan.
Laguna Blu në Qerrët të Kavajës
Laguna Blu në Qerret është një tjetër vend ku Aleksandër Frangaj “futi duart” në hapësirat publike, duke provokuar edhe një përplasje të fortë me banorët atje, të cilët, më pas, sulmuan me vezë vilën e tij.
Pronari i TV KLAN posedonte një vilë vanitoze tek resorti i VIP-ave në Qerret. Në vitin 2015, banorët e kompleksit ‘Laguna Blu’ denoncuan Aleksandër Frangajn se po shkatërronte fushat e sportit me sipërfaqe 8000 m2, që ishin pjesë e kompleksit dhe përdoreshin nga fëmijët. I pakënaqur vetëm me një vilë dhe dëshira për të zgjeruar më tej pronat e tij, bëri që Frangaj të shkatërronte fushën e sportit. Skema ishte e tillë; fillimisht ai kishte përdorur KKRT përmes qeverisë Berisha për t’i ndryshuar statusin, nga fushë sportive në një shesh ndërtimi. Më pas, nëpërmjet disa gjyqtarëve të korruptuar, ai legjitimon grabitjen dhe merr leje ndërtimi mbi truallin e fushave sportive dhe ndërton një vilë tjetër mbi tokë të grabitur. Pasi ndërtoi “kalanë” e tij mbi truallin ku duhej të luanin fëmijët, Frangaj e shet për 1.5 milionë euro.
Toka tek ish Klani i vjetër, sot Ambasador 3
Një tjetër pronë publike e privatizuar në mënyrë abuzive nga Aleksandër Frangaj është trualli ku ndodhet një prej rezidencave më të shtrenjta në Tiranë, Ambasador
Fillimisht në atë zonë ka qenë një palestër publike ku stërvitej ekipi i Dinamos. Si shumë asete publike, edhe asaj prone i ndryshoi destinacioni, pasi u privatizua nga Aleksandër Frangaj. Me ndihmën e Sali Berishës, Fangaj hodhi aty bazat e TV Klan, por pasi arriti të privatizonte edhe “Kinostudion Shqipëria e Re”, Frangaj spostoi ambientet e TV Klan për t’i hapur rrugë ndërtimit të Ambasador 3. Pra, mbi pronën publike të privatizuar u ngrit një rezidencë, me çmimet më të kripura në Tiranë.
Lion Park, ishte brenda territorit të liqenit, sot do të bëhet pallat në tokë të gjelbër
Së fundmi, Aleksandër Frangaj ka “kafshuar” edhe Liqenin Artificial të Tiranës, duke shndërruar në shesh ndërtimi, një prej zonave të mbrojtura me ligj të kryeqytetit.
Restoranti i njohur “Lion Park” që ndodhet përballë Fakultetit Filologjik, do të shembet për të ndërtuar sipër tij një kullë disa kate.
Ndërtimi në atë hapësirë publike të Tiranës është i paligjshëm. Edhe pse trualli ndodhet në zonën e gjelbër të kryeqytetit, Frangaj ka refuzuar të marrë për bazë statusin e saj, duke spostuar në mënyrë të paligjshme vijën e gjelbër të Liqenit Artificial.
Miliona euro reklama gjate kohës së qeverisë Berisha
Sali Berisha është treguar bujar me Aleksandër Frangajn, jo vetëm duke i dhënë prona publike, por edhe miliona euro reklama, gjatë qeverisjes së tij 8-vjeçare.
Sipas të dhënave, TV Klan ka përfituar plot 12 milionë euro reklama në 8 vjet, ndërkohë që të gjitha televizionet e tjera të marra së bashku, nuk i kaluan 2 milionë euro.
Sipas një raporti të Balkan Insight, të dhënat tregojnë se vetëm nga qershori i vitit 2012 deri në fund të vitit 2013 janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 110 milionë lekë ose 730 mijë euro (sipas kursit të asaj kohe) në reklama televizive. Pavarësisht se tregu i reklamave ndahet mbi disa kritere, i gjithë buxheti shkoi në mënyrë abuzive tek dy stacionet televizive dhe agjencitë në pronësi të Aleksandër Frangajt.
Në total, pesë kompani të lidhura me Frangajn kanë marrë 90% të buxhetit, konkretisht një shumë prej 103 milionë lekësh ose ndryshe 730 mijë euro, në reklamimin shtetëror prej dy vite. Abuzimi duket qartë, pasi televizioni më i madh në vend Top Channel, për të njëjtën periudhë kohohe, mori 1.3 milionë lekë ose 9.940 euro.
Vilat tek Gjiri i Lalzit dhe në Palasë
Vilat në Palasë dhe Gjirin e Lalzit janë të fundit që do të analizojmë në këtë shkrim, por jo të fundit për Aleksandër Frangajn.
Siç është raportuar edhe në media, vilat e Sandrit janë ndërtuar në tokë publike dhe private. Për këto prona ka patur konflikte të mëdha, dhe Frangaj, si ‘specialist’ i këtyre punëve, është futur në mes të konfliktit, duke bërë tjetërsimin e pronave për të ndërtuar komplekse vilash.
Së fundmi ai ka marrë një lejë nga KKT për ndërtimin e një resorti turistik në bregdetin e jugut.
Bëhet fjalë për resortin “Green Cost”, në palasë të Himarës, me zhvillues Aleksandër Frangajn. Pronari i TV Klan disponon edhe një vilë në Gjirin e Lalzit, aty ku mpleksen, të fortët, politikanët dhe VIP-at.
Si përfundim, nëse i mbledhim të gjitha këto më lartë, Aleksandër Frangaj ka grabitur mbi 70 milionë euro prona publike në Shqipëri, përgjatë 20 viteve të fundit. Këtu nuk futen dhjetëra miliona euro tendera nga fondet publike që Frangaj i ka marrë nëpërmjet kompanive hije, siç është “Gjikuria shpk”.