Veting dhe burg: SPAK-u ka të kopsitura dosjet e Berishës, Metës, Bashës, Ramës, Kryemadhit e gjithë hajdutëve. Populli po lajmëron anonim çdo pronë e veprim korruptiv

0

SPAK ka njoftuar se qytetarët që janë të interesuar për të luftuar korrupsionin, mund të denoncojnë online për çdo gjë që shohin apo disponojnë përmes dokumenteve e videove.

Për këtë qëllim është hapur një faqe zyrtare në internet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Ajo është vënë në funksion së bashku me një seksion të veçantë ku qytetarët mund t’i drejtohen drejtpërdrejt kësaj prokurorie, për të denoncuar raste korrupsioni.

Ndërkohë që janë dhënë edhe hapat që duhet të ndjekë çdo denoncues për të dërguar denoncimin e tij anti-korrupsion në SPAK.

Seksioni “Raporto raste korrupsioni” në faqen spak.al duhet të plotësohet me emër, mbiemër, adresën e kutisë postare elektronike dhe përmbajtjen e denoncimit. Kjo sipas dëshirës së qytetarit që i drejtohet këtij shërbimi, edhe me dosje shtesë që i bashkëlidhen denoncimit, si foto apo dokumentacione të tjera.

Në rastin e emrit, mbiemrit dhe të postës elektronike, qytetarit i ofrohet mundësia që të ruajë anonimatin, duke shenjuar kutinë ku thotë “Anonim”.

Funksionale është edhe faqja e internetit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, bkh.al. Dhe këtu sektori i denoncimit të drejtpërdrejtë nga qytetarët është i pranishëm, identik si në rastin e SPAK.

Kjo është pjesa zyrtare e lajmit të dhënë nga kjo strukturë e lartë anti-korrupsion, si një ftesë për të gjithë qytetarët e përgjegjshëm e të interesuar për të luftuar korrupsionit. Dhe mirë është bërë.

Kudo në botë, reagimi qytetar ka qënë një indicie e qartë për të filluar edhe hetime të mëdha.

Madje dhe në Shqipëri, me nismën e qeverive të radhës janë ngritur grupet e denoncimit në administratën publike, apo siç quhen ndryshe “bilbil-fryrësit”. Sipas ligjit veprojnë në kushte anonimati.

Për hir të së vërtetës kanë qënë një deshtim i plotë për shumë arsye.

Arsyeja e parë ka bëjë me faktin se shqiptarët, për shkak të emrit të keq që kishin në diktaturën komuniste “spiunët”, i largohen këtij “profesioni”.

Arsyeja e dytë është se nga frika e dekonspirimit, e barabartë me largim nga vendi i punës, pak e kanë parë të arsyeshme të denoncojnë shefat e tyre. Ndaj dhe kanë heshtur, pasi në një formë apo tjetër do të ballafaqoheshin në seancat gjyqësore si dëshmitarë.

Arësyeja e tretë është se duke mos pasur akses në dokumentacion këta të “licensuar” si informatorë brenda administratës, kanë bërë thjeshtë letra anonime, pa asnjë fakt që të niset hetim, kundër atyre që donin t’u bënin keq për arsye personale.

Ndonëse është një iniciativë e dobishme kjo e SPAK për ngritjen e kësaj faqeje interneti ku qytetarët denoncojnë korrupsionin e qeveritarëve, peshën kryesore e mbajnë institucionet e inteligjencës, SHISH, krimi ekonomik në policinë e shtetit dhe organet e tjera të specializuara.

Për më tepër, SPAK ka plot dosje të rënda të zyrtarëve të lartë që kanë mbetur të pluhurosura në sirtarët e Prokurorisë së të gjitha niveleve, apo që janë pezulluar nga ndërhyrjet e pushtetarëve për të mbuluar pisllëqet e tyre.

Do të ishte në nderin e SPAK që të fillonte hetimin nga dosjet e “peshqve të mëdhenj”, duke nisur nga dosja e “Gërdecit”, “Rruga së Kombit”, “21 janari”, afera CEZ-DIA e Berisha-Metës, video-përgjimi i Priftit për “bllokun” dhe 700 mijë euro ryshfet të Metës dhe dosje të tjera.

Madje mund të vazhdojë me koncesionet e qeverisjes së PS në shëndetësi, në rrugë, në shërbime dhe në energjetikë. E themi me garanci të plotë se do kishte punë për 3 vite. Dosjet janë gati.

Duke qënë se i ka gati dosjet e rënda të abuzimeve të Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Edi Ramës dhe mbështetësve të tyre ministra dhe ish ministra, duket si shmangie nga misioni për hetimin e “peshqve të mëdhenj” marrja me denoncimet e qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu