Hapet rruga për zbulimin e dosjes së Sigurimit për ish-presidentin Ilir Meta. Ky i fundit akuzohet nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i Sigurimit, por zbulimi i dosjes së tij është i pamundur për shkak të ligjit. Ligji ndalon verifikimin e personave që kanë qenë subjekte të komisioneve “Bezhani” dhe “Mezini”.
Meta është verifikuar prej tyre dhe ka dalë i pastër, por tani dolën prova të reja. Për këtë arsye sot Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në ligjin për dosjet e Sigurimit. Edhe pse mbledhja u shoqërua me debate dhe opozita e bojkoti, mazhoranca kaloi nenin që shfuqizon pikën 4 të nenit 29. Ligji tani do i kalojë seancë plenare dhe me miratimin aty, hapet rruga për zbulimin e dosjes së Ilir Metës. Vetë Autoriteti i Dosjeve ka thënë se janë disa funksionarë që mbrohen nga pika 4 e nenit 29 dhe me shfuqizimin e saj, do publikohen në faqen e AIDSSH të gjitha dokumentet.Po ashtu sot u miratua dhe ligji për informacionin e klasifikuar, duke dhënë mundësi që të hapen një pjesë e madhe dosjeve të Sigurimit. PD kërkon hapje të plotë, por PS do kufizime dhe kjo shkaktoi debate në komision. Për këtë arsye PS e kaloi e vetme draftin. Ndërkohë pati një reagim dhe nga deputetja socialiste Ermonela Felaj.“Miratuam ligjin e ri “Për informacion e klasifikuar” si dhe disa ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”. Ndryshime të qarta që do shërbejnë përkatësisht, për ruajtjen e informacionit të klasifikuar në trajtë moderne , sipas një standardi të njehsuar dhe për njohjen më të garantuar të dokumenteve të ish Sigurimit e mbi të gjitha kur këto dokumente implikojnë të gjithë mbajtësit e certifikatave Bezhani e Mezini. Justifikimi publik i materializuar në këtë rast, është çmuarja e të gjithë të vërtetës së të kaluarës, jo vetëm një pjese të saj, që për arsye të ndryshme dhe jo vetëm një e tillë, mbahej e fshehur nga publiku”, tha Felaj.