U çudita kur Tritani gëzohet për vrasjen e Mr. al-Zawahiri

0

Shkruan Frrok Çupi

Cili është Tritani, e cili al- Zawahiri; njëri këtu e tjetri në fund të botës?

Edhe kjo qenka dilemë më vete…

Plot dilema dalin nga lajmi me jehonë botërore se Shefi i al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri, u vra dje nga forcat amerikane në kryeqytetin e Afganistanit. Presidenti Biden tha se ‘u vendos Drejtësia!’.

Pse po e quaj ‘Mr.’, këtë vrasës dhe terrorist?

Përgjigja: Meqë  kur shkruan atë emër, krijohet një paralele me kohën e tij në Tiranë. Ai ishte në Tiranë aty nga vitet 1993- 97, bashkë me vëllain e tij. Janë takuar atëherë, sigurisht, edhe me personalitete si me ministrin e Jashtëm (Tritani)  dhe presidentin Berisha. Vëllai i Ayman, Mohammed al- Zawahiri drejtonte këtu një celulë të terrorizmit Islamik prej 20 vetash, dhe kjo quhej celula e Xhihadit Islamik Egjiptian në Tiranë. Atëherë zyrtarët e lartë, kur e priten dhe e përcollën, me siguri e kanë quajtur ‘Mr. al- Zawahiri, welcome!’.

Dje u vra, ndërsa fati i vëllait të tij nuk dihet qëkurse u largua nga Tirana.

… Po pse reagoi Tritan Shehu menjëherë sapo mori lajmin e vrasjes? Kjo është dilemë tjetër rreth lidhjeve me al- Zawahiri. Tritani reagoi me një gjuhë të ngjashme si në kohën e ‘luftës së klasave’, por sidoqoftë reagoi. Ai shkroi se ‘Zawahiri mori atë që meritonte’. Po pse kaq shpejt Tritani? Mendoj se ‘nxitimi’ ka lidhje me shefin e tij, Berisha. Tritani ka shërbyer si diplomat dhe e nuhat kur Amerika ndodhet në gjueti të terroristëve e se atëherë mund të vijë gjuetia deri në Tiranë. E ç’i duhet Tritanit të ndajë fatin me Saliun?; në fund të fundit ai i ftoi e i sajdisi dhjetëra celula terroriste në Shqipëri atëherë (!) Ka nisur të shkërmoqet kulla e anti- amerikanëve.

…Po Bin Laden e ka vizituar Shqipërinë në periudhën Sali-Tritan?

Këta e mohojnë, por Osaman e kishte pranuar dhe kishte vendosur trajnimet dhe celulat e tij këtu. Të paktën, syve të mi nuk më pengon dot që t’u besoj; këtu nuk ka dilemë. I kam parë më sytë e mi djemtë me mjekër të lëshuar se si, aq të mjerë,  stërviteshin në Dajt, në Kune të Shëngjinit, në Golem.

I vetmi fakt që nuk ka dilema; celulat e al- Kaedas dhe vetë Bin Laden kanë okupuar territoret e fshehta të vendit tonë në atë kohë. Fondacioni Islamik Al-Haramain, i tmerrshmi si xhihadist, i krijuar në Arabinë Saudite me një degë të posaçme si ‘Al-Haramain Albania’, ndodhej në Tiranë në lidhje të afërta me kupolën e shtetit.

… Po pse reagoi Tritani ‘kundër Berishës’, kjo është dilema?

Ndoshta e ka parashikuar si do të ishte reagimi i Berishës dhe i doli përpara. Berisha do të thoshte se ‘e mbështes vrasjen e Mr. Al- Zawahiri’ dhe menjëherë do ta kalonte muhabetin te terrorizmi në Bosnjë- Hercegovinë, dmth., larg ‘menderes’. Por kjo i djeg Tritanit. Tritani ka qenë shefi i furnizimit me naftë e me armë për makinën terroriste të Millosheviç që terrorizoi popullin e Bosnjës dhe të Kosovës. Tritani ka qenë drejtor i Shqiponjës.  Presidenti i kohës nuk la asnjë lider të PD pa e futur në atë furrë terrorizmi. Madje edhe Pjetër Arbnorin e bëri ‘shef  të terrorizmit’. Vetë helmimi  dhe vrasja e këtyre figurave, sapo mbaruan punë me naftën, ishte një akt terrorist shtetëror.

Tritani ndodhet në dilemën a do ta gjuajnë terrorizmin edhe në Shqipëri si me zotin Zawahiri?

… Dilema e të gjithë atyre që i shkojnë pas Sali Berishës dhe Ilir Metës:

Jo të gjithë këta që mbushin Foltoren dhe Partinë e Lirisë, janë Islamistë të sektit terrorist. Disa prej tyre do t’i venë gishtin kokës, sidomos tani pas vrasjes së al- Zawahirit, me siguri. Deri tani kishin menduar se ‘dy tanët janë më të fortë se Amerika’, por tani ndryshoi puna. Krijimi i grupimit politik ‘Anti- Amerikan’ në Shqipëri, që është vepër e dyshes Berisha- Meta, ka të gjitha atributet e grupimit terrorist Islamik. Tritani dhe ca të tjerë e kuptojnë këtë, dhe po luajnë bishtin që të largohen. Të tjerë nuk po e çajnë kokën se grupimi ‘Berisha- Meta’ mund të emërtohet si grupim ‘terrorist’ dhe të vihet nën gjuetinë e aleancave botërore kundër terrorizmit. Këta nuk kanë dilema, natyrisht.

…Dilema e fundit mes palës që i ka shpresat më shumë te ‘LSI- PD’ se sa te Amerika, është kjo:

Pse u ftuan në Uashington kryetar i SPAK, një prokuror i Posaçëm dhe drejtore e BKH, alias FBI? Në momentin që u vra al- Zawahiri në Afganistan, ata zbritën në zyrat e FBI në Uashington. Disa tipa zyrtarësh me përvojë si Tritani, me siguri kanë kuptuar se në Amerikë prokurorëve mund t’u jetë vënë përpara dosja e Saliut dhe e Ilirit. Atëherë edhe ‘ballkoni‘ i fundit i vilës, mbyllet për terrorizmin shqiptar.

Të paditurit ndodhen para dilemave ekzistenciale se si Amerika e zbulon terrorizmin edhe në një ballkon, edhe në një vilë, edhe në një protestë demokracie, edhe në korrupsionin familjar, edhe te një spiun i fshehtë, edhe te një kryetar shteti. Por edhe ata që i dinë punët, si Tritani, ndodhën para dilemave ekzistenciale: ‘Të jesh apo të mos jesh!’ në anën e terrorizmit!

… Kur e pashë reagimin e militantit të Shqiponja- PD se si shkruante: ‘ti e meriton Mr. Al- Zawahiri!’, aty më erdhi në mendje djaloshi i filmit që lëshonte gjyle topash dhe i thërriste: ‘Ike plaku Mere, iiike!’.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu