Politikanëve, pushtetarëve, “analistëve” e që i luten Zotit dhe Edi Ramës “bukën e përditshme epna neve sot”, Trump-i, Merkel-i, Macron-i etj., u ngjajnë si gjynahqarë e fukarenj. Ata kanë argument të “fortë”: Ekonomia e Italisë është me e keqe se e jona, pasi emigranti që nuk gënjen, djali i Eminit prej Kirasit, ashtu thotë!
Shkruan Sokol Pepushaj
Diplomacia e rrugës, fejsbukut dhe ekraneve:
Edi Rama ka krijuar diplomacinë e rrugës. Me para nga taksat e këtij populli, normalisht. Bëjnë punën e tellallit rrugëve. Ata, në fakt nuk u bien daulleve me shkop, si praktikantët e islamit për Bajram, por bërtasin, me sa u nxjerr gurmazi, duke nxirë realitetet dhe duke lustruar çdo veprim apo mosveprim të qeverisë.
Besimtarët e islamit e bëjnë për shpirt atë mundim, këta, që janë dhjetëra mijëra, paguhen me para nëpër bashki apo ndërmarrje, vetëm e vetëm të bëjnë kundrapedalin e normalitetit shoqëror. Dikush jep “lajmin” se Italia nuk ka dhënë asnjë lekë gjatë kohes së pandemisë, prandaj Edi Rama është shembull, se diçka dha.
Arkën e shtetit e kishte gjetur bosh, apo jo, në vitin 2013? Këtë haber e jep para 10 vetëve në një kafene. Burrave që nuk po bindeshin u thotë: -A e njihni djalin e Eminit, që është në Itali? -Po, e njohim dhe është burrë safi. Ky pra, djali i Eminit, i paska thënë, vëllait të kunatës së djalit të hallës së tezes të gruas së tij, se Italia do ishte lule të kishte Edi Ramën, se atje jetesa është keq dhe për pandemi nuk është ndarë asnjë cent.
Dhe tellalli shtron pyetjen, thua se dëgjon Muslim Murrizin në Parlament: -Hë, si thoni, gënjen djali i Eminit?!
Po. Meqë nuk mund të themi se gënjen djali i Eminit, se gënjen Edi Rama apo Myslim Murrizi, a mund të themi se gënjen bosi i peshkimit në Adriatik dhe Jon, Gjergj Luca, njëri ndër sponsorët e pushtetit të Edi Ramës, kur thotë se pasurinë nuk e ka vendosur përmes krimit dhe drogës?! Edhe ky, është po kaq i besuar, sa djali i Eminit. Gjergji, si mik i Ramës, ka pushtuar prej kohësh ekranet e televizioneve, ERTV-në e figurës, gazetat e portalet se do kapin peshk të madh e të vogël, se në mandatin e tretë të Rilindjes, do rilindin ekonominë.
Në kulmin e histerisë së tyre, në kulmin e pasurisë së tyre, pas rënies së Hashim Thaçit në grackën e drejtësisë, na del se 159 anije tregtare dhe të peshkimit, paskan qenë të hetuara nga EUROPOL-DEA. Edhe tek peshqit e Gjergjit, amerikanët kanë vendosur kamera? Ka ndodhur.
Epoka Trump ka trullosur gjithë peshqit e globit.
Kudo ka patur krime njerëzore, drogë, korrupsion qeveritar, trafik armatimi, emigracioni apo larje hesapesh e tretje kufomash në det apo oqean, amerikanët kanë hetuar dhe tashmë ka ardhur ora e shenjtë e llogaridhënies. Kjo strategji amerikane ka gërvishtur plagët e qelbura të krimeve njerëzore edhe në Shqipëri e Kosovë, kudo ku ka milionerë të lindur nga hiçi.
Pra, ka lindur strategjia për ta bërë injorancën besueshmëri. Duket paradoks ta thuash, por kaq analfabetë e çyrykë ka sot gjithkëndej, sa besojnë se djali i Eminit, është argument që populli italian vuan më shumë se në Shqipëri, se Gjergji i peshkut dhe Edi Rama, nuk ia ndjen për hetimet dhe akuzat e amerikanëve, sa kohë kanë votues që e shesin votën për një thes miell. Me të njëjtin nerv dhe fudullëk, me të njëjtin zell dhe oreks, ushqehen shqiptarët me populizëm nga thuajse gjithë gjithologët e ekraneve. Po pra, edhe ekranet, njëlloj si rrugët me pluhur dhe plot varfëri, kanë diplomacinë e vet, kanë injorantët e vet. Edhe ata kanë shëmbull djalin e Eminit, që paguhet në Itali shumë më pak se një mjek apo polic.
Kjo tip strategjie, është zgjedhur për të krijuar një tip “bote të varfër”, pasi me “fajin e ka Berisha” nuk ecet më, asnjë ditë. As me një milion shputat, as me timon, as me tepsi, as me taksa zero apo legalizime e shëndetësi falas, nuk bëhet asnjë hap më tej. Populli kërkon më së shumti, një punë konkrete, nga cilado forcë politike që dallojnë vetëm nga emrat, e më së pakti, kthimin e gjësë së vjedhur, se tërë aktorët, edhe figurantët, kanë kapur ç’kanë mundur, në gati 30 vitet e fundit.
Këta fudullë, kanë detyrë t’u flasin fudullëve, barkthatëve, kokëpalarëve. E vëndosin muhabetin aty dhe bëjnë sikur kanë në kokë gjithë zhvillimet e kësaj bote. Amerika dhe Donald Trump, ç’janë? E ka thënë gjigandi, piktori, politikani, milioneri, gjithologu Edi Rama, thonë ata. Dhe kur e shtrijnë hapin logjik të tyre, e shtrijnë sa kanë jorganin, ndaj po, kanë të drejtë.
Përballë Amerikës, gjithologët shqiptarë, përfitues të vlerave materiale e monetare nga pushteti dhe politika, vendosin Jugun e Shqipërisë, që është “lule në tule” të bukuroshes Shqipëri, ballë Trump-it, vendosin Edi Ramën që ka lexuar dhe shkruar Kur’anin dhe fiton dollarë sa 1000 herë presidenti amerikan, përbri Vladimir Putinit, vendosin Sali Berishën që kur flet ai, dridhen Monika Kryemadhi, Jozefina Topalli e deri edhe Çlirim Gjata apo Fatmir Mediu, bri Angela Merkel-it nxjerrin Elisa Spiropalin që t’i shëndrisin veshjet firmato si Ylberit ngjyra,t kur kalon ne ditë shiu të imët përmbi Gadishullin Apenin.
Në këto nivele e këto deftere, debatohet profili ekonomik e shoqëror, sot e gjithë ditën, nëpër studiot turke të Tiranës zyrtare. Janë kjo armatë të “diturish”, që skuqen deri rrëzë veshit duke kritikuar politikat e Serbisë, Francës, Rusisë, Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Kinës, Italisë, duke artikuluar për Luftën e Lavdishme të Hashim Thaçit dhe defiçencat mendore të prokurorëve të Tribunalit të Hagës.
Të gjithë, sipas Taulant Ballës, janë më të zbehtë në mendime e gjykime, të gjithë janë më të varfër ekonomikisht, pikërisht se nuk janë kaq perëndimorë dhe të efektshëm në punët shkencore dhe shoqërore, sa ç’është ekipi i Rilindjes. Shqipëria e vogël ka shumë gjithologë, milionerë, Doc. Prof. që vërtet nuk i njeh askërrkush, që vërtetë nuk kanë punuar kurrë dhe po të shkojnë diku në perëndim, nuk kalojnë mbi lartësinë e punëtorëve të krahut, por nuk mund t’i pengojë ndokush të krekosen ekraneve të televizorëve si gjeneralë të kësaj bote.
Ndjekja nëpër TV është e detyrueshme.
Kudo që të ndërrosh kanal, kësi soji gjen. Ata, njëlloj si fejsbukasit që rrinë gati të komentojnë arritjet e qeverisë Rama dhe të argumentojnë “fakte” si ai me djalin e Eminit në Itali, që nuk përfitojë ndihmë në pandemi, japin mend për injorantët me vullnet skllevërish të Ramës, Bashës, Metës dhe Berishës.
Kjo kastë hajdutësh, këto katër klanet mafioze që kanë kriminalizuar institucionet e shtetit dhe jetën e shqiptarëve, që kanë vjedhur, duke rrjepur deri në ashtë popullin, e vënë mënjanë milionat për veten e familjen, nxjerr përnatë armatën e vet mediatike, të çartafilojnë publikun me budallalliqe urbane. Pushtojnë çdo ekran. Alfred Peza, Shpëtim dhe Mentor Nazarko, Anila Basha, Fatos Klosi, Petro Koçi, Baton Haxhiu, Ilir Yzeri, Myslim Murrizi, Carlo Bollino, Arjan Vasjari, Sokol Balla, Eduard Zaloshnja, Lorenc Vangjeli, Idajet Beqiri etj. etj. që përtypin të njëjtën tagji: Rama është më pak hajdut se Berisha. Po t’i klikosh në Google këto figura, shikon se shumë prej tyre janë të dënuar familjarisht si kriminelë, pra persona non-grata në SHBA.
Po ku ua ndjen televizioneve të Tiranës se Amerika i ka shpallur kriminelë, analistët e tyre? Ata, ose i përzgjedhin më problemorët, ose nuk kanë ku t’i marrin të tjerët, se të tërë janë të tillë, ose kanë urdhëra nga pronarët, shumë me pasuri të zezë dhe me emra e familje në Listë të Zezë. Edhe në fushën e medias ka probleme kriminale. S’mund të ngjante ndryshe në fakt. Krimi ka lulëzuar në 30 vjet.
Në media, në drejtësi, në padrejtësi, në politikë, në qeverisje, në bashki, në qytet e në fshat. Dikush shkruan: Zotërinj të Pamfletit, ka tre ditë që nga ora 8 e 15 minuta në M. Madhe, Rrethina, kemi kufizim dritash. Nga burimi i Rrjollit ndërpritet uji i pijshëm drejt Malësisë së Madhe. Arsyeja?
Për të vaditur parcelat me hashash në Rrjoll e Repisht.” Sot, të tëra mediet marrin njoftime të tilla, kushdo e shikon drogën që harliset në çdo cep të këtij vëndi, por as shteti, askërrkush nuk flet. Për disa ka ilaç, për disa kërbaç.
Politikanëve, pushtetarëve, “analistëve” e që i luten Zotit dhe Edi Ramës “bukën e përditshme epna neve sot”, Trump-i, Merkel-i, Macron-i etj., u ngjajnë si gjynahqarë e fukarenj. Ata kanë argument të “fortë”: Ekonomia e Italisë është me e keqe se e jona, pasi emigranti që nuk gënjen, djali i Eminit prej Kirasit, ashtu thotë! / Pamfleti