Troplinët trafik kokaine me pasaportë diplomatike? Elvis Doçi flet në ‘SKY ECC’ për trafik nga Peruja

0

Organizata e Troplinëve, e drejtuar nga nipi i Xhevdet Troplinit, Elvis Doçi, thuri plane për të trafikuar kokainë drejt Europës nga Peruja me pasaportë diplomatike. Plani ishte me valixhe dhe skenari ishte bërë gati, por SPAK thotë se zbatimi dështoi, për arsye që nuk përmenden në SKY ECC nga trafikantët. Ndërkohë, në dosjen voluminoze zbardhen detaje se si droga hynte në territorin shqiptar me autobus, si ndaheshin paratë dhe kush ishte organizatori.

Për organizatën kriminale të Troplinëve, shpikja e metodave të trafikimit të kokainës dhe qarkullimit të parave nga trafiku i drogës ishte një temë thelbësore në bisedat mes anëtarëve të saj në aplikacionin SKY ECC. Arrihet deri aty sa të ngrihen dyshime se edhe pasaportat diplomatike janë përdorur për të sjellë kokainë nga Peruja. Personazh qendror në bisedë është vetë Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, nipi i Xhevdet Troplinit.

ELVIS DOÇI: “Po në Brazil mund të marrim gjëra?.. Se po më thotë një shok që ka variant me diplomat, me valixhe… ok… ok, më mirë… do vish të shtunën në Durrës?… Po më thotë kushëriri që i ke shkruar… unë jam V që po flasim. A flasim dot me atë shokun në Peru?… Kam një shok që ka nga këta diplomatët e huaj… me ja dhënë nja 20 copë në Lima… Po, ato janë diplomat dhe shkojnë për arsye pune në ato data… këto janë vendet që do shkojnë dhe datat, se janë katër të ndryshëm.”

Biseda shkon edhe më tej mes Elvis Doçit dhe një përdoruesi të paidentifikuar të SKY ECC, ku flitet për valixhe me drogë që planifikohej të lëviznin me avion.

ELVIS DOÇI: “Ç’kemi shok… për Peru e krym… sa veta janë atje, 1 apo 2?… ok… fol tamam se për aty na e kryn ai shoku që të thashë mbrëmë… të shohim tani… me avion linje do lëvizin këta?… Ideja me avion linje apo privat?… Se po më thotë ky shoku që të thashë tani, andej nuk pyesin për diplomat, të fshin… ok… për në Peru e krym, të tjerat pres përgjigje.”

Më datë 22.07.2020, Elvis Doçi komunikon në SKY ECC me një person të paidentifikuar për detaje konkrete se si do të trafikohej droga dhe cili do të ishte destinacioni.

ELVIS DOÇI: “Po të pyes kot. Nga këta diplomatët… shkojnë në Guatemala dhe Nikaragua… mund të gjejmë ndonjë gjë në këto dy vende… Shkojnë me punë… besoj me avion linje… se të ishte privat do merrnin më shumë… janë me arsye zyrtare, thonë… Ata thonë të na japë ai shoku një adresë ku të shkojnë t’i marrin gjërat në Lima… Ai aty shkruan edhe Guatemala dhe Nikaragua… se një person është, t’ia fusin me një valixhe… të premten do jetë në Lima… do ketë veshur bluzë… kodi do jetë ‘hello Antalya’.”

Por pavarësisht se ngrihen shumë pikëpyetje se për çfarë pasaportash flisnin trafikantët apo se kush ishin personat që viheshin në lëvizje, SPAK thotë se arriti të provojë se ky plan dështoi dhe qëllimi nuk u përmbush. Për këtë, thotë organi hetues, mungojnë bisedat përfundimtare.

Sa i takon qarkullimit të parave, dominon transporti me autobus. Shoferët kishin përqindjen e tyre, e natyrisht edhe pronarët, disa prej të cilëve janë nën akuzë. Sipas SPAK, janë evidentuar disa raste të transportit të parave, ku janë të përfshirë Elvis Doçi, kushëriri i tij Indrit Tafili dhe Ogert Shqevi, që njihet edhe si truri i kompanive të Xhevdet Troplinit. Një pjesë e parave cash vendoseshin në qese me vakum dhe secili grup vendoste shenjën përkatëse.

Shumat varionin nga 75 mijë euro deri në 300 mijë euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu