Në telefonin e Nuredin Dumanit, prokurorët e SPAK kanë mundur të gjejnë edhe foton e një zyrtari Policie.
Ndonëse ende nuk dihet se për çfarë qëllimi e mbante Dumani në aparatin e tij celular pamjen e zyrtarit, bëhet me dije se më herët ai kishte kërkuar edhe mbrojtje nga ana e shtetit, por që nuk e kishte përfituar për shkak se pas analizimit të të dhënave të dhëna prej tij, ka rezultuar se nuk përbënte ndonjë rrezik për të.
Sipas të dhënave hetimore, mësohet se ky zyrtar policie u kthye në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit rreth një vit më parë, menjëherë pas masakrës që tronditi vendin ku u vra Pjerin Xhuvani, raporton Panorama.
Nuk dihen rrethanat e dëshmisë së efektivit të Policisë për arsyen e kërkimit të mbrojtjes, ashtu siç edhe pretendohet nga ana e prokurorëve që po hetojnë krimet horror të grupeve kriminale të Elbasanit që Dumani nuk ka dhënë shpjegime mbi praninë e fotos së këtij personi në celularin e tij.
Megjithatë do të jenë hetimet e mëtejshme që do të hedhin dritë mbi këtë rast për të mësuar nëse efektivi i Policisë ka qenë në listën e personave që duhej të ekzekutoheshin nga ana e grupit të Dumanit dhe të Hoxhës dhe nëse rezulton e vërtet kush ka qenë i interesuar për ‘punën’ e radhës së ‘togës së vdekjes’.
Veç një ushtrie me vrasës me pagesë e jo vetëm, në grupin prej 32 personash që SPAK deshi të arrestonte ishte edhe një efektiv Policie, i cili pati shërbyer në Elbasan më herët. Ai doli i implikuar pas dëshmive të dhëna nga Dumani dhe Hoxha, të cilët treguan se efektivi i Policisë kishte shmangur hetimet për vrasjen brutale të Emiljano Ramazanit, duke marrë informacion se arma e krimit gjendej në servisin e familjes Manhasa. Sipas të dhënave dhe dëshmive, u bë me dije se ky devijim çoi në pranga si hakmarrje babë e bir, të cilët u vunë nën akuzën e vrasjes së Ramazanit.
Henrik Hoxha i tha prokurorisë së atij iu kërkua që arma pas vrasjes së Ramazanit të hidhej në pronat e Manhasës, pasi sipas Hoxhës, dyshohej se djali i Seit Manhasës kishte bashkëpunuar për masakrën e Bradasheshit me tri viktima. Hoxha iu tha paguesve të ‘punës’ se ai nuk mund ta linte armën e krimit në një vend tjetër e për pasojë ajo armë iu kthyer sërish Nuredin Dumanit, personit që kishte mundësuar gjetjen e materialeve për të kryer vrasjen e Emiljano Ramazanit. Për pasojë, në atë histori u përfshi edhe polici që sot rezulton i arrestuar për llogari të 23 akteve kriminale dhe në kuadër të goditjes së 8 grupeve të krimit të organizuar në vend.
Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha janë dy prej 5 personave që kanë dëshmuar në lidhje me një mori krimesh që kanë kryer vetë. Në fakt SPAK që në vitin 2020 ka mundur të sigurojë dëshmi, një nga Durrësi dhe 2 nga Elbasani për një sërë ngjarjesh që kishin në fokus vrasjet zinxhir që po tronditnin vendin. Sipas të dhënave hetimore, bëhet me dije se në dëshmitë e Dumanit dhe të Hoxhës janë dhënë me dhjetëra emra të tjerë nga bota e krimit.
Po ashtu, të gjithë me lidhje të forta në Polici, prokurori e deri në rang deputetësh, por që prokuroria ende nuk ka mundur të lëshojë urdhërarreste të tjera për këto krime. Bëhet me dije se përveç personave të shumëkërkuar, të cilët kanë pasur role kaposh të bandave që kanë vepruar bashkë dhe kundër njëri-tjetrit janë edhe një sërë emrash të tjerë, të cilët do të jenë pjesë e hetimit, në mos si të pandehur, si dëshmitarë të procesit që do të jetë ndër më të mëdhenjtë që mund të ketë parë ndonjëherë gjykata shqiptare.
Burimet tregojnë se po punohet për të sqaruar rrethana të rëndësishme të disa ngjarjeve pa autor që kanë qëndruar prej vitesh në sirtarët e Policisë dhe të prokurorive të rretheve të ndryshme të vendit. SPAK ka nisur grumbullimin e një sërë dosjesh në një procedim të vetëm, kjo duke iu referuar kryesisht dy vrasjeve në Durrës përkatësisht në vitet 2012, 2013 ku mbetën të vrarë nënë e bir. Të vërtetat e atyre dy ngjarjeve i tregoi Nuredin Dumani duke nxjerrë në skenë një grup mjaft të fuqishëm në Durrës, për llogari të të cilit ishin kryer edhe ato dy ngjarje të rënda.