Trafikantët djegin gomonen në Shëngjin, Guardia di Finanza e ndoqi me helikopter në brigjet e Vlorës

0

Gomonia e cila u vu në ndjekje pasditen e djeshme në brigjet e Vlorës, është gjetur e djegur sot në Shëngjin. Guardia di Finanza e ndoqi dje me helikopter mjetin lundrues që dyshohet se ishte i ngarkuar me drogë, ndërkohë që nga deti kontrollet i bënte Policia Kufitare.

Gomonia e dyshuar e ngarkuar me lëndë narkotike është konstatuar në grykëderdhjen e Vjosës dhe prej orës 17.00 të së martës, forca policore italiane ju vu në ndjekje. Duke qenë se hasi në rezistencë Guardia di Finanza kërkoi dhe ndihmën e Policisë shqiptare.

Në grykëderdhjen e Vjosës janë konstatuar dhe më parë skafe të ngarkuar me qindra kg drogë, në disa raste ngarkesat janë kapur bashkë me trafikantët. Siç shihet në foton e mëposhtme, gomonia ka qenë e mbuluar në pjesën e ngarkesës dhe në vendin ku qëndron drejtuesi.

Policia nuk ka mund dot të identifikojë drejtuesin e gomones dhe nëse në bord kishte persona të tjerë. Sot, pas disa orësh ndjekje intensive, mjeti lundures është gjetur i djegur në Shëngjin. Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e personave përgjegjës.

Gomonia ka një gjatësi prej 7-8 metrash dhe e pajisur me tre motorë të fuqishëm pas.

“Më datë 20.07.2022, rreth orën 05:30, në derdhje të hidrovorit të Adriatikut, në breg të detit, në Godull, Kurbin, është konstatuar nga shërbimet e Policisë, një mjet lundrues, duke u djegur.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës. Deri tani nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm. Grupi hetimor vazhdon hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Shtetit për rastin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu