Kalimi në Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë. Shkollat fillore dhe të mesme në veri të Kosovës nga sot do të jenë të mbyllura.
Serbët që protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç janë ende në barrikada.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësor.
Pak pas orës 21:00, breshëri zjarri dhe shpërthimi janë dëgjuar në Rudar afër Zveçanit. Nuk dihet se kush ka qëlluar.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka bërë të ditur se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren. Për shkak të ngjarjeve në Kosovë është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi.
Pas seancës së Këshillit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se barrikadat janë shprehje e protestës kundër arrestimit të njerëzve dhe thekson se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
Ndërkohë ditën e sotme Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të shkojnë në Prishtinë ku do të takohen me udhëheqësit e Kosovës.
Takimet me zyrtarë të lartë të Qeverisë pritet t’i zhvillojnë në orët e vona të pasdites, ndërsa me udhëheqësit e opozitës do të takohen paraditen e së martës.
Sulmet ndodhën ndërkohë që KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.
Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.