Tensionet në veri, Blinken: Dënojmë veprimet e qeverisë së Kosovës

0
 Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dënuar me forcë veprimet e qeverisë së Kosovës në veri të vendit. Në një reagim në Twitter, pas tensioneve që u shënuan këtë të premte, Blinken shprehet se këto veprime po përshkallëzojnë tensionet dhe po rrisin jo stabilitetin. Ai i bën thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të ndalë menjëherë “këto masa të dhunshme” dhe të rifokusohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jo stabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Blinken.

Më herët, reagoi edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila po ashtu dënoi veprimet e autoriteteve të Prishtinës për të futur menjëherë kryetarët e rinj në zyrat e komunave me shumicë serbe. Në një reagim të ambasadorit Jeff Hovenier, kërkohej ndërprerja e masave të dhunshme.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vijojnë nga autoritetet për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, thuhej në reagim.

Në të njëjtën linjë është edhe shprehur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama në një reagim për atë që ndodhi në veri të Kosovës.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Rama.

Reagime për uljen e tensioneve bëri edhe Bashkimi Europian si dhe OSBE.

Të shtëna armësh, përplasje me policinë dhe gaz lotsjellës. Kjo ishte situata para selive të zyrave të komunave me shumicë serbe paraditen e së premtes kur duhet të merrnin detyrën krerët e rinj të këtyre institucioneve.

Serbët ishin mbledhur përpara komunës së Zveçanit, për të ndalur hyrjen e një kryetari shqiptar, por janë përplasur me policinë. Situata është përshkallëzuar duke shënuar edhe djegien e një prej automjeteve të policisë.

Por përveç serbëve që qëndronin para godinës së komunës, një grup tjetër personash qëndronin në hyrje të Zveçanit. Pas disa orësh protestuesit u larguan ndërsa kreu shqiptar i komunës mundi të hynte në zyrë.

Autoritetet njoftuan për disa policë të lënduar. Tensione ka pasur edhe në komunën e Leposaviçit. Ende nuk raportohet për ngritje të barrikadave. Situata mbetet e tensionuar dhe ajo po monitohet nga forca të shumta të policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu