Të vërtetat e pathëna të gazetarisë në Shqipëri

0

Shkruan Aldo Mustafa

Me të drejtë pas publikimit të pagave nëpërmjet një dokumenti që qarkulloi kudo, pasi u panë vlerat tek disa prej gazetarëve si Blushi, Fevziu, Balla etj. nisën dhe u konfirmuan aludime për paga marrëmendëse në gazetari. Ja që gazetarët merrkan dhe paga më të larta se të KM dhe kabinetit qeveritar, por e bukura ishte se u fol për 5 gazetarë, jo mbi 1000 gazetarët e terrenit.

Në një kohë që çdo ditë në media trajtohen problematika të ndryshme nga ato më të voglat deri tek ato më madhoret, në një kohë kur puna më e madhe investigative ndaj shkeljeve dhe padrejtësive kryhet nga gazetarët dhe po gazetarët ngrejnë shqetësimet për të gjithë popullin, e kundërta ndodh për ta! Askush nuk ngre zërin për atë se çfarë ndodh sot me median audiovizive atë të shkruarën online dhe punonjësit e saj.

Si qëndron e vërteta e gazetarëve? Jua listoj unë disa prej të vërtetave:

1- Pagat e gazetarëve konkretisht në Durrës nisin nga 17.000 lekë të reja në muaj tek gazetarët më pak të paguar dhe vazhdojmë deri tek më i paguari që është vlera 70.000 lekë, kjo e fundit ndodh kur ti nuk je vetëm gazetar, por bën dhe një punë të dytë po në të njëjtin televizion si operator. Theksoj se kjo pagë e fundit vjen pasi ke 15 vite në terren dhe të bësh dy punë me kohë të plotë!

2- Gjysmës së gazetarëve të terrenit nëpër rrethe nuk u paguhen sigurimet shoqërore dhe rrogat i marrin në dorë. Çerekut i paguhen siguracionet mininale duke mos deklaruar të ardhurat ose duke kthyer një pjesë të lekëve në redaksi dhe pjesës tjetër nëse është me fat, do i paguhen sigurimet për pagën e deklaruar.

3- Gazetarët punojnë pa orar, bëjnë punën e policisë, hetuesisë, zjarrëfikësit, mjekut, prokurorit, gjykatësit, deputetit dhe të shumë funksioneve të tjera duke u gjendur në çdo lloj terreni që ekziston. Kjo padashje i nxjerr nga kopetencat e tyre shumë herë duke bërë që të flasin për gjëra që nuk u takojnë, por që u kërkohen. Këtu humb dhe cilësia!

4- Pushimet e fundjavës për 80% të kolegëve në rrethe nuk legjitimohen, pra e diela nuk u lejohet të bëhet pushim. Në rastet kur kjo e fundit u lejohet 20% tjetër, është e kushtëzuar që nëse ka zhvillime (që gjithnjë ka) të dalin të punojnë dhe të dielave.

5- Pushimet vjetore nuk janë 28 ditë, por 14 ditë! Sërish të kushtëzuara, pasi janë të rralla mediat që të lënë realisht të pushosh gjatë dy javëve. Shumica e kolegëve janë të detyruar të punojnë nëse ka zhvillime dhe të shkëputen nga pushimet (që sërish e theksoj, zhvillime ka gjithnjë).

6- Pagat për 90% të kolegëve kalojnë me vonesë dhe nuk po flas për vonesa 1-2 ditore, por vonesa 3-6 muaj! Alarmante!

7- Gazetarët janë të pambrojtur në terren në shumicën e kronikave me të cilat merren, pasi janë të pakta rastet që drejtuesit e televizioneve të ndërhyjnë në raste konfliktesh për kërkesat që ata vetë kanë drejtuar. Mbrojtja = 0.

8- Lëvizjet me automjet, gazetarëve nuk ua njohin shpenzimet brenda në qytet. Pra logjika është kjo: Ti duhet të jesh i pari në vendngjarje e cila mund të jetë dhe 20 minuta larg në këmbë nga vendi ku ndodhesh, por nëse ikën me automjet nuk të njihen shpenzimet, ama nëse nuk arrin i pari nuk të njihet as puna, je i paaftë ose padobishën për të gjithë mediat. Ndërsa në rastin kur gazetarët duhet të kryejnë lëvizje jashtë qytetit, litri i karburantit për 100km u llogaritet me çmime fikse 135 lekë përafërsisht. Pra në shumicën e rasteve nuk marrin as gjysmën e parave që shpenzojnë për karburant. Konsumi i automjetin apo vetë automjeti janë kosto personale e gazetarit!

9- Rrogat nuk janë rritur kurrë të paktën 5 vitet e fundit, pavarësisht ndryshimeve në çdo fushë apo rritjes së shpenzimeve apo edhe të rrogës minimale, një gazetar paguhet njëlloj me një kamarier! Për këtë të fundit nuk jam i sigurt, pasi të ardhurat mund t’i shkojnë edhe më shumë me bakshishet.

Mund të vazhdoj me të vërteta të tjera, se siç tha dhe Rolandi në teatër “kemi dhe të tretën dhe të katërtën, por janë sekrete familjare”, por fillimisht po parashtroj të vërtetat e televizioneve në raport me gazetarët, sepse ka dhe të vërteta të tjera ku institucionet përkatëse nuk ngrenë problematikat dhe shqetësimet e gazetarëve.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, ose AMAN-i siç përdoret ironikisht, është jofunksional totalisht. Përtej këtij autoriteti, ekziston dhe Unioni i Gazetarëve i cili më shumë është kthyer në një agjensi njoftimesh funerale për kolegë të vdekur, sesa një UNION të gjallësh. Shkruhen statuse, bëhen thirrje në rrjetet sociale, bëhen takime nëpër rrethe për të dëgjuar problematikat e shtruara nga gazetarët, por ka një mungesë totale solidarizimi, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mbi këto problematika, ose të paktën asnjë nga shqetësimet e ngritura deri më tani, nuk është zgjidhur.

Në kushte të tilla mendoj se ka lindur tashmë nevoja që gazetarët të ngrihen të protestojnë nëse shqetësimet e tyre nuk gjejnë zgjidhje. Ata të cilët ngrejnë zërin për këdo, nuk ngrejnë dot zërin për vete dhe kjo për mua tregon mungesë profesionalizmi, sepse flasim për gazetarë të lirë dhe pavarur, mendimet e të cilëve nuk duhet të dëgjohen vetëm nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, por edhe të institucioneve ku vetë gazezarët janë pjesë!

Dhe për ta mbyllur, në 50% të kohës gazetarët nuk e dinë çfarë flasin dhe në 50% tjetër, nuk flasin çfarë dinë. Unë preferoj të flas gjithçka që di dhe të hesht për ato që nuk kam informacion.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu